Zbulohen detaje të reja në lidhje me operacionin e përbashkët të Policisë së Tiranës, Europol dhe autoriteteve në Kolumbi për goditjen grupit që trafikonin qenie njerëzore në Shqipëri, Ballkan dhe më gjërë me qëllim prostitucionin e vajzave latine.
Burime bëjnë me dije se gjatë kontrollit në banesën në Kolumbi të Lucas Betancur dhe babait të tij, që konsiderohen si koka e këtij grupi kriminal, janë gjetur kode të Bitcoin, fatura të shumta të tranfertave të parave që dyshohet se vinin nga aktiviteti i prostitucionit. Përllogaritet se nga janari deri më tani janë tranferuar mbi 1 mln euro, kryesisht nga vendet e rajonit dhe nga Shqipëria drejt Kolumbisë. Jo vetëm kaq, por janë zbuluar dhe disa banesa, apo hotele që përdoreshin si fole për prostitucionin në Tiranë për vajzat kolumbiane. Sipas burimeve, mësohet se i njëri prej të arrestuarve, Mirel Shperdheja, është pronar i një agjencie të pronave të paluajtshme, kishte vendosur 15 banesa me Airbnb në dispozicion për prostitucionin.
Foto: Lucas Betancur dhe babai i tij në momentin e arrestimit në shtëpinë e tyre
Kreu i këtij rrjeti të gjerë prostitucioni ishte 25-vjeçari Lucas Betancur, i cili rekrutonte vajza në vendet e Amerikës Latine dhe i dërgonte drejt Shqipërisë, por pa iu treguar arsyen e vërtetë të këtij udhëtimi.
Vetëm kur mbërrinin në vendin tonë, vajzat detyroheshin të prostituonin, e në rast se kundërshtonin, në Kolumbi, Lucas Betancur, kërcënonte familjarët e tyre. Në disa raste, 25-vjeçari u merrte peng motrat ose nënat në Kolumbi, e kështu nën këtë kërcënim për jetën e familjarëve të tyre, vajzat në Shqipëri vijonin të ushtronin prostitucionin jashtë dëshirës së tyre.
25-vjeçari ishte menaxheri kryesor i disa faqeve online të prostitucionit, “Happy Escort” dhe “Euro Girls”, aty ku reklamohen për shërbime seksuale me dhjetëra vajza të kombësive të ndryshme. Në mbëshetje të tij ishte i ati, Mario Betancur, gjithashtu i arrestuar në Kolumbi, i cili dirigjonte rrjetin e trafikut në Europë.
Në vendin tonë, kolumbiani kishte të paktën 7 bashkëpunëtorë, të cilët ranë në pranga në Shqipëri pas një hetimi 8 mujor të Antitrafiqeve të Tiranës dhe autoriteteve kolumbiane.
I arrestuari tjetër Dritan Sukaj 37 vjeç, komunikonte drejtpërdrejt me Lukasin në Kolumbi, ndërkohë që jepte gjithashtu banesa me qira për vajzat që shfrytëzoheshin.
Ilmar Gugashi, 35 vjeç, rezulton pronari i një hoteli në rrugën “Reshit Çollaku”, jo shumë larg Gjykatës së Lartë në Tiranë që shërbente si fole prostitucioni.
Në hotel “Alindro” u gjetën vajza nga Kazakistani, të cilat shfrytëzoheshin nga Assel Adrysheva, 43 vjeç dhe Kejvin Ndreu 25 vjeç. Bashkëpunëtorë të tjerë të kolumbianit, siç është dhe Rostyslav Mieshkov sillnin vajza në Shqipëri edhe nga vendet aziatike.
Prokuroria e Tiranës që udhëhoqi hetimet tha se 2 të tjerë, në Shqipëri janë në “detyrim paraqitje” dhe 2 persona u shpallën në kërkim. 48 vajza të huaja, të cilat u shfrytëzuan për prostitucion, po hetohen në gjendje të lirë.
I arrestuari tjetër Denis Berisha, 39 vjeç, u jepte disa vajzave drogë dhe u siguronte klientë për prostitucion. Kenado Prela, 20 vjeç, i arrestuar më herët gjatë muajit korrik, mblidhte të ardhurat e përfituara nga prostitucioni dhe i transferonte ato në kriptovalutë, në llogaritë e kreut kolumbian të grupit kriminal.
Mario Betancur dhe organizatori i rrjetit të trafikut Lucas Betancur
Ky është momenti që agjentë të policisë kolumbiane dhe shqiptare, bastisin shtëpinë e Lucas Betancur dhe babait të tij, Mario Betancur, në Kolumbi. Report Tv ka siguruar foto të tyre, të kapur në befasi nga autoritetet. Të dy, babë e bir, kishin krijuar një rrjet të madh të trafikimit të vajzave të huaja që i detyronin t'i sillnin në Tiranë dhe shtete të Europës për t'i shfrytëzuar për prostitucion.
Në veçanti, babai merrej me vende të tjera europiane, ndërsa i biri me Shqipërinë. Për zhvillimin e operacionit të përbashkët u kryen 8 muaj hetime nga Antitrafiqet e Tiranës, autoritetet kolumbiane dhe partnerë të tjerë ndërkombëtar.
Komente

FUTINI NE BURG ME NDONJE TE BURGOSUR PERJETE..TA SHIJOJNE DHE KETA LEVEN E MISHIT...
Përgjigju