Pasditja e kësaj të hëne u shoqëruar me qarkullim të rënduar automjetesh në Vlorë. Pushuesit të cilët këto ditë po i kalojnë në qytet kanë shtuar ndjeshëm lëvizjen e automjeteve duke shkaktuar trafik në disa akse kryesore rrugore. Akset të cilat paraqiten më problematike përsa i përket trafikut janë Transballkanikja, shëtitorja Lungomare dhe Vlorë-Orikum. Policia rrugore ndërkohë ka dalë në rrugët e qytetit dike bërë rolin e semaforit në kontrollin e qarkullimit në qytet.
Fluksin mendohej që ta lehtësonte Bypass i Vlorës, që u hap me datë 7 korrik. Bajpasi i Vlorës lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë. Gjatësia e këtij aksi është 29 km dhe fillon që nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Bajpasi ka synim të reduktojë mbipopullimin e trafikut në qytetin e Vlorës, si dhe në rrjetin rrugor të bregdetit jugor të Shqipërisë.
Jemi mësuar të shohim kryesisht trafik të rënduar mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës pasi pushuesit kthehen nga plazhi por muaji gusht që sjell fluks të madh emigrantësh e shkakton edhe trafikun e rënduar në Vlorë.