Një tjetër incident brenda institucioneve të drejtësisë. Kësaj radhe në Fier, në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku një 75-vjeçar dyshohet se ka kërcënuar dhe fyer kryesekretaren. Shkak për këtë është bërë shtyrja e një seance gjyqësore. Policia thotë se Vladimir Hamzai po hetohet në gjendje të lirë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. H., 75 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për shkak të shtyrjes së një seance gjyqësore, ka kanosur dhe fyer Kryesekretaren e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.”, njofton policia.
Dy incidente u shënuan edhe një ditë më parë. Në Apelin e Tiranës, Gentian Mali, një qytetar që do merrte informacion për gjyqin e të vëllait, kërcënoi punonjësin e sigurisë pasi u nervozua nga pritja. Ai debatoi me punonjësin e sigurisë, të cilit iu drejtua me ton kërcënues “jeni për tu vrarë të gjithë”.
Ndërsa në gjykatën e Vlorës, avokati Redi Llanaj, i cili mbron edhe Monika Kryemadhin, goditi rojen e sigurisë pasi nuk e la të hynte në godinë me argumentin se nuk ishte thirrur në seancë. Avokati u arrestua pasi e goditi me grushte.
Ngjarje të tilla vijnë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur të hënën, ku brenda sallës së gjyqit në Apelin e Tiranës, u vra gjyqtari Astrit Kalaja nga 30-vjeçari Elvis Shkambi pasi xhaxhai i tij humbi gjyqin për pronën. Ai plagosi edhe babë e bir, Ervis dhe Ragip Kurtaj, palë në proces. Në pranga bashkë me Elvis dhe Gjon Shkambin, u vu edhe roja e sigurisë Banush Koxhaj, pasi nuk kreu kontrolle edhe pse detektori sinjalizoi presencë metalesh gjatë momentit kur xhaxha e nip hynë brenda gjykatës.
Komente
