SPAK ka njoftuar këtë të hënë se ka sekuestruar pasuritë në Shqipëri të Ervis Ferizajt dhe Përparim Kalbajt, të cilët më 20 korrik, së bashku me Burim Ferizajn, u arrestuan për transferimin nga Zvicra drejt vendit tonë, të miliona eurove të gjeneruara nga traikimi i drogës, përmes sistemit “Hawala”.
Kjo pasuri është përfituar me kontratën e datës 30.01.2017, me çmimin e vendosur në kontratë prej 200,000 Eurosh.
Më tej, SPAK bën me dije se gjithashtu, gjatë nga kryera në vendin e ushtrimit të aktiviteteve të shoqërisë “Ferizaj-78” sh.p.k dhe kontrollit të banesave janë gjetur dhe sekuestruar sende dhe shuma monetare me një vlerë totale prej rreth 68,000,000 lekësh të cilat dyshohen se përbëjnë produkte të veprës penale.
Dhjetëra anëtarë të grupit kriminal, kishin ngritur një strukturë të tërë për “Hawala”, një metodë e transferimit të parave pa lëvizur në të vërtetë të holla fizike, por një person i dorëzon një shumë një agjenti lokal (i quajtur hawaladar), i cili më pas e njofton një koleg në një vend tjetër për të dhënë të njëjtën shumë marrësit. Gjithçka bëhet për të mos lënë asnjë gjurmë.
Drejtuesi i këtij grupi kriminal raportohet të jetë Ervis Ferizaj, i cili falë bashkëpunimit të SPAK me autoritetet zviceriane, më 20 korrik u arrestua në Zvicër, ndërsa Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbaj, u arrestua në vendin tonë, po në të njëjtën datë. Ata dyshohet se janë drerjtuesit kryesorë të gruupit kriminal në fjalë. Të 3 akuzohen nga SPAK për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafiku i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”,
Prokuroria e Posaçme thotë në një njoftim se ende nuk e ka një shumë të mirëllogaritur se sa është transferuar, por po vijon të hetojë në këtë drejtim.
Anëtarët e tjerë të grupit, me banim në Luzern të Zvicrës, funksiononin si pritësit e parë të parave, që vinin nga trafiku i drogës në vende të ndryshme të Evropës. Trafikantët dorëzonin aty paratë, duke i informuar për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë.
Bashkëpunëtorët në Luzern menjëherë njoftonin anëtarët e grupit në Tiranë, kreun Ervis Ferizaj, për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë.
Më pas, ky i fundit në bashkëpunim me dy të arrestuarit e tjerë dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishte depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër.
Në këtë mënyrë mundësohej transferimi i parave në një kohë shumë të shpejtë, pa qenë e nevojshme që të kryhej transportimi i menjëhershëm fizik i parave nga Zvicra në Shqipëri, si dhe njëkohësisht bëhej e pamundur për agjencitë e zbatimit të ligjit, regjistrimi i transfertave të parave, identifikimi i personave dërgues dhe pritës të parave, si dhe verifikimi i burimit të parave që transferoheshin.
Për të realizuar skemën në mënyrë sa më të mirë në Tiranë dhe në Zvicër janë përdorur zyra të këmbimit valutor, zyra të transferimit të parave dhe agjenci turistike. Grupi merrte nga trafikantët e drogës 6% të shumës së parave që transferohej.
Megjithatë ky aktivitet kriminal duket që nuk u mjaftonte pasi të tre të arrestuarit merreshin edhe vetë me trafikun e drogës në disa Kantone në Zvicër, duke furnizuar dhe përdorur persona të tjerë si shpërndarës të lëndëve narkotike në sasi më të vogla.
Komente
