Sociale

Trafiku ‘dhimbje koke’, Qibini: ARRSH të ndërhynte me kohë! Terminali i Kthesës së Kamzës të zhvendoset në Kombinat, unazë për Elbasanin

9 Qershor, 14:37| Përditesimi: 9 Qershor, 16:53

  • Share

Nëse Policia Rrugore, ajo Bashkiake dhe ARRSH nuk bashkëpunojnë mes tyre për t’u paraprirë problematikave të trafikut rrugor në Tiranë, zonat bregdetare dhe në të gjithë vendin, ‘dhimbja e kokës’ për shoferët dhe udhëtarët do të vijojë. Kështu u shpreh sot në një intervistë për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’, në Report Tv, eksperti i rrugores, Islam Qibini.

I pyetur nga gazetari Nertil Agalliu për shkaqet e trafikut të rënduar, në Tiranë dhe zonat bregdetare, ai renditi disa dhe këshilloi masat për zgjidhjen e problematikave dhe disiplinimin apo lehtësimin e tyre. Ndërsa Report Tv transmetoi edhe pamjet me dron nga qarkullimi rrugor ditën e sotme në kryeqytet, ai bëri edhe disa sugjerime për lehtësimin e situatës.

“Policia Rrugore duhet të bashkëpunojë edhe me Policinë Bashkiake dhe me Autoritetin Rrugor Shqiptar. Autoritetet policore dhe rrugore duhet të bashkëpunojnë me grupet e tjera, si ato të makinave me qira, apo të përqendrojnë shërbimet në pikat ku ka më shumë fluks automjetesh. Kjo është edhe një lëvizje e parakoshme për shkak të ndryshimit të temperaturave të larta menjëherë. Ose lëvizje e mjeteve të caktuara me lëvizje në segmente apo rrugë të caktuara. Sidomos në këtë periudhë, në qershor, për shkak të temperaturave, duhet kufizuar qarkullimi i një kategorie mjetesh të caktuara, të tonazhit të lartë psh.,, sidomos në zonat bregdetare. Por edhe Policia Rrugore të pajiset me motoçikleta, që efektivët të shkojnë më shpejt në vendin e ngjarjes ku ka trafik apo aksident psh. Edhe semaforët duhen riparë, koha e tyre psh.”, tha eksperti për Report Tv.

Qibini foli edhe për kaosin që krijohet në kryeqytet, sidomos në zonën e “Kthesës së Kamzës”, autostrada Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Rinas. Ai këshilloi që patrullat të jenë më aktive në pikat kritike dhe në orarin kur krijohet problematika.

“Tirana e ka problematikën në segmentin rrugor që po riparohet tani, Tiranë-Durrës, te Qafa e Kasharit, apo Tiranë-Rinas. Duhet paraprirë, sidomos punonjësit e qarkullimit në orët e para të mëngjesit, ta disiplinojnë sa më shumë të jetë e mundur. Ka orë të caktuara në Tiranë ku krijohet trafiku, nuk është gjithë kohën. Psh., koha e vajtjes në punë dhe shkollë e fëmijëve. Në oraret me fluks duhen përqëndruar shërbimet e Rrugores dhe Bashkiake për t’i paraprirë fluksit. Kjo gjendje është, këtë infrastrukturë kemi, thjesht në oraret e pikut duhet vepruar me shërbime”, shpjegoi ai.

Por trafik i rënduar krijohet edhe në zonën e Elbasanit. Eksperti sugjeroi që ARRSH duhet të nisë të mendojë për një unazë të madhe në atë zonë, që lidh qytetet mes tyre, për të shmangur rëndimin e trafikut. Madje edhe mbikalimi dhe nënkalimi i Durrësit në zonën e Plepave nuk i përgjigjet dot fluksit gjatë sezonit veror sipas ekspertit, pasi infrasktruktura rrugore nuk është e përshtatshme.

Ai këshilloi ndalimin e qarkullimit të mjeteve të tonazhit të lartë në oraret e ditës dhe zhvendosja e tyre gjatë natës, sikurse edhe kamionëve dhe mjeteve të transportit ushqimor për njësi tregtare.

“Edhe në Bradashesh krijohet ky gtrafik në një segment të caktuar, edhe aty duhet ndërhyrë me shërbime rrugore për t’i paraprirë. Edhe pse duhet thënë se aksi që lidh Tiranën me Elbasanin, Peqinin apo Rrogozhinën, kërkon një unazë të madhe lidhëse e që lehtëson trafikun. Rruga e Durrësit krijon probleme te zona e nënkalimit dhe mbikalimit të Plepave. Kjo infrastrukturë rrugore nuk siguron plotësisht lëvizjen e fluksit të madh të mjeteve. Ndaj duhet kufizuar lëvizja e disa mjeteve të tonazhit të lartë në oraret e pikut”, tha Qibini.

Për Tiranën eksperti sugjeroi zhvendosjen e terminalit nga Kthesa e Kamzës drejt Kombinatit, teksa theksoi se ARRSH është e vonuar me rikonstruksionin e rrugës së Ndroqit, punimet e të cilës kanë filluar.

“Por në Tiranë psh., kërkohet edhe një terminal për Shqipërinë e Mesme dhe Jugun, duke lehtësuar shumë trafikun, duhet t’i jepet përparësi edhe rrugës së Ndroqit, sepse e lehtëson trafikun, edhe pse ajo ka një afat deri në 2027 dhe do ketë problematika. Moshat e reja krijojnë edhe flukse artificiale me shpejtësinë apo parakalimet e tyre, duke krijuar problematikë në segmente të caktuara ku edhe nuk durohet, duhet vepruar më fortë nga policia për këto raste. Edhe ARRSH duhet t’i japë prioritet rrugëve apo zonave më problematike. Rruga e Ndroqit ku kanë filluar punimet do e lehtësojë më shumë situatën, edhe pse duhet të kishte filluar më para. Ajo e lehtëson së tepërmi situatën e qarkullimit edhe në zonën e Kthesës së kamzës apo sheshi Shqiponja.  Kamerat që do vendosen do lehtësojnë shumë disiplinimin jo vetëm të trafikut, por edhe të rënies së aksidenteve dhe do japi rezultate pozitive si nismë”, shpjegoi eksperti rrugor.

Por ai i qëndroi teorisë që duhej kthyer në praktikë, ku patrullimi me forca të shtuara në pikat kritike, zhvenosja e mjeteve të tonazhit të rëndë drejt orareve të natës dhe një terminal për jugun në Kombinat, do lehtësonin ndjeshëm qarkullimin në Tiranë dhe kudo në Shqipëri.

“Një pjesë e mjeteve duhet të lëvizin pas orës 22:00 të mbrëmjes, kryesisht ato të tonazhit të lartë, ku patjetër duhet të merren masa dhe të qarkullojnë vetëm në orët e vona të natës dhe deri në mëngjes. Disa masa duhet të merren, për t’i paraprirë kësaj situate. Por patjetër që Bashkia duhet të bëjë edhe një studim për zhvendosjen e terminalit të mjeteve të transportit drjet jugut, që të zhvendoset nga Kthesa e Kamzës për në Kombinat”, përfundoi Qibini.

Kujtojmë që mijëra pushues nga Shqipëria e Kosova, të cilët kaluan fundjavën në plazhet e Shëngjinit e Velipojës u përballën pasditen e së dielës me një trafik kilometrik, në rrugën e kthimit. Afro 9 orë për të përshkuar vetëm 20 kilometra, në segmentin “Balldre-Milot”.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si iu duket situata e trafikut në vend?