Tjetërsuan 10 mijë m2 tokë, SPAK dërgon për gjykim Jorgo Goron e 4 të tjerë! Ish-kryebashkiaku i Himarës në akuzë për shpërdorim detyre e mosdeklarim pasurie

22 Shtator, 10:22| Përditesimi: 22 Shtator, 13:33

  • Share

TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, e disa ish-zyrtarëve të tjerë lidhur me tjetërsimin e pronave në favor të Artan Gaçit bashkëshort i deputetes Olta Xhaçka.

Goro akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre në dy raste dhe refuzim për deklarim e mosdeklarim të pasurisë. Së bashku me Goron për gjykim janë dërguar Jerasimo Bashi, ish Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Bashkisë Himarë, Bilbil Aliaj, ish Drejtor i ZVRPP-së Vlorë, Vezir Gjikokaj, ish Jurist i ZVRPP-së të tre të akuzuar për shpërdorim detyre.

Ndërsa Stavri Mëhilli, akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’’. Sipas prokurorëve të posaçëm, hetimet treguan se Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, përcollën pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore, në pronësi të shtetit, në favor të subjektit privat, në pronësi të Foto Mëhillit, i ati i Stavri Mëhillit.

Pas kësaj procedure, të dy ata kanë vijuar me transaksionet për të regjistruar sipërfaqen e tokës në emër të një shoqërie private me përfaqësues Artan Gaçin. Në total janë dy sipërfaqe toke të tjetërsuara, të dyja rreth 10 mijë m2 e cila tashme ndodhet e sekuestruar me vendim te GJKKO. Paralelisht Prokuroria e Posaçme kreu edhe një hetim pasuror për ish kryebashkiakun e Himarës.

Nga hetimi penal sipas SPAK rezultoi plotësisht e provuar se ish kryebashkiaku ka fshehur dhe nuk ka deklaruar një apartament, me sipërfaqe totale 81.41 m2, me adresë në Tiranë, të cilin e kishte regjistruar ne emrin e një shtetasi tjetër me inicialet G.S.

Por Goro vijon të jetë në hetim edhe për një çështje tjetër që ka lidhje me pronat në bashkinë e drejtuar prej tij. Pak muaj pas arrestimit Prokuroria e Posaçme kërkoi një tjetër masë sigurie arresti në burg për Jorgo Goron si dhe sekuestroi 4900m2 tokë që është përfituar nga ish-kryebashkiaku i komanduar i Himarës Arqile Bollano.

Akuzat për dosjen e Himarës

Jorgo Goro - me detyre Kryetar i Bashkise Himare, ne hetim nen masen ‘Arrest me Burg”. Akuzohet per  'Shperdorim detyre ne dy raste” dhe “refuzim per deklarim dhe 'mosdeklarim te pasurise”
Jerasimo Bashi - me detyre Drejtor i Drejtorise se Mbrojtjes dhe Menaxhimit te Tokes, Bashkia Himare. Ne hetim nen masen “Arrest ne shtepi”  Akuzohet per  “Shperdorim detyre”, kryer ne bashkepunim
Bilbil Aliaj - me detyre Drejtor i ASHK-se (kadastra)  Drejtoria Vendore Vlore (ne kohen e ngjarjes), Ne hetim nen masen “Arrest ne shtepi”.  Akuzohet per “Shperdorimi i detyres”, kryer ne bashkepunim
Vezir Gjikoka - me detyre Jurist prane ASHK-se Drejtoria Vendore Vlore (ne kohen e ngjarjes). Në hetim nën masën “Arrest në shtëpi”.  Akuzohet për “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim
Stavri Mëhilli – Ende në kërkim! Në hetim nën masën  “Arrest në burg” në mungesë! Akuzohet për  “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë

Trualli ne sekuestro
Më 5 prill 2024 GJKKO me kërkesë të SPAK vuri në sekuestro sipërfaqen e truallit 10 mije metra katrore ku do të ndërtonte kompleksin turistik në fshatin Gjilek - Dhërmi të Himarës. Ky rast, u bë shkak edhe për vënien në diskutim të mandatit si deputete të Olta Xhaçkës. 

Pak muaj pas arrestimit Prokuroria e Posaçme rëndoi pozitën e Jorgo Goros duke kërkuar një tjetër masë sigurie arresti në burg për Jorgo Goron si dhe sekuestroi të 4900m2 tokë që është përfituar nga ish-kryebashkiaku i komanduar i Himarës, Arqile Bollano.

Njoftimi i prokurorisë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal Nr. 189, të vitit 2023, që bën fjalë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumentave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’’, parashikuar nga nenet 248 e 25, 186/2, 190/2, 257/a paragrafi 2 dhe 287 paragrafi 1, të Kodit Penal. Pas kryerjes së veprimeve hetimore, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë për dërgimin e çështjes në gjyq, me të pandehur shtetasit:

Jorgo Goro, ish Kryetar i Bashkisë Himarë në kohën e kryerjes së veprës penale, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer 2 herë, dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 248 e 25 dhe 257/a paragrafi 2, të Kodit Penal;

Jerasimo Bashi, ish Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Bashkisë Himarë në kohën e kryerjes së veprës penale, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer 2 herë, parashikuar nga neni 248 e 25, të Kodit Penal;

Bilbil Aliaj, ish Drejtor i ZVRPP-së, dega vendore Vlorë, në kohën e kryerjes së veprës penale, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25, të Kodit Penal;

Vezir Gjikokaj, ish Jurist i ZVRPP-së, dega vendore Vlorë, në kohën e kryerjes së veprës penale, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25, të Kodit Penal;

Stavri Mëhilli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’’, parashikuar nga neni 190/2, 186/2 e 287, të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimit paraprak ka rezultuar e provuar se, të pandehurit Jorgo Goro dhe Jerasimo Bashi, në bashkëpunim mes tyre, në dy episode të veçanta, kanë kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, në mospërmbushje të rregullt të detyrës. 

Në lidhje me episodin e parë, nga hetimi rezultoi plotësisht e provuar se ish titullari i Bashkisë Himarë, i pandehuri Jorgo Goro, në bashkëpunim me Drejtorin e DMMT-së pranë kësaj Bashkie, të pandehurin Jerasimo Bashi, kanë dërguar pranë ZVRPP-së Vlorë për qëllime regjistrimi të pasurisë, shkresën Nr. 731 Prot., datë 18.03.2019, bashkëngjitur së cilës ndodhej dokumentacion i cili qartazi përmbante të dhëna të rreme, në një kohë që pranë kësaj Bashkie, ky dokumentacion ndodhej i mirëadministruar dhe me të dhëna autentike të pasurisë së ndarë me ligjin Nr. 7501, në favor të shtetasit F. M. Megjithëse në rastin objekt hetimi ka qenë fare e lehtë për ish zyrtarët e Bashkisë Himarë të konfirmonin ose jo vërtetësinë e AMTP-së dhe Formularit Nr. 6, të paraqitur nga i pandehuri Stavri Mëhilli, siç ligji e kërkon, të bashkëpandehurit kanë dërguar një kërkesë për regjistrim të pasurisë (Nr. 36/36/1) me përmbajtje të rreme (vetë shkresa e përcjellë) por edhe me dokumentacion bashkëngjitur të provuar të falsifikuar.

Në lidhje me episodin e dytë, nga hetimi penal rezultoi plotësisht i provuar fakti se të pandehurit, në bashkëpunim kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike të pasurisë Nr. 36/341, krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor. Madje kësaj pasurie, të pandehurit i kanë dhënë një numër të ri (36/35) të pabazuar në asnjë të dhënë fakti dhe krejtësisht në kapërcim të kompetencave që u njeh ligji. Ky plan rilevimi i konfirmuar nga të bashkëpandehurit ka shërbyer për të gjithë procedurën e zhvillimit të pronës deri në  lëshimin e Lejes së Ndërtimit në emër të shoqërisë “AG.TCC” sh.p.k.

Të dyja këto pasuri, duke qenë se provohen të jenë krijuar si pasojë e dokumenteve të falsifikuar dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme të  funksionarëve publikë, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme janë vendosur nën sekuestro preventive, përkatësisht me vendimin penal Nr. 107, datë 28.09.2023, dhe Nr. 176, datë 28.03.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjithashtu, i pandehuri Jorgo Goro provohet të ketë konsumuar plotësisht elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 257/a paragrafi 2, i Kodit Penal. Nga hetimi penal rezultoi plotësisht e provuar se në pasurinë e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe totale 81.41 m2, me adresë në Tiranë, aktualisht e regjistruar në pronësi të shtetasit G. S., i pandehuri Jorgo Goro është pronar faktik duke patur mbi të, të drejta dhe interesa pasurore. Nga ana tjetër, referuar Deklaratave të Interesave Private të vitit 2020 dhe në vijim, përpiluar dhe nënshkruar nga i pandehuri Jorgo Goro, në cilësinë e subjektit të zgjedhur vendor, nuk ekziston asnjë gjurmë e deklarimit të interesave të tij apo familjarëve mbi këtë pasuri, shpenzime të mundshme për porositjen ose blerjen e tij, të drejta posedimi apo pronësie mbi të. Për këtë shkak, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pasuria në fjalë është vendosur nën sekuestro preventive në bazë të Vendimit Nr. 28 datë 31.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në lidhje me të pandehurit Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikokaj, nga hetimi penal ka rezultuar plotësisht e provuar se këta shtetas, në bashkëpunim mes tyre, kanë lëshuar vërtetimin nga dokumentat hipotekorë Nr. 40, datë 17.02.2020, në emër të shtetasit F. M., duke kryer veprime të kundërligjshme të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës. Konkretisht, në shkelje të ligjit Nr. 33/2012 “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, neni 3 i tij, i cili parashikon zbatimin e dispozitave të tij për regjistrimin e të gjitha pasurive të paluajtshme që shtrihen brenda territorit, bazuar në akte të fitimit të pronësisë…, të pandehurit në bashkëpunim, kanë kryer veprime konkrete duke pranuar si dokument ligjor një akt-formular (AMTP-në Nr. 9677, datë 07.02.1994) të falsifikuar, përsa i përket sipërfaqes prej 5512 m2, të llojit “Truall”, si dhe Formularin Nr. 6 që bën fjalë për të njëjtën pasuri, edhe ky i provuar i falsifikuar, në emër të shtetasit F. M. Më pas, në bazë  të këtyre formularëve të falsifikuar, të pandehurit Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikokaj kanë nënshkruar vërtetimin nga dokumentat hipotekorë, i cili provon  regjistrimin e pronësisë në një zonë të pamenaxhuar.

Në lidhje me të pandehurin Stavri Mëhilli, nga hetimi penal ka rezultuar plotësisht e provuar se ky shtetas ka përdorur më shumë se një herë dy formularë të falsifikuar. I pandehuri ka paraqitur kërkesë pranë Bashkisë Himarë, më datë 11.03.2019, me objekt “Regjistrimin e pronave të tij që i disponon me AMTP në vendin e quajtur “Llangadhaqa”  dhe “Perivolo”, kundrejt ligjeve në fuqi”. Bashkëngjitur kërkesës, i pandehuri ka bashkëngjitur Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi Nr. 9677, datë  07.02.1994, i cili është provuar të jetë i falsifikuar në përmbajtje, në pjesën që lidhet me pasurinë Nr. 36/36/1, ndodhur në Perivolo, me sipërfaqe 5512 m2, e llojit “Truall”. Po kështu, ky formular (AMTP), referuar aktit të ekspertimit teknik – grafik Nr. 5227, datë 20.06.2023, të kryer nga ana e Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, ka rezultuar të jetë i falsifikuar në nënshkrimin e shtetasit K. Gj., Kryetar  i Komisionit dhe nënshkrimin e shtetasit M. Gj., Përfaqësues i Rrethit në Komision. Ky akt rezulton të jetë ai bazë, i përdorur gjatë gjithë procedurës  së regjistrimit të pasurisë. I pandehuri Stavri Mëhilli, provohet të ketë paraqitur dhe përdorur një formular tjetër i cili është provuar të jetë i falsifikuar. Bëhet fjalë për Formularin Nr. 6 (Lista e Familjeve që morën tokë në pronësi), fshati Gjilek, Rrethi Vlorë. Në këtë formular të paraqitur dhë përdorur nga i pandehuri, i cili ka shërbyer si dokument bazë për regjistrimin e pasurisë të identifikuar me numër 36/36/1, i cili përmban të dhëna të rreme në lidhje me sipërfaqen prej 5512 m2, nga akti i ekspertimit  është provuar të jetë i falsifikuar nënshkrimi i shtetasit K. Gj., Kryetar i Komisionit të tokës në fshat. Përdorimi i këtyre dy formularëve përfshin të gjithë procedurën e ndjekur, duke nisur nga Bashkia Himarë për të përfunduar tek ASHK-ja Vlorë.  Përveç këtyre dy formularëve, i pandehuri Stavri Mëhilli provohet të ketë përdorur më shumë se një herë edhe dy dokumenta të tjerë të falsifikuar, konkretisht shkresën Nr. 1492/2 Prot., datë 22.07.2019, dhe shkresën Nr. 1492/1, Prot., datë 22.07.2019. Këto dokumenta të falsifikuara, rezulton të jenë përdorur pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, si edhe pranë noteres S. H., e cila ka përpiluar kontratën “Premtim Shitje”, me Nr. Rep. 836; Nr. Kol. 559, datë 25.07.2019.

I pandehuri Stavri Mëhilli, provohet gjithashtu të ketë shitur pasurinë e përfituar nga kryerja e veprave penale sipas nenit 186/2 e 190/2, të Kodit Penal, duke qenë në dijeni të plotë të prejardhjes kriminale të saj. Transaksioni është realizuar kundrejt përfitimit financiar dhe transferimi i pasurisë është bërë me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme, formë objektive kjo e kryerjes se veprës penale, e parashikuar në gërmën “a” të paragrafit të parë të nenit 287, të Kodit Penal.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Minella: 22/09/2024 13:46

    Po si behet te mos e prekin fare Artan Gacin? Domethen u zgjua nje dite Goro dhe tha sot do te rregjistroj ne ASHK nje prone te falsifikuar qe te kete mundesi Artan Gace te mare statusin e Investitorit Strategjik dhe te bej nje kompleks Turistik ne Dhermi. Ore keta te Spakut kujt i fusin?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?