Denis Hidri

Politikë

Tjetër largim nga PL, ish-kandidati për deputet akuza për manipulime votash: Njerëz nga rruga vijnë për t’u bërë Sekretar të Përgjithshëm! Zëdhënësja: 'Patronazhist i narko-regjimit'

26 Shkurt, 08:57| Përditesimi: 26 Shkurt, 20:16

  • Share

TIRANË- Një tjetër largim në radhët e Partisë së Lirisë. Anëtari i Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, Denis Hidri në një postim në Facebook ka njoftuar largimin e tij nga kjo forcë politike, duke e shoqëruar me akuza të forta për manipulime të brendshme e mungesë meritokracie. Hidri ka qenë edhe kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 2021.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Hidri shkruan se që nga kandidimi i tij për deputet në 2021 dhe për kryetar bashkie në Krujë në 2023, ka qenë dëshmitar i tjetërsimit të votave dhe manipulimeve të garave brenda partisë.

Po ashtu, ai thekson se me rikthimin e Ilir Metës në krye të Partisë së Lirisë priste që kjo forcë politike të merrte tjetër drejtim dhe gjithçka të bazohej mbi meritokraci.

Hidri shkruan se në Partina e Lirisë u mbush me njerëz anonimë dhe të tjerë që kanë dhënë gjithçka për këtë forcë poltike u lanë në hije.

"Ka sot deputetë që me 300 vota janë në parlament dhe njerëz që vijnë nga rruga për t’u bërë Sekretar të Përgjithshëm," akuzon ai.

E për këto arsye ai thotë se vendosi që të largohet nga çdo angazhim në mbështetje të kësaj partie dhe strukturave të saj.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi edhe nga ana e Partisë së Lirisë, për këtë largim nga radhët e saj. Ka qenë zëdhënsja, Jasmira Memelli e cila në facebook-un e saj ka cilësuar largimin e Hidrit, si largimin e një tjetër 'sufllaqe dopio pite dhe patronazhist të narko-regjimit. 

'I vetmi "kontribut" i tij modest ka qenë vërdallosja në kafet rreth e rrotull selisë, apo lëpirja për të marrë pjesë në takimet tona, me shpresën se ky do t'i njihej si kontribut. Dhe këtij "largimi tronditës" mediat e paguara me paratë e inceneratorëve i paskan kushtuar vëmendje. Krejt normale. Por asnjë surprizë, përkundrazi një FALEMINDERIT TË MADHE për "largimin" e një tjetër sufllaqexhiu të rëndomtë dopjo pite, që as familja e vet nuk e ka votuar kurrë'' shkruan ndër të tjera Memelli.

Reagimi i plotë i Denis Hidrit për largimin e tij:

“Distancim! Të Nderuar Kolegë! Falënderoj të gjithë ata që deri më sot, miqtë, shokët, dashamirësit, e familjarët që me mbështeten deri me sot, përfshirë kandidaturën time në vitin 2021, për deputet, nën logon e  LSI. Duke besuar në  meritokracinë e shumëtrumbetuar, mendova se isha pjesë e kësaj force, ku në të vërtetë lufta më e madhe, rezultoi të ishte mbrojtja e votave, por jo nga kundërshtari im politik, por nga vetë partia “ime”, sepse tjetërsimi i votave, nga emri im tek individë të tjerë anonimë, ishte një praktikë që vijimësisht kishte penalizuar edhe kolegë të tjerë të mi.

Në 2023 isha kandidat në primaret për zgjedhjet per Kryetar të bashkisë Krujë, duke besuar përsëri se vlerat në garë do peshonin... Por kjo nuk ndodhi dhe unë sërish zgjodha heshtjen, vendosa të mos flisja, i mbajtur peng nga sedra ime e keqshpenzuar, në emër të së cilës, si njeri i fjalës së dhënë, vendosa prap të mos flisja, pavarësisht se shihej qartë se përcaktimi i fituesit ishte një proces abuziv dhe i manipuluar.

Dhe ky proces i solli “rezultatet”. Te gjithë hynë në armiqësi me njeri-tjetrin dhe përçarje me daljen e rezultateve, kur u pa qartë se rezultati ishte i paracaktuar. Përsëri nuk kurseva besimin tim, kur urova se me kthimin në drejtim e partisë të Kryetarit z. Ilir Meta gjërat do merrnin tjetër drejtim, si njeri i besës, i fjalës së dhënë, duke sjellë në ekujlibër kandarin e meritokracisë në Partinë e Lirisë. Por sërish zhgënjim.... Besimi përshfaqej si qasja më e pajustifikuar në një ambjent kaq toksik. Diçka që edhe sot e shohim.

Partia e Lirisë u mbush me njerëz anonimë, pa asnjë lloj kontributi, ndërkohë që militantë të kësaj force politike, të cilët kanë dhënë shpirtin, emrin, djersën, nuk u vlerësuan, po u lanë në hije, në harresë të plotë dhe përsëri nuk u vlerësuan, për të qenë pjesë e strukturave të larta drejtuese. Në këtë parti ka sot deputetë, që me 300 vota janë në parlament. Njerëz që vijnë nga rruga për t’u bërë Sekretar të Përgjithshëm... Raste të përsëritura kur llojlloj njeriu, futet në sekretariate, përsëri pa asnjë lloj kontributi. “Meritokracia” si standard dhe kriter, fton për protagonizëm dhe sukses, profesionistët e lëpirjes dhe të avancimit në gjunj. Sport i vjetër, të cilin për fat nuk e njoh dhe nuk e ndaj.

Ndaj sot, ky kod moral dhe politik, po bën që të jemi këtu ku jemi, me këto rezultate. Një fjalë e urtë thotë: "...Më mire vonë se kurrë". Ndaj, unë Denis Hidri, vlerësova t’a ndaj me ju, vendimin e tërheqjes time nga çdo angazhim në mbështetje të kësaj partie dhe strukturave të saj", shkruan Hidri.

Kundërpërgjigjja e PL-së me anë të Jasmira Memellit:

'Një tjetër sufllaqe e rëndomtë dopjo pite apo patronazhist i Narkoregjimit, që nuk ka qenë KURRË anëtar i Kryesisë, as ka patur KURRË asnjë funksion në parti, dhe që KURRË nuk ka dhënë ndonjë kontribut në strukturat tona, paska shpallur “largimin” nga radhët e Partisë së Lirisë. I vetmi "kontribut" i tij modest ka qenë vërdallosja në kafet rreth e rrotull selisë, apo lëpirja për të marrë pjesë në takimet tona, me shpresën se ky do t'i njihej si kontribut. Dhe këtij "largimi tronditës" mediat e paguara me paratë e inceneratorëve i paskan kushtuar vëmendje. Krejt normale. Por asnjë surprizë, përkundrazi një FALEMINDERIT TË MADHE për "largimin" e një tjetër sufllaqexhiu të rëndomtë dopjo pite, që as familja e vet nuk e ka votuar kurrë. Ndaj mos u habisni nëse mund të dëgjoni edhe lajme të tjera "bombë" të frymezuara nga frika e Narkoregjimit që shkërmoqjet e veta të përditshme do t'i mbuloje me gjoja "ikje" sufllaqesh apo patronazhistësh.'

SI.E./S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mandarina me pesticide, sa të sigurta janë produktet që konsumojmë?