Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar sot pas lajmit se Gjykata e Tiranës ka pushuar çështjen për 4 nga 6 të akuzuarit për çështjen "Toyota Yaris" dhe për dy të tjerët akuzat janë sfumuar në 'armëmbajtje pa leje' dhe 'mosdeklarim të ardhurash'.
Për Bardhi këtë vendim e kanë marrë 'gjyqtarët e Taulantit'. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PD e vërteta nuk mund të ndalet dhe 'herët e herët apo vonë, mbështetësit dhe sponsorizuesit e pastrimit të parave të krimit do të përballen me drejtësinë'.
"Njësoj si shefi i tij Edi Rama, Taulant Balla, është i shqetësuar nga procesi demokratik i përzgjedhjes së kandidatëve nga Partia Demokratike. Këta nuk durojnë dot asnjë model europian, si ky që ne zhvilluam dhe u konsiderua risi për të gjithë rajonin.
Ndërsa Edi Rama është i shqetësuar, se e kanë evidentuar si të vetmin Kryetar Partie që kandidatët i përzgjedh me krimin e organizuar, Taulant Balla ka pasur hallin e mbylljes së hetimeve të Toyota Yaris e 3.4 milionë euro të kapura të padeklaruara. Ky është një krim i pazbardhur.
Gjyqtarët e Taulantit mund të pushojnë hetimet, por nuk do munden kurrë të ndalojnë zbardhjen e të vërtetës. Herët apo vonë, mbështetësit dhe sponsorizuesit e pastrimit të parave të krimit do të përballen me drejtësinë.
Shqipëria kërkon një shpresë të re. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që kujdeset për qytetarët e saj - që mposht krimin, ringjall ekonominë dhe kujdeset për jetën dhe shëndetin e qytetarëve", shkruan në Facebook Gazment Bardhi.
Lajmi kryesor:
'Toyota Yaris'/ Pushohet çështja për 4 nga 6 të akuzuarit, si u sfumua 'kali i betejës' së opozitës, nga akuzat për Ballën te dënimi i Bashës
K.T./ReportTv.al