Shëndeti

Tiroidja – Alarmet që trupi jep dhe si ta rikthesh në balancë natyralisht! Këshilla nga Altin Joka

1 Tetor, 15:53| Përditesimi: 1 Tetor, 16:09

  • Share

I ftuar në studion e "Rreze Dielli" në Report Tv, eksperti i shëndetit dhe nutricionit Altin Joka, theksoi rëndësinë jetike të tiroides për funksionimin e trupit dhe pasojat e një shëndeti të dobët të saj. Ai diskutoi faktorët kryesorë që ndikojnë në tiroiden, si stresi, dieta dhe sëmundjet autoimune, si dhe mënyrat për të përmirësuar shëndetin e kësaj gjendre të rëndësishme.

Tiroidja është një gjëndër e vogël, por me një rol shumë të madh në organizëm. Ajo prodhon dy hormone kryesore: T3 dhe T4, të cilat janë dirigjentët tanë që udhëheqin ritmin e trupit. Kur tiroidja nuk funksionon siç duhet, mund të ndikojë në funksionet e zemrës, trurit, temperaturën e trupit, shëndetin emocional, rënien e flokëve, si dhe mund të shkaktojë aritmi dhe lodhje.

“Përkundër madhësisë së saj të vogël, tiroidja është e lidhur ngushtë me shumë procese të trupit, si metabolizmi dhe funksionimi i organeve të tjera,” tha Joka. “Një gjëndër e shëndetshme është thelbësore për ruajtjen e energjisë dhe balancës hormonale".

Gjithashtu, ai shpjegoi rolin e hipofizës, që ndodhet në tru dhe kontrollon prodhimin e hormoneve tiroidiane përmes TSH (hormoni stimulues i tiroides). 

“Hipofiza luan një rol të rëndësishëm në menaxhimin e niveleve të hormoneve të tiroides. Kur ndodhin mungesa, ajo i rregullon ato duke i rritur ose ulur sipas nevojës".

Sëmundjet e tiroides janë më të shpeshta tek femrat, që janë 6 herë më të prekura se meshkujt. Disa nga simptomat që mund të tregojnë për probleme me tiroiden përfshijnë shtim ose humbje peshe, lodhje të tepruar, duam të flemë sa më shumë, kemi rënie të energjisë, kemi ftohtë, na mpien duart, flokët hollohen, thonjtë çahen, kemi probleme me jashtëqitjen, çrregullime të ciklit menstrual dhe shpërthime emocionale.

“Stresi është një faktor kyç që dëmton funksionin e tiroides,” shtoi Joka. “Ai mund të parandalojë prodhimin e hormoneve TSH dhe T3, duke çuar në probleme të shëndetit të tiroides. Përveç stresit, viruset dhe disbalancimet e zorrëve gjithashtu mund të ndikojnë negativisht.”

Për të mbajtur tiroiden të shëndetshme, Joka sugjeroi disa ushqime të pasura me selen dhe jod, të cilat janë thelbësore për funksionimin e saj. Arra, peshqit e egër, vezët organike, perimet jeshile, dhe produktet probiotike si kosi, kefiri, turshitë, janë disa nga ushqimet që duhen përfshirë në dietë. Po ashtu, ai paralajmëroi për rreziqet që vijnë nga ushqimet e përpunuara, sheqernat dhe produktet që përmbajnë gluten dhe soja, të cilat mund të pengojnë funksionimin e tiroides.

 “Gluteni dhe soja janë dy armiqtë kryesorë të tiroides, dhe duhet t’i shmangim nëse vuajmë nga ndonjë sëmundje tiroidiane,” shtoi ai.

Për të diagnostikuar saktësisht ndonjë problem me tiroiden, Joka rekomandoi që të bëhen analiza të T3, T4, TSH dhe anti-TPO. “Këto analiza janë thelbësore për të kuptuar nëse ka ndonjë çrregullim të sistemit imunitar që dëmton tiroiden. Po ashtu, është e rëndësishme të kontrollohen nivelet e selenit dhe jodit në trup.

Si përfundim, Joka theksoi se shëndeti i tiroides kërkon një qasje holistike dhe të integruar, ku dieta, menaxhimi i stresit dhe analizat e rregullta luajnë një rol të rëndësishëm. “Një dietë e ekuilibruar, ushqime të pasura me elementë esencialë dhe evitimi i substancave që ndikojnë negativisht mund të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit të tiroides,” përfundoi ai.

 

MC/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?