VLORË- Dy persona janë vënë në pranga të policisë së Vlorës, pasi në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Nartës”, janë kapur duke transportuar mallra kontrabandë, të cilat i kishin futur në Shqipëri nga Greqia.
Orjan Gjoveshi, 35-vjeç dhe Ristan Sota, 47 vjeç, banues në Vlorë, u kapën teksa transportonin me kamion, me qëllim shitjen, mallra të ndryshme, të papajisura me faturat tatimore apo me deklaratat e origjinave, me vlerë 30 000 euro.
Mallrat sipas policisë dyshohet se janë kontrabanduar nga Greqia në vendin tonë, duke kaluar nga pika doganore e PKK Kakavijë, pa kryer procedurat e zhdoganimit. Mallrat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me kamionin.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë shpallja në kërkim për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kondrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, Ilir Hicka 40-vjeç dhe Arbër Sinani, 38-vjeç, që dyshohet se shpërdoruan detyrën duke lejuar mjetin kamion të hyjë në Shqipëri, pa kryer procedurat e zhdoganimit të mallrave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.