Policia e Tiranës njoftoi sot se Kristian Konit, 45-vjeçarit të arrestuar për trafik droge në Itali i janë sekuestruar 26 milionë e 500 mijë euro pasuri, përfshirë:19 prona, 2 automjete dhe 20 llogari bankare të regjistruara në emër të tij.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një procedimi penal të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e pasurive në pronësi të shtetasit K. K., alias O. M., 45 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Pasuritë e sekuestruara janë konkretisht: 19 prona, 2 automjete dhe 20 llogari bankare, të regjistruara në emër të 45-vjeçarit ose të familjarëve të tij, me vlerë tregu rreth 26 milionë e 500 mijë euro.
Vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se kanë burim nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Lajmi kryesor:
SUPEROPERACIONI/ I dënuar më parë për vrasje dhe trafik droge, sekuestrohen vila dhe pasuri të tjera 26 milionë euroshe të Kristian Konit alias Olsi Meta dhe me 3 emra të tjerë
Xh.K/a.m./ReportTv.al
