Lulishtja që do të bëhej hotel, nën sekuestro 10 mijë metrat katrorë! Si ‘u gatua’ skema e falsifikimit në zyrat e shtetit! Në arrati ish-drejtori i Sarandës dhe 2 biznesmenë

2 Qershor 2022, 13:06| Përditesimi: 2 Qershor 2022, 22:42

  • Share

Një sipërfaqe prej 10 230 m2 tokë shtetërore në bregdetin e Sarandës përmes një skeme falsifikimi "gatuar" në zyrat e shtetit iu dha dy biznesmenëve të cilët e shndërruan në truall për ndërtimin e një hoteli. Prokuroria e Sarandës përgjatë dy viteve hetime arriti të zbulojë se në këtë skemë të tjetërsimit të pronës publike janë përfshirë 10 persona, si zyrtarë, biznesmenë dhe qytetarë. Në krye të listës është ish-drejtori i Kadastrës së Sarandës, Ardian Kola, i cili ka mbajtur detyrën në vitet 2019-2020. urdhri i arrestit ndaj tij u lëshua nga prokuroria këtë të enjte, por burimet thanë se Kola është larguar jashtë vendit. Po kështu në kërkim janë shpallur dy vëllezër, pronarë të një hoteli në Sarandë dhe që do të ndërtonin një të dytë në tokën shtetërore që përfituan përmes dokumenteve false. Vëllezërit Behar dhe Bedri Muçobega akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. 

Gjykata ka vendosur sekuestro preventive për tokën mbi 10 mijë metra katrorë ndodhur në afërsi të vijës bregdetare, Turizëm-Kanal i Çukës. Prokuroria bën të ditur se kjo pasuri është regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Sarandë mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara.

Gjatë hetimeve të kryera, prokuroria e Sarandës konstatoi se të gjithë këta persona kanë kryer bashkërisht tjetërsimin e pronësisë së tokës. Përfituesit e tokave përmes dokumenteve të falsifikuar në fillim ishin Fredi Merkuri, Valter Llomi dhe Argonida Canaj, të cilët janë vënë në pranga. Këta të tre tokën e kanë shitur dhe dy biznesmenët duke bashkëpunuar dhe me noterin. Por përmes falsifikimit është kryer dhe miratimi i lejes së ndërtimit nga bashkia e Sarandës.

Dy biznesmenët Behar dhe Bedri Muçobega, 40 dhe 51 vjec, vëllezër, kanë akuza të ndryshme. Behar Muçobega akuzohet për falsifikim dokumentash dhe Bedri Mucobega akuzohet për pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Është shpallur në kërkim Ardian Kola, ish drejtues i ASHK Sarandë për periudhën maj 2019-korrik 2020. Kola ka qenë edhe kryetar i degës së Partisë Socialiste në Sarandë në periudhën maj 2018 – tetor 2020.

Një ditë më parë u arrestua nga policia Pandi Zhonga, drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës, së bashku me juristen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Rovena Alikaj si dhe Aleko Anagnostin, noter.

Sipërfaqja tokësore e tjetërsuar ka qenë tokë shtetërore dhe para tjetërsimit shërbente si hapësirë e gjelbër, (Lulishte), për qytetin e Sarandës. Por përmes falsifikimit të dokumentave, miratimit të lejeve të ndërtimit nga bashkia Sarandë dhe hipotekimit më pas në zyrës e ASHK-së Sarandë, kjo tokë prej 10 mijë metra katror, është tjetërsuar tashmë te persona të tretë, të cilët tashmë janë në prangat e policisë.

 

Ora 15:01
Tjetërsimi i tokës shtetërore në bregdet, Prokuroria e Sarandës: U sekuestruan 10.230 m2 te Kanali i Çukës! Të përfshirë 10 persona, zyrtarë dhe biznesmenë

1654174814_cukes.jpg

Pas hetimeve për tjetërsimin e pronës shtetërore, Prokuroria e Sarandës ka sekuestruar sipërfaqen e tokës prej 10 230 m2, në Turizëm-Kanal i Çukës Sarandë, në afërsi të vijës bregdetare. Nën hetim janë 10 persona, të dyshuar për veprat penale “shpërdorim i detyrës” dhe pastrimi i parave. Ata janë nëpunës shtetërorë, biznesmenë dhe shtetas të tjerë.

"Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në kuader të procedimit penal Nr. 605 të vitit 2020, pas zbatimit të urdhërave të ndalimit, ka kërkuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqesor Sarandë caktimin e masës së sekuestros preventive në lidhje me pasuritë objekt hetimi, të cilat dyshohet se jane regjistruar në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës Sarandë mbi bazën e dokumentave të falsifikuara.

Gjykata e Rrethit Gjyqesor Sarandë me vendimin Nr.50 dt. 02.06.2022, ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive për një siperfaqe toke prej 10 230 m2, ndodhur në Turizëm-Kanal i Çukës, në afërsi të vijës bregdetare.

Në vazhdim, organi i akuzës po vijon punën për vleftësimin në gjykatë të urdhërave të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë për 10 persona të dyshuar për veprat penale “shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ‘falsifikimi i dokumenteve’ parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal. Në këtë veprimtari dyshohet se janë të përfshirë nënpunës shtetërorë, biznesmenë dhe shtetas të tjerë", thuhet në njoftimin e prokurorisë.

 

Ora 13:54
Tjetërsimi i 10 mijë m2 tokë shtetërore, shpallet në kërkim edhe Ardian Kola, ish kreu i Kadastrës dhe i degës së PS në Sarandë

1654170989_ArdianKolaSarande.jpeg

Pas operacionit të prokurorisë për tjetërsimin e 10 mijë metrave katrorë, është shpallur në kërkim Ardian Kola, ish drejtues i ASHK Sarandë për periudhën maj 2019-korrik 2020. Kola ka qenë edhe kryetar i degës së Partisë Socialiste në Sarandë në periudhën maj 2018 – tetor 2020.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Riku: 03/06/2022 06:27

    Wow... patronizhisteve nuk ju paska punuar tastiera te ky rati :))) hipokrite

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?