Trafiku i drogës: Grupet kriminale shqiptare konkurruese me drogën e cilësisë së lartë! Aktive në tregun e BE-së e Britani! Porti i Durrësit mbetet pikë tranziti

4 Prill, 17:22| Përditesimi: 4 Prill, 18:00

  • Share

Foto: Rrugët e trafikimit të kokainës nga Amerika e Jugut

Nga analiza vitit 2023 SPAK evidenton se grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri kanë dhe shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe.

Janë dy lloje kategorish grupesh kriminale, që ushtrojnë këtë aktivitet kriminal:
1- grupet kriminale të specializuar në trafikun e kokainës
2- grupet kriminale të cilët merren me trafikun e të gjitha drogave kryesore (kokainë, heroinë, marijuanë dhe hashash).

Ato janë aktive në tregjet kriminale të BE-së, Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor, në bazë të porosive, ose degëve të tyre në tregjet kriminale të mësipërme. Ndërsa kanë një prezencë ose lidhje të fortë në rrethin e Durrësit për shkak dhe të portit, i cili ka qenë dhe vijon të mbetet një pikë tranziti për drogën, që vjen nga Ballkani Lindor dhe shkon drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.

Jo vetëm kaq cilësia e drogave që ata trafikojnë është shumë e lartë duke qenë në avantazh konkurrues ndaj grupeve kriminale të kombësive të tjera.

Pjesë nga Raporti i SPAK

Këta grupe janë aktive në tregjet kriminale të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, kryesisht Itali, Belgjikë, Holandë, Spanjë, Greqi dhe Gjermani.

Grupet kriminale të cilat merren me trafikimin e të gjitha drogave kryesore:
Këto grupe janë aktive në tregjet kriminale të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, kryesisht Itali, Belgjikë, Holandë, Spanjë, Greqi dhe Gjermani.

Vihet re se, këto grupe kriminale kanë një prezencë ose lidhje të fortë në rrethin e Durrësit. Për shkak të portit më të madh në vend, qyteti i Durrësit ka qenë dhe vijon të mbetet një pikë tranziti për drogën, që vjen nga Ballkani Lindor dhe shkon drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.

 Grupet kriminale të kësaj kategorie trafikojnë sasi të konsiderueshme kokaine dhe marijuane, por më pak sasi heroine.
 

Ajo që duhet nënvizuar është se, cilësia e drogave të trafikuara nga këto grupe kriminale është e një cilësie të lartë, gjë e cila është edhe një avantazh konkurrues i tyre ndaj grupeve kriminale të kombësive të tjera.

 Duke u nisur nga mesatarja e anëtarësisë së grupeve kriminale shqiptare, këto grupe mund të kategorizohen si grupe me numër të lartë anëtarësh. Mesatarja e anëtarësisë së këtyre grupeve është mbi 20 persona. Këto grupe kriminale dallohen gjithashtu edhe për jetëgjatësinë e aktivitetit të tyre kriminal, i cili nga momenti i fillimit të aktivitetit kriminal deri në arrestimin e tyre mund të shkojë mesatarisht deri në 7 vite.

 Të tilla grupe kriminale operojnë me një strukturë gjysmë hierarkike, ku drejtuesi i lejon anëtarëve me role kyçe të organizatës të kenë autonomi në vendimmarrjen brenda funksioneve dhe nën strukturave që ata drejtojnë.

Kryesisht drejtuesi, përfaqëson dhe drejton organizatën, kurse anëtarët e tjerë kyç përfshihen në koordinim, transport, trafikim, rekrutim dhe korruptim të zyrtarëve publik, për të pasur akses në pikat hyrëse dhe pritëse të sasive të narkotikëve dhe për të neutralizuar agjencitë ligjzbatuese.

Nga ana tjetër, edhe grupe të tjera kriminale të cilat nuk përfshihen në trafikun e narkotikeve, siç është rasti i “call center” apo i trafikimit të mallrave të kontrabanduara, rezultojnë të jenë shumë të sofistikuar, madje, shumë më të avancuar në teknikat e fshehjes së aktivitetit të tyre kriminal, kjo për vetë natyrën e aktivitetit të tyre, i cili mbështetet në përdorimin e gjerë të teknologjisë.

Grupet kriminale të specializuara në trafikun e kokainës: Grupet kriminale të kësaj kategorie janë kryesisht grupe të përqendruara në Amerikën e Jugut. Më pas, nëpërmjet lidhjeve me grupet kriminale shqiptare, të cilat janë aktive në tregjet kriminale të BE-së, Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor, në bazë të porosive, ose degëve të tyre në tregjet kriminale të mësipërme, marrin përsipër sigurimin dhe sjelljen e sasive të konsiderueshme të kokainës me shumicë dhe të një cilësie shumë të pastër.

Disa nga portet hyrëse të kokainës në tregjet kriminale të BE-së, të cilat janë përdorur nga grupet kriminale shqiptare janë: Gioia Tauro (Itali), Roterdam (Hollandë), Antëerp (Belgjikë), Algeciras (Spanjë), Pire (Greqi) dhe në rajon (Durrës dhe Tivar). Janë evidentuar edhe rrugë ajrore, siç është rasti i aeroportit të Frankfurtit në Gjermani. Më pas sasitë e kokainës përzihen kryesisht në Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe në vendet ku trafikohen për t'u transferuar më pas në tregun e shitjes me pakicë" thuhet në raportin e SPAK faqe  27

Tregjet kriminale ndërkombëtare

SPAK identifikon dhe pozicionin e grupeve kriminale shqiptare nëpër tregjet e botës të trafikut të drogës

Amerika e Jugut
Siç edhe u citua më lart, grupet kriminale janë të pozicionuara në Amerikën e Jugut ku më pas, përmes lidhjeve me grupet kriminale shqiptare të aktivizuara në tregjet kriminale të BE-së, Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor, ato arrijnë të eksportojnë sasi të konsiderueshme të narkotikëve dhe të një cilësie të lartë për grupet shqiptare, por dhe ato të kombësive të tjera. Këto grupe kriminale kanë arritur të pozicionohen mjaft mirë në disa shtete të Amerikës së Jugut dhe me sukses po konkurrojnë edhe organizatat kriminale vendase. Vihet re se, grupet kriminale shqiptare, kanë arritur të korruptojnë dhe të kenë akses në nivele të larta qeverisëse, të korruptojnë segmente të agjencive ligjzbatuese dhe të krijojnë mekanizma mbrojtës efektiv.

Bashkimi Evropian
Grupet kriminale shqiptare janë mjaft aktive në tregjet e trafikut të narkotikëve në BE, kryesisht në trafikun e kokainës, heroinës, marijuanës dhe hashashit, por dhe në tregje të tjera kriminale si, në trafikimin e mallrave të kontrabanduar dhe kryerja e transaksioneve me anë të mashtrimit kompjuterik (call center).

Itali
Grupet kriminale shqiptare janë aktive thuajse në të gjitha rajonet e Italisë, dhe nga hetimet e kryera në bashkëpunim me agjensitë partnere, gjatë vitit 2023 janë evidentuar aktivitete kriminale, të cilat kryheshin në Puglia, Toskana, Lombardi, Piemonte dhe Friuli-Venecia Giulia.

Beneluks
Edhe gjatë vitit 2023, janë evidentuar aktivitete të grupeve kriminale shqiptare në Belgjikë dhe Holandë. Ajo që vihet re është se, këto grupe kanë lidhje ose janë zgjatues të grupeve kriminale shqiptare, të cilët janë rezident në Amerikën e Jugut dhe i përdorin portet e zonës së Beneluksit për të trafikuar më pas kokainën në BE dhe Britaninë e Madhe. Vihet re gjithashtu se, grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë aktive edhe në rritjen e plantacioneve me kanabis, kryesisht në Belgjikë, në zonat Saint-Josse-Ten-Noode dhe Antwerp. Në Holandë, grupet kriminale shqiptare janë më aktive në Roterdam, për shkak edhe të portit më të madh hyrës në Beneluks.

Francë
Sipas hetimeve të përfunduara në vitin 2023, u evidentua një grup kriminal shqiptar me një strukturë të organizuar dhe të sofistikuar, i cili operonte në territorin e Francës dhe Shqipërisë në trafikimin e mallrave të kontrabanduara dhe pastrimin e parave. Struktura e këtij grupi kriminal tregon se, edhe tregjet kriminale në Francë përbejnë interes për grupet kriminale shqiptare. Vihet re se, territori i shtetit francez është shfrytëzuar gjithashtu si një vend strehimi nga drejtues të organizatave kriminale të rëndësishme, të cilët i janë fshehur ndjekjes penale në Shqipëri.

Spanjë
Një vend tjetër i BE-së, ku grupet shqiptare kanë qënë aktive është edhe Spanja. Gjatë vitit 2023, janë evidentuar grupe shqiptare të përfshira kryesisht në trafikun e kanabisit dhe në fushën e kryerjes së transaksioneve me anë të mashtrimit kompjuterik. Spanja ka shërbyer gjithashtu, si një nga pikat kyçe të lëvizjes së kokainës nga Amerika e Jugut për në tregjet kriminale të BE-së. Kryesisht grupet shqiptare garantojnë sjelljen e sasive të kokainës nga Ekuadori në portet e Spanjës, (p.sh. portin e Algeciras), duke e fshehur atë në ngarkesa produktesh të ndryshme (p.sh. frutash ekzotikë, banane, peshk etj.). Spanja është një ndër vendet, ku gjithashtu, grupet kriminale shqiptare, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, po investojnë në pastrimin e produkteve kriminale.
 

Gjermani
Grupet kriminale shqiptare janë aktivë në trafikun e narkotikëve dhe kryesisht atë të kokainës. Nënvizohet se, një ndër portat hyrëse të sasisë të kokainës është dhe aeroporti i Frankfurtit. Gjermania përveç importit të kokainës dhe heroinës, vijon të shërbejë edhe si destinacion i

përzierjes së drogave të forta, të cilat trafikohen më pas në të gjithë BE-në. Vihet re gjithashtu se, ndër viktimat kryesore të aktivitetit kriminal të transaksioneve me anë të mashtrimit kompjuterik janë edhe shtetas gjerman.

Vendet skandinave
Një tendencë e rëndësishëm e shtrirjes së aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare në BE, janë dhe vendet skandinave. Grupet kriminale shqiptare në këto vende janë poli-kriminale, por më shumë të fokusuara në trafikun e narkotikëve (kokainë dhe marijuanë) duke u vendosur në një prej këtyre shteteve, siç është Danimarka dhe duke e shtrirë aktivitetin e tyre më pas edhe në tregjet kriminale të Norvegjisë dhe Suedisë. Kryesisht, struktura drejtuese e grupeve që operojnë në këto tregje është hierarkike dhe bazohet në lidhjet familjare dhe shoqërore të cilët kanë funksione vendimmarrëse në organizatë dhe mbikëqyrin anëtarët e tjerë me role dytësore.

Britani e Madhe
Grupet kriminale shqiptare kanë një aktivitet të konsiderueshëm, kryesisht në fushën trafikut të kokainës dhe kanabisit në Britaninë e Madhe. Mendohet se, disa nga këto grupe kriminale mund të konsiderohen ndër ato grupe që kanë influencë shumë të rëndësishme në tregun e kokainës në këtë vend. Në vitet e fundit, grupet kriminale shqiptare janë përfshirë edhe në rritjen e kanabisit në të ashtuquajturat "shtëpitë e barit”, ku bëjnë pjesë një numër i konsiderueshëm të rinjsh. Ajo që është vënë re, nga rastet që ka ndjekur Prokuroria e Posaçme, është rritja e përdorimit të dhunës së grupeve kriminale të përfshirë në rritjen e kanabisit, qoftë në rastin e grabitjeve, por dhe në atë të larjes së hesapeve.

Lindje e Mesme
Vihet re, një prirje e grupeve kriminale shqiptare në zgjerimin e hartës së tyre të tregjeve kriminale edhe në Lindjen e Mesme. Kështu, në të paktën një rast, hetimet treguan se grupi kriminal shqiptar kishte siguruar "kokainë”, “heroinë”,“marijuanë” dhe “risinë”, në Siri, Turqi dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, për ti trafikuar ato më pas drejt Shqipërisë dhe nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Italisë e vendeve të tjera të BE-së.

Rajoni
Grupet kriminale shqiptare po përdorin disa porte si pika kyçe hyrëse të kokainës, e cila vjen nga Amerika Latine për të hyrë në rajon dhe për t'u transportuar më pas në BE. Në hetimet e vitit 2023 është evidentuar se, kokaina vjen me kontenier e fshehur në ngarkesa të ndryshme si p.sh. “pleh organik", e cila transportohet nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut, në Greqi, në drejtim të Portit të Tivarit, në Malin e Zi. Ngarkesat futen në Shqipëri nëpërmjet transportit në rrugë tokësore , për t'u marrë më pas nga personat e specializuar të transportit dhe magazinimit të kokainës, për të bërë ekstraktimin e saj, duke ruajtur pastërtinë maksimale. Vihet re se, Porti i Durrësit po përdoret edhe nga grupe kriminale të Maqedonisë së Veriut për trafikimin e sasive të konsiderueshme të kokainës në Itali dhe më pas në shtete të tjera të BE-së. Zhvillimi i linjave të reja të kokainës nëpërmjet Shqipërisë nga grupet kriminale të Maqedonisë së Veriut tregon se, për këtë trafik po përdoren linja që dikur njiheshin si rrugët e trafikut të heroinës.


Lajmi kryesor:

Raporti i SPAK: Veçoritë e grupeve kriminale shqiptare nga Shkodra, në Vlorë! Harta ku veprojnë! Të përfshirë dhe biznesmenë të fuqishëm, lidhje me policë e funksionarë të drejtësisë


S.G/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?