Kronikë

'Mbretërit' e kokainës në Evropë/ SPAK zbulon rrjetin me biznesmenë e kriminelë, trafikuan 6 ton drogë! 6 në pranga, mes tyre 'bosi' i 'Cincos', u kapën në Palasë

26 Korrik, 15:08| Përditesimi: 26 Korrik, 22:40

  • Share

Një organizatë e sofistikuar kriminale e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës, dhe që drejtohej nga shqiptarë, është goditur nga Prokuroria e Posaçme pas një hetimi edhe me autoritetet të huaja ligjzbatuese. Sipas SPAK, rrjetit ndërkombëtar të trafikut të drogës, i përbërë nga 16 anëtarë të cilët janë identifikuar që të gjithë dhe janë nën hetim, i janë sekuestruar mbi 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme nxorri 7 urdhër-arreste, prej të cilëve u arrestuan 6 persona ditën e premte (25 Korrik), ndërsa personi i 7-të është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në pranga janë vënë vëllezërit biznesmenë Artur dhe Klevis Hoxhosmani, biznesmeni Ermir Ndrejaj, Ilir Lloshaj, ndërsa dy kriminelëve Erion Alibej dhe Palurent Dervishajt iu komunikua masa nga qelia, pasi të dy ndodhen në paraburgim nën akuzë për dosjen Plumbi i Artë. SPAK thotë se gjatë aksionit për arrestimin e Artur Hoxhosmani, në banesën e tij u gjetën edhe 3 pistoleta pa leje.

Emri i Ermir Ndreajt është jo pak i njohur për jetën e tij luksoze, pasi është pronar i disa kompanive dhe restoranteve të luksit. Ai ka qenë pronar i “Cinco Cavalli”, një ndër klubet më të njohura të jetës së natës. Ndreaj u prangos në Palasë, teksa shijonte rrezet e diellit në një skaf luksoz. Pas arrestimit, policia ushtroi kontrolle në vilën e tij në jug dhe në një apartament luksoz në një zonë rezidenciale në Tiranë.

Po në Palasë u arrestuan edhe vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, ndërsa Ilir Lloshaj u kap në Elbasan. Ndërkohë, Klevis Hoxhosmani përflitet në  media për lidhjen e tij me Kejda Ajazin, vajza e ish-deputetes Majlinda Bregu, por ky detaj nuk është konfirmuar nga Shqiptarja.com. Kejda Ajazi është përfolur dhe më parë në media për jetën luksoze në Dubai e Monaco.

1 është në kërkim dhe dyshohet se fshihet në Dubai. Nga ky shtet i konsideruar deri dje si streha e krimit shqiptar, dyshohet të jetë koordinuar i gjithë aktiviteti i trafikut të drogës në Evropë, ku në vitet 2020-2021 gjendet edhe një pjesë e personave të arrestuar, siç është Plaurent Dervishaj, i ekstraduar në Shqipëri vetëm verën e kaluar. 

Rrugët e trafikut të drogës

Prokuroria e Posaçme thotë se grupi i strukturuar kriminal vepronte nëpërmjet një organizimi të sofistikuar kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt disa prej vendeve të Bashkimit Evropian si dhe në Britaninë e Madhe.

Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta në Kolumbi ose nga Ekuadori dhe transportohej me konteinerë detarë drejt porteve të mëdha si Anversi në Belgjikë dhe Rotterdami në Holandë, apo në rrugë tokësore drejt Francës dhe përmes Kanalit për në Mbretërinë e Bashkuar. Në disa raste, ngarkesat shkarkoheshin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës.

Hetimi ka qenë kompleks dhe është kryer nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Adnan Xholi, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin e koduar “Sky Ecc”. Anëtarët e organizatës kriminale e fshihnin kokainën në paleta me dru kur transportohej përmes Belgjikë e Francës, në kuti me banane dhe në thasë me kokrra kakaoje kur ngarkesa kalonte në Rotterdam dhe zona të tjera të Holandës.

Në krye këtij grupi kriminal qëndronin drejtuesit dhe financuesit të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike. Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e operacioneve. Shumica e tyre, sipas SPAK, jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai.

Ndërsa bashkëpunëtorët e grupit kriminal siguronin logjistikën dhe transportin. Ata gjenin kompani legjitime eksporti ose transporti, kontraktonin shoferë të huaj dhe përgatisnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshëm si lëndë drusore apo kakao. Përmes tyre kalonin tonelata me lëndë narkotike drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo kalimeve tokësore drejt Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në terren, në vendet e destinacionit, funksiononte hallka e shpërndarjes. Këtu përfshiheshin persona që prisnin sasitë e drogës, siguronin dorëzimin, dhe shpërndanin lëndën narkotike sipas porosive lokale. Këta ishin krahu ekzekutiv i rrjetit në Britaninë e Madhe dhe Evropën Perëndimore.

Prokuroria e Posaçme ka zbuluar se anëtarët e grupit kriminal kishin akses në infrastrukturën doganore në vendet e BE-së përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli. Për SPAK, mbeten ende të paidentifikuar personat përgjegjës në vendet e Amerikës Latine që kishin për detyrë të siguronin dhe dërgonin kokainën drejt porteve të Evropës.

Episodet e trafikut të drogës, që janë goditur në BE

Gjatë hetimeve për goditjen e grupit kriminal, SPAK ka evidentuar 9 episode kur kësaj organizate i janë kapur ngarkesa me drogë në shtete të ndryshme të Europës. Në 5 raste janë goditur ngarkesat e kokainës (Spanjë 20202, Belgjikë 2020, në Kanalin e Lamanshit në vitin 20202 që lidh Francë-Britani, Holandë në Qershor 2020 e Tetor 2020)

Ndërsa në 3 raste të tjera janë sekuestruar ngarkesa me kanabis (Rimini në Itali 2020, Bari në Itali 2021, Spanjë 2020). Ndërsa në një rast të fundit, në shkurt të vitit 2020 në Francë, anëtarëve të kësaj organizate ju sekuestrua një automjet dhe një shumë parash prej 72 mijë Euro cash.

Transfertat e parave

Për transferimin e parave, edhe ky grup kriminal kishte përdorur sistemin informal Haëala, duke shmangur sistemin bankar, dhe transferonin shuma të mëdha në vende të ndryshme.

Verifikimi i shumave të parave bëhej përmes kartëmonedhave të koduara, ku ishin shënuar pseudonime, shumat e pagesave dhe datat specifike që funksiononin si “token” për të garantuar tërheqjen e saktë të shumës në pikën përkatëse.

Gjatë finalizimit të aksionit të SPAK janë sekuestruar 43.470 Euro, 5 mijë Franga zvicerane, 3 makina, 1 skaf luksoz i vitit 2025 i regjistruar në emër të një biznesi, 3 pistoleta, 2 ora luksoze Rolex e Richard Mille, 16 celularë, karta banke e dokumente transaksionesh financiare.

Masat e sigurisë
Ermir Ndreaj 
Artur Hoxhosmani 
Klevis Hoxhosmani
Ilir Lloshaj
Plaurent Drevishaj
Erion Alibej
Cfarë u sekuestrua?
43,470 €
5,000 Franga zvicerane
3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volkswagen Sharan.
1 skaf luksoz i markës “Hull Works Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar.
3 pistoleta, me krehër dhe fishekë.
1 orë Rolex, model 126613LN
1 orë Richard Mille, model Mclaren RM50-03/68
16 aparate celularë, kryesisht të markës iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive.
19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim.
Dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama.
1 dron i markës DJI Mavic 2 Enterprise, me të gjithë aksesorët përkatës.
8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili.
1 NVR Hikvision.
2 radio komunikimi Baofeng.
Patentë dhe karta identiteti nga autoritete të Shqipërisë, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar.
Leje drejtimi dhe dokumente lundrimi për mjetet lundruese.
Certifikata pronësie, dokumente noteriale, kontrata shitblerjeje dhe deklarime të pasurisë.

Ora 22:36
Po shijonin rrezet e diellit me skaf në Palasë, si u kapën biznesmenët e përfshirë në grupin e trafikut të drogës! Makina luksi, skaf, orë e armë, fotot çfarë u sekuestrua

Biznesmeni Ermir Ndreaj ishte duke shijuar rrezet e diellit në një skaf luksoz në zonën e Palasës, kur efektivët e policisë i shkuan papritur për ta arrestuar. Skafi luksoz është vënë në sekuestro nga policia, pas këtij aksion që çoi në goditjen e grupit kriminal të trafikut të drogës, ku ishin të përfshirë edhe biznesmenë. Pas arrestimit, policia ushtroi kontrolle në vilën e Ndreajt në jug dhe në një apartament luksoz në një zonë rezidenciale në Tiranë

Po në Palasë u arrestuan edhe vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, ndërsa Ilir Lloshaj u kap në Elbasan. SPAK ka sekuestruar 3 makina luksi, njëra prej të cilave Mercedes Benz AMG G63 ose e njohur si G Class, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volksëagen Sharan.

Po ashtu, u sekuestruan këto ora luksi që shihni në fotot më poshtë, 1 orë Rolex, model 126613LN, 1 orë Richard Mille, model Mclaren RM50-03/68 dhe 3 pistoleta, me krehër dhe fishekë.

Ora 17:37
Me duart pas shpine në pranga dhe kokat ulur, Policia ndan pamjet e operacionit  të arrestimit të 6 personave! Pistoletë, makina dhe ora luksoze (VIDEO)

Këto janë pamjet e operacionit të SPAK dhe Policisë së Shtetit për arrestimin e 6 prej të dyshuarve të dosjes së bujshme të trafikut të 6 tonëve kokainë me vlerë 411 mln euro nga Amerika Latine për tregun e Europës dhe më gjerë.

Me kokat ulur, pranga në duart e vendosura pas, dhe të mbajtur nga efektivë specialë, njëri pas tjetrit janë futur në dhomat e izolimit në Polici, ku do i nënshtrohen hetimeve të mëtejshme. Hetimi u krye në bashkëpunim me vende partnere.

Policia ndau pamjet edhe për sekuestrimet, ku bien në sy mjetet luksoze të parkuara jashtë dhe brenda ambienteve në pronësi të të arrestuarve, një pistoletë dhe ora luksoze.

Sipas SPAK, rrjetit ndërkombëtar të trafikut të drogës, i përbërë nga 16 anëtarë të cilët janë identifikuar që të gjithë dhe janë nën hetim, i janë sekuestruar mbi 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme nxori 7 urdhër-arreste, prej të cilëve u arrestuan 6 persona ditën e premte (25 Korrik), ndërsa personi i shtatë është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në pranga janë vënë Artur Hoxhosmani., Klevis Hoxhosmani, Ermir Ndrejaj, Erjon Alibej (i arrestuar më herët), Plarent Dervishaj (i arrestuar më herët) dhe Ilir Lloshaj. Në kërkim është shpallur D.P., i cili ka edhe dy identitete të tjera (D.B. alias E.S.). SPAK thotë se gjatë aksionit për arrestimin e Artur Hoxhosmani, në banesën e tij u gjetën edhe 3 pistoleta pa leje.

Njoftimi i SPAK:

SPAK godet një rrjet ndërkombëtar droge – mbi 6 ton lëndë narkotike të sekuestruara me vlerë tregu prej 411 milionë eurosh, 16 persona nën hetim

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme), me vendimin e datës 15.05.2024, ka vendosur ndarjen e akteve nga procedimi penal nr. 184/1 i vitit 2021 dhe regjistrimin e procedimit penal nr. 184/3 i vitit 2024, ndaj 9 (nëntë) shtetasve të dyshuar: P. D., J. M., B. P., A. (alias D.,) Sh., R. Rr., G. (alias K., alias E.,) N., E. S., B. H., dhe J. P., për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” (neni 283/a/1 dhe neni 28/4), “Grupi i strukturuar kriminal” (neni 333/a), si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” (neni 334) të Kodit Penal.

Në vijim të hetimeve, gjatë muajit korrik 2025, janë identifikuar dhe përfshirë në procedim edhe 6 (gjashtë) persona të tjerë: A. H., K. H., E.N., E. A., P.D. dhe I. Ll., të cilët dyshohen se janë përfshirë në disa episode të trafikimit të drogës. Edhe këta shtetas dyshohen për të njëjtat vepra penale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim me autoritetet Evropiane të drejtësisë, Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe gjatë fazës së ekzekutimit me strukturat e hetimit në Policinë e Shtetit.

Prokuroria e Posaçme ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 7 (shtatë) personave në hetim, kërkesë e cila është miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (Gjykata e Posaçme) me vendimin nr. 77, datë 25.07.2025, duke vendosur masën “arrest në burg”, bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.

Vendimi u ekzekutua menjëherë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Më datë 25.07.2025 u bë e mundur arrestimi i gjashtë personave në hetim:

A. H.

K. H.

E.N.

E. A.

P. D.

I. Ll.

Gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat është arrestuar në flagrancë.

Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim, dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për interesat e hetimit,  Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona.

Deri në këto momente janë ekzekutuar 5 vendime të Gjykatës së Posaçme, dhe janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat ndër të tjera janë sekuestruar sende dhe materialet e mëposhtme:

Shuma monetare në total:

Euro: 43,470 €

Franga zvicerane: 5,000 CHF

Automjete:

3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volksëagen Golf 7a, dhe një Volksëagen Sharan.

Mjet lundrues:

1 skaf luksoz i markës “Hull Ëorks Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar.

Armë zjarri:

3 pistoleta, me krehër dhe fishekë.

Ora të luksit:

1 orë Rolex, model 126613LN

1 orë Richard Mille, model Mclaren RM50-03/68

Telefona celularë:

16 aparate celularë, kryesisht të markës iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive.

Karta bankare dhe dokumente financiare:

19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim.

Dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama.

Pajisje elektronike:

1 dron i markës DJI Mavic 2 Enterprise, me të gjithë aksesorët përkatës.

8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili.

1 NVR Hikvision.

2 radio komunikimi Baofeng.

Dokumentacion identifikimi dhe pronësie:

Patentë dhe karta identiteti nga autoritete të Shqipërisë, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar.

Leje drejtimi dhe dokumente lundrimi për mjetet lundruese.

Certifikata pronësie, dokumente noteriale, kontrata shitblerjeje dhe deklarime të pasurisë.

 Etj.

Episodet të trafikut të drogës

Bazuar në informacionin hetimor të mbledhur nga Prokuroria e Posaçme, aktiviteti i këtij grupi të strukturuar kriminal për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike është konkretizuar përmes një sërë episodesh të zhvilluara kryesisht gjatë periudhës 2020–2021 në disa shtete të Bashkimit Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Episode të sekuestrimi të kokainës

Spanjë – shkurt 2020
Sekuestruar 400 kg.

Belgjikë – prill 2020
Sekuestruar 989.1 kg.

Kanali (Francë – Mbretëri e Bashkuar) – prill 2020
Sekuestruar 250 kg në një ngarkesë me destinacion Britaninë e Madhe.

Holandë – qershor 2020
Sekuestruar mbi 2000 kg kokainë. Vlera tregu e kësaj sasie llogaritet mbi 151 milionë euro (Burimi: https://www.ad.nl/rotterdam/douane-vindt-2020-kilo-cocaine-met-een-ëaarde-van-ruim-151-miljoen-euro-tussen-bananen )

Holandë – tetor 2020
Sekuestruar 1484.07 kg.

Episode të sekuestrimit të hashashit

Rimini, Itali – korrik 2020
Sekuestruar 275 kg.

Bari, Itali – mars 2021
Sekuestruar 400 kg.

Algeciras, Spanjë –mars-shtator 2020

Sekuestruar rreth 1442 kg, ku 170 kg dyshohet se ishin për llogari të të hetuarve.

Episode të tjera

Francë – shkurt 2020
Sekuestruar një automjet dhe 72,000 euro cash.

Modus Operandi

Ky grup i strukturuar kriminal vepronte nëpërmjet një organizimi të sofistikuar kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt disa prej vendeve të Bashkimit Evropian si dhe në Britaninë e Madhe.  Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta (Kolumbi) ose Ekuadori dhe transportohej me kontejnerë detarë drejt porteve të mëdha si Anvers (Belgjikë), Rotterdam (Holandë), apo në rrugë tokësore drejt Francës dhe përmes Kanalit (Channel Tunnel) për në Mbretërinë e Bashkuar. Në disa raste, ngarkesat shkarkoheshin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës.

Sipas prokurorëve të çështjes, z. Altin Dumani dhe z. Adnan Xholi:

“Struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare, aftësitë dhe shtrirjen e tyre në tregje kriminale ndërkombëtare.”

Transporti i drogës karakterizohej nga metoda të sofistikuara fshehjeje dhe një logjistikë e mirëorganizuar ndërkombëtare. Për fshehjen e drogës përdoreshin mënyra të ndryshme, si për shembull fshehje në paleta me dru (Belgjikë, Francë), kuti me banane (Holandë) dhe thasë me kokrra kakaoje (Rotterdam), duke e maskuar kështu si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor.

Organizimi i grupit ishte hierarkik dhe i ndarë në role të specializuara. Në krye këtij grupi kriminal qëndronin drejtuesit dhe financuesit të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike. Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e operacioneve, duke lidhur burimin e drogës në Amerikën Latine me tregjet evropiane përmes një zinxhiri të sofistikuar ndërmjetësimi. Shumica e tyre jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Poshtë tyre vepronin bashkëpunëtorë që siguronin logjistikën dhe transportin. Këta persona gjenin kompani legjitime eksporti ose transporti, kontraktonin shoferë – shpesh shtetas rumunë – dhe përgatisnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshëm si lëndë drusore apo kakao. Përmes tyre kalonin tonelata me lëndë narkotike drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo kalimeve tokësore drejt Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në terren, në vendet e destinacionit, funksiononte një tjetër hallkë e grupit – ajo e shpërndarjes. Këtu përfshiheshin persona që prisnin sasitë e drogës, siguronin dorëzimin, dhe shpërndanin lëndën narkotike sipas porosive lokale. Këta ishin krahu ekzekutiv i rrjetit në Britaninë e Madhe dhe Evropën Perëndimore.

Në origjinën e ngarkesave, në vendet e Amerikës Latine, qëndronin persona të paidentifikuar që shërbenin si pika kontakti. Ata ishin përgjegjës për sigurimin, ambalazhimin dhe dërgimin e drogës drejt porteve evropiane.

Gjithçka mbahej në kontroll nëpërmjet një komunikimi të koduar, aplikacionit Sky/ECC. Përdoruesit mbuloheshin pas pseudonimesh dhe kodeve PIN, që garantonin anonimitetin dhe shmangien e përgjimeve. Komunikimet përfshinin planet për dorëzime, paralajmërime për kontrolle doganore dhe udhëzime për mënyrën e reagimit në rast sekuestrimesh. Në raste dyshimi, telefonat fshiheshin, shkatërroheshin ose hidhnin për të mos lënë gjurmë.

Në aspektin e kryerjes së pagesave, grupi kishte zbatuar një metodë të sofistikuar për të shmangur sistemin bankar tradicional: sistemin informal të pagesës Haëala. Ky mekanizëm mundësonte transferimin e shumave të mëdha parash midis vendeve të ndryshme pa kaluar përmes kanaleve financiare formale, duke shmangur kështu gjurmët zyrtare të transaksioneve. Kjo formë pagesash përdorej për të fshehur origjinën dhe destinacionin e të ardhurave nga trafiku i drogës. Verifikimi i shumave bëhej përmes kartëmonedhave të koduara, ku ishin shënuar pseudonime, shumat e pagesave dhe datat specifike që funksiononin si “token” për të garantuar tërheqjen e saktë të shumës në pikën përkatëse.

Ky grup kriminal kishte gjithashtu akses në infrastrukturën doganore përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Nga komunikimet del qartë që sigurimi i bashkëpunimit me doganierë ose personel të porteve shihej nga drejtuesit e këtij grupi kriminal si faktor vendimtar për suksesin e kryerjes së trafikut të narkotikëve prej tyre.

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Në këtë hetim të rëndësishëm, SPAK ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim të shkëlqyer me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë ligjzbatuese të Amerikës Latine, agjencitë partnere britanike dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve të BE dhe në mënyrë më specifike me shtete si Franca, Italia, Spanja, Holanda, Belgjika dhe Kroacia.  Një koordinim mjaft cilësor ka qenë edhe ai me agjencitë ligjzbatuese vendase.

Prokurorët e çështjes, z. Altin Dumani dhe z. Adnan Xholi, nënvizojnë se:

“Ky hetim i suksesshëm i drejtuar nga SPAK është rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, veçanërisht me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë e shteteve anëtare të BE-së, si dhe agjencitë ligjzbatuese partnere në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët ofruan mbështetje përmes një analize të thelluar të të dhënave dhe zbatimit të një koordinimi efektiv ndërkombëtar policor. Vlera e materialit të zbuluar përmes analizës së të dhënave të komunikimit të dekriptuara nga Sky/ECC ka qenë thelbësore për të plotësuar provat e mbledhura gjatë hetimit dhe mbetet ende e vlefshme për arritjen e rezultateve të duhura hetimore. Ky informacion ka qenë thelbësor në identifikimin e veprave penale të rënda, të të dyshuarve, si dhe për përcaktimin e rolit të tyre në këtë grup të strukturuar kriminal.”

Ora 17:27
Skeda/ Kush është i arrestuari Ilir Lloshi, ‘Licja’ i grupit ‘Çopja’ dhe rrëfimi i të penduarit Erion Alibej për të! Si i grabitën 50 kg kokainë në Angli

1751624176_68388334b6996erjoni.jpeg

Erjon Alibej, bashkëpunëtori i SPAK që ka rrëfyer për Ilir Lloshin

Një nga personat e arrestuar nga SPAK në operacionin e sotëm është edhe Ilir Lloshi. Emri i tij u zbuklua në dëshminë e bujshme të bashkëpunëtorit të SPAK, Erjon Alibej, gjatë dëshmisë së dhënë në gjyqin ‘Plumbi i artë’ në GJKKO, në seancën e 29 majit.

Teksa rrëfente “Masakrën e Bradasheshit” në dhjetor 2018, që ishte zanafilla e sagës së hakmarrjes dhe luftës mes grupeve, pasi i vranë vëllanë, Endrit Alibej, xhaxhanë Arben Dylgjeri dhe një mik turk të familjes, Alibej përmendi edhe historinë në Angli me Ilir Lloshin, e thirrur edhe me nofkën ‘Liicja’, që dyshohet se ishte edhe anëtari i grupit të Çopjave.

Alibej rrëfeu se si e ndihmoi Lloshin gjatë kohës që ishte rrahur dhe trembur pasi pretendonte se anglezët i kishin grabitur në bazën e organizatës 50 kg kokainë që kishte në ruajtje.

Të njëjtën dëshmi ai ka dhënë edhe për belgët më herët.

Alibej gjatë dëshmisë tregoi lidhjet e herdhme të vëllait të tij me Çopjat në Angli dhe më gjerë, pasi kishin miqësi që në fëmijëri dhe më pas rivaliteti dhe sulmet e përgjakshme. Ai zbuloi disa përplasje ndërsa Lloshi mësohet se ishte dërguar tek ortaku anglez i familjes Çopja si personi që ka patur sasinë e mallit e më pasi po ai e humbi.

Shqiptarja.com zbardhi edhe dëshminë e Alibejt në seancën e 29 majit.

Dëshmia e Erion Alibejt për Ilir Lloshin:

"Ne me vëllezërit Çopja kemi pasur lidhje dhe vëllai im Endriti shoqërohej me ta. Në bazë të analizave të mia, duke filluar nga ngjarja e parë kur u vra vëllai im dhe sot e kësaj dite, mendoj se përplasja ka lindur si pakënaqësi dhe inate të brendshme apo sedre të atyre, që kur vëllezërit Çopja bënë një tentativë vrasje në Elbasan ndaj disa personave të tjerë.

Ato e kanë bërë vetë lojën që t’i merrnin anglezit 25 kg nga 50 sa ishte sasia. Nëpërmjet një personi, ‘Liçja’ që çuan tek anglezi me pretendimin që ky ishte personi që kishte mallin dhe ky e humbi. Liçja mesa di unë quhet Ilir Lloshi nga Elbasani, është gjallë dhe është moshatar me Çopjat. Unë shtroj pyetjen si ka mundësi që Liçja është gjallë dhe njerëzit e mi janë vrarë, kur supozohet se zanafilla e vrasjeve është 50 kg i kokainës.

Vazhdova punën fuqishëm me shitjen e kokainës në Angli, dua të shpjegoj se është e pavërtetë që lufta ka nisur për një ngarkesë prej 50 kg drogë. Ilir Lloshi është shok fëmijërie i Hajdar Çopjas, më çoi një SMS dhe më tha dua të takoj se jam shumë keq, më tha që jam te shtëpia e një djali që quhej Foksi dhe ky shok fëmijërie i Hajdarit. Ilir Lloshi me çoi foto, ishte me sy të nxirë, e kishin goditur, shkova tek shtëpia e Foksit, dhe më tha desh më vranë, i shpëtova nga duart anglezëve, i thashë të paskan masakru, më tha që erdhi një ngarkese prej mbi 50 kg e ca kokainë Francit, unë me këta Çopjat s’po flisja më në këtë kohë, më tha që kjo ngarkesë ishte grabitur, kishte shkuar policia tek shtëpia ku mbahej, e mora 2 javë këtë Ilirin në shtëpi, më shpjegoi se Franc Çopja kishte një ortak anglez, morëm vesh se në shtëpinë ku mbahej droga kishin lidhur një djalë nga Elbasani dhe kishin marrë çfarë kishin gjetur”.

Ora 17:20
Erjon Alibej dhe Plarent Dervishaj, sot armiq përpara drejtësi, por dikur bashkëpunëtorë në trafikun me tonelata të kokainës

Erjon Alibej dhe Plarent Dervishaj janë në mesin e 6 të arrestuarve nga SPAK gjatë operacionit që shkatërroi organizatën kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine në vendet e Bashkimit Evropian.

Kësaj organizate i janë kapur 6 ton kokainë gjatë periudhës 2020-2021 me vlerë 411 milionë Euro në vendet e BE-së. Por teksa në atë periudhë, Alibej dhe Dervishaj duket se kanë qenë bashkëpunëtorë të afërt në trafik kokaine, sot ata janë dy kundërshtarë përballë drejtësisë.

Erion Alibej është bashkëpunëtor i drejtësisë në dosjen "Plumbi i Artë" dhe ka zbërthyer një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, shumica e të cilave të zhvilluara në Elbasan.

Plaurent Dervishaj, i cili u ekstradua nga SPAK më 14 gusht 2024, konsiderohet nga SPAK si organizatori i atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në nëntor të 2019. Ai akuzohet edhe për vrasjen e Klodian Saliut në 2005, kryer në bashkëpunim si dhe Vajdin Lamajt e Artan Arsit me eksploziv, po në të njëjtin vit. 

Vetëm para disa ditësh, Erjon Alibej dhe Plarent Dervishaj u përplasën ashpër në një seancë gjyqësore të GJKKO, ku Alibej po rrëfente ngjarje kriminale.

Dëshmia e të penduarit të drejtësisë Erion Alibej në gjyqin ndaj Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, krijoi tension dhe debate të forta në sallën e gjyqit në Gjykatën e Posaçme.

 

V.GJ /SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • 313: 27/07/2025 00:34

    Tani o cuna ngreni doren edhe pranojini te gjitha kapni nai gjykim te shkurtum nai sjellje te mire edhe mbylleni me 5-6 vjet burg

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?