Igli Tare

Sport

Mungon vetëm zyrtarizimi, detajet e kontratës së Igli Tares me Milanin! Trajneri i ri që pëlqehet nga shqiptari

21 Maj, 09:46| Përditesimi: 21 Maj, 13:03

  • Share

Milani është pranë një epoke të re në drejtimin sportiv, me Igli Taren që pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim si drejtori i ri sportiv i klubit. Marrëveshja me ish-drejtuesin e Lazios është mbyllur dhe mungon vetëm firma për ta bërë gjithçka zyrtare.

Sipas medieve në Itali, Tare dhe Milani kanë gjetur një akord për dy vite, me të drejtë edhe për një sezon më shumë (2+1). "Bjondi" shqiptar pritet të përfitojë një pagë bazë prej 900 mijë eurosh në sezon, pa bonuse. Pas shkresave burokratike pritet edhe zyrtarizimi, me palët që janë dakordësuar në detaje.

Pavarësisht se ende nuk është prezantuar zyrtarisht, Tare ka nisur menjëherë punën, duke u përfshirë në një nga çështjet më urgjente për kuqezinjtë; zgjedhjen e trajnerit të ri që do të pasojë Sergio Conceiçaon.

Sipas raportimeve të fundit nga 'Sportmediaset', emri i preferuar i Tares është Vincenzo Italiano, trajneri që këtë sezon shkëlqeu në stolin e Bolognas. Italiano ka bërë hapa të mëdhenj në karrierë duke ndërtuar ekipe me identitet të qartë loje; nga Spezia, te Fiorentina dhe së fundmi Bologna, me të cilët fitoi një trofe historik (Kupa e Italisë), të parin për klubin pas 51 vitesh.

Arritja e një marrëveshjeje me Italianon nuk do të jetë e lehtë. Bologna ka lëvizur në prapaskenë për ta mbajtur trajnerin duke i ofruar një rinovim kontrate me kushte të përmirësuara financiare.

Nëse operacioni dështon, Milani ka identifikuar edhe një alternativë tjetër, Maurizio Sarri. Ish-trajneri i Napolit, Juventusit, Chelsea dhe Lazios është kontaktuar më herët nga kuqezinjtë, përpara se në skenë të dilte emri i Sergio Conceiçaos. Negociatat me Sarrin nuk prodhuan një marrëveshje në atë kohë, por ai mbetet një opsion i hapur nëse pista “Italiano” nuk konkretizohet.

Pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të rëndësishme, ndërsa Milani po punon për të ndërtuar një projekt të ri ambicioz, nën drejtimin e shqiptarit Igli Tare.

Ora 13:01
Merkato/ Afrimet më të mira të Igli Tares te Lazio

Igli Tare është shumë pranë për t'u zyrtarizuar si drejtori sportiv i Milanit për tre sezonet që vijnë. Palët kanë një akord total dhe mediet tej Adriatikut bëjnë me dije se shqiptari ka nisur nga puna për ekipin e ri dhe gjithçka nis me trajnerin.

Përpara se Tare të hedhë të "zezën mbi të bardhë", le të shohim afrimet më të bujshme që ish-drejtori i Lazios bëri në kryeqytetin italian. Kujtojmë se Tare ishte pjesë e Lazios për 15 vite (deri në verën e 2023).

Milinkovic-Savic u bashkua me Lazion si një i panjohur për 12 milionë euro nga Genk, por serbi u bë ndër mesfushorët më të mirë në Serie A dhe pas shumë sezonesh u shit për 40 mln euro te Al-Hilal.

Stefan De Vrij u ble për 7 mln euro te Feyenoord dhe pas shumë sezonesh me kontribute te Lazio, u largua për te Interi falas, por vlera e tij në treg ishte 40 mln euro.

Miroslav Klose; Tare e afroi në fundin e karrierës, por legjenda gjermane shkëlqeu në Serie A.

Lucas Biglia, Antonio Candreva, Stephan Lichtsteiner, Senad Lulic, Felipe Anderson, Hernandes, Joaquin Correa, Ciro Immobile, Luis Alberto, Keita Balde apo edhe Mauro Zarate, janë disa nga emrat e spikatur që Tare ka afruar te Lazio.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?