Politikë

Kërkuan rinumërimin e votave, KAS rrëzon 4 kandidatët demokratë: Mund të ankimojnë vetëm partitë! PD kundër kandidatëve të saj, bashkon votat me PS

30 Maj, 17:12| Përditesimi: 30 Maj, 23:18

  • Share

TIRANË- Partia Demokratike ka dalë kundër kandidatëve të saj që kërkuan rinumërim të votave preferenciale dhe ka bashkuar votat me PS në KAS, duke u rrëzuar ankimin. 4 me 1, anëtarët e KAS vendosën sot se katër kandidatët, Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Ilirjana Kuçana, nuk mund të legjitimohen si palë ankuese për kërkesat për rinumërimin e votave të tyre.

Vetëm përfaqësuesi Ilir Rusmali votoi pro, që kandidatët të kishin të drejtën për të kërkuar rinumërimin e votave të tyre, gjë që mund të ndikonte në rezultatin e renditjes së tyre në listat e hapura.

Përfaqësuesit Koli Bele e Elvin Lako nga PS dhe Ledio Braho e Elvis Çefa nga PD ishin kundër, duke argumentuar se sipas Kodit Zgjedhor ankimin mund ta bëjë vetëm subjekti politik dhe jo kandidati. 

Paradoksi është se vetë kreu i PD, Sali Berisha para këtij vendimi të KAS, tha se e mbështeste kërkesën për transparencë të kandidatëve, por nga ana tjetër anëtarët e opozitës në KAS iu dolën kundër.

"Përsa u përket kandidatëve, unë nuk e di sa kanë kërkuar rinumërimin apo sa kanë kërkuar procedurën, por cilido që dëshiron është i lirë ta bëjë, ne nuk bllokojmë asnjë njeri që të bëjë transparencën, fare”, u shpreh ai.

Vendimin për mos kalimin për shqyrtim të kërkesave e konfirmoi edhe KQZ pas seancës paraprake me dyer të mbyllura, ndërsa ankimi për rinumërimin e votave të Aulon Kalasë do të shqyrtohet të martën.

"KAS shqyrtoi elementet e formes dhe te permbajtjes se kerkesave ankimore te kandidateve: Mimoza Hajdarmataj, Ilir Alimehmeti, Lisander Hoxha, Ilirjana Kucana. KAS vendosi rrezimin e kerkesave/mos kalimin per shqyrtim", njoftoi KQZ. 

Për Report Tv kandidatët demokratë thonë se vendimi hedh hije dyshimi se është marrë për të mos bërë transparencë për trafikimin e votave të tyre drejt kandidatëve të tjerë.

"Kam kuti të identifikuar që është tjetërsuar vota ime dhe i është kaluar kandidatëve të tjerë”, tha Kuçana në Report Tv.

 Të njëjtin pretendim ngre edhe Ilir Alimehmeti që në një komunikim me Report Tv tha se u gjet një artificë ligjore dhe nuk u morën parasysh provat e paraqitura.

"Defakto nuk u morën me kërkesat tona, përmbajtjen e provave, u morën me një artificë të pakuptimtë që është “subjekti duhet të kërkojë rinumërim”, ndërkohë që kryetari i PD është shprehur pro", tha ai për Report Tv.

Ndërkohë, një prej anëtarëve të opozitës nw KAS, Ledio Braho sqaroi për Report Tv votën kundër kërkesave për rinumërim nga kandidatët.

"Edhe në 2021, ka  qenë precedenti “Lediana Fratari” që kërkoi ri-numërim dhe KAS ka mbajtur qëndrimin që nuk legjitimohen kandidatët në kod, por vetëm subjektet zgjedhore. Të njëjtin qëndrim kemi mbajtur edhe këtë herë. Unë i qëndroj ligjit. Kjo është evidentuar edhe nga OSBE-ODIHR (fakti që kandidati nuk kërkon dot vetë). Pra që kandidatit t’i pranohet kërkesa për ri-numërim, ose duhet të ndryshohet ligji ose duhet të jetë partia që kërkon. Unë nuk do të shkel ligjin", tha ai në një bisedë telefonike. 

Çfarë kërkonin kandidatët demokratë?

Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha, i kërkuan KQZ-së rinumërimin e votave të tyre në Tiranë. Alimehmeti në shkresën e tij, theksonte se gjatë procesit të verifikimit të kamerave, janë konstatuar disa parregullsi, të cilat mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit e renditjes në listën e hapur. Në një QV, ai thotë se 27 vota preferenciale për të, i kanë kaluar një tjetër kandidati, duke u shënuar në tabelën përmbledhëse 0 vota. Mjeku Alimehmeti nuk fitoi dot një vend në parlament edhe pse mori 18 mijë vota personale. Ai u mund të garën e brendshme nga Jorida Tabaku, e cila rezulton me një avantazh prej 2 mijë votash.

Mimoza Hajdarmataj, në kërkesën e saj thonte se “rezulton se ka pasur parregullsi në masën mbi 1000 vota në të paktën 6 KZAZ", ndërsa Hoxha pretendoi se nga videot e marra jo të plota nga KQZ të procesit të numërimit të votave të kandidatëve, ka konstatuar se disa vota preferenciale të tijat janë regjistruar në emër të një kandidati tjetër. Ai ka në total 1 902 vota, ndërsa Kalaja i cili po ashtu kërkoi rinumërim të votave të tij mori 7291 vota, duke u renditur i dyti. I pari që Qarkun e Durrësit ishte Arjan Ndoja me 8249 vota, i vetmi që siguroi mandat nga lista e hapur e PD-ASHM në qarkun e Durrësit. 

Ora 22:45
Anëtari i PD në KAS, Ledio Braho sqaron për Report Tv votën kundër ankimeve të opozitës: Unë nuk do të shkel ligjin

1748639863_ledio.jpg

KAS - me mbështetje edhe të përfaqësuesve të PD - rrëzoi sot kërkesën e kandidatëve demokratë për deputetë më 11 maj, Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Ilirjana Kuçana, për rinumërimin e votës preferenciale, me arsyetimin se një kërkesë e tillë mund të bëhet vetëm nga subjekti politik dhe jo individualisht nga kandidatët.

Anëtari i opozitës në KAS, Ledio Braho, sqaroi për Report Tv votën kundër kërkesave për rinumërim nga kandidatët demokratë, duke sjellë precedentin e Lediana Fratarit.

"Edhe në 2021, ka  qenë precedenti “Lediana Fratari” që kërkoi ri-numërim dhe KAS ka mbajtur qëndrimin që nuk legjitimohen kandidatët në kod, por vetëm subjektet zgjedhore. Të njëjtin qëndrim kemi mbajtur edhe këtë herë. Unë i qëndroj ligjit. Kjo është evidentuar edhe nga OSBE-ODIHR (fakti që kandidati nuk kërkon dot vetë). Pra që kandidatit t’i pranohet kërkesa për ri-numërim, ose duhet të ndryshohet ligji ose duhet të jetë partia që kërkon. Unë nuk do të shkel ligjin", tha ai në një bisedë telefonike. 

Sipas burimeve të Report Tv, pikërisht Partia Demokratike refuzoi ta firmoste ankimimin e kandidatit, duke e ditur që në këtë mënyrë KAS do ta rrezonte.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Ora 19:52
PD e 'tradhtoi' në KAS, s'i pranoi kërkesën për rinumërim të votës preferenciale, Alimehmeti për Report Tv: Krijuan një artificë të pakuptimtë

1748627612_1667292025IlirAlimehmeti.jpg

Mjeku Ilir Alimehmeti, i cili kandidoi nën siglën e PD-AShM në Qarkun Tiranë, ka folur për Report Tv pasi KAS rrëzoi kërkesën e tij për rinumërim të votave preferenciale.

Në një prononcim për Report Tv, Alimehmeti tha se KAS nuk u mor me kërkesat e tyre apo përmbajtjen e provave, por me një artificë të pakuptimtë. 

Ilir Alimehmeti për Report Tv: Defakto nuk u morën me kërkesat tona, përmbajtjen e provave, u morën me një artificë të pakuptimtë që është “subjekti duhet të kërkojë rinumërim”, ndërkohë që kryetari i PD është shprehur pro. Kaq di nga seanca, thelbi është që nuk bazohet ke provat e dërguara por te një artificë. Presim për hapat e tjera. Unë vetë në prova kam evidentuar shifra gabim në proces-verbale. Kemi parë edhe disa kamera, parregullsi në qindra vota jo vetëm të miat, që në video janë ndryshe nga proces- verbali. Nëse subjekti politik duhej të dërgonte një shkresë, duhet të na e thonin.

PD dhe PS bashkuan votat në KAS duke rrëzuar kërkesën e 4 kandidatëve demokratë për rinumërim e votave të tyre.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • albfire: 30/05/2025 20:00

    "Artifice" qe mund te zgjidhet shume kollaj Z. Alimehmeti, kerkojini partise Tuaj te depozitoje nje ankese. Mos u beni pjease e rremujes duke e bere lemsh opinionin publik se KAS nuk po pranon shkeljet dhe eshte e kapur. Apo ky eshte qellimi Juaj? Hajt po bej nje ankese sa per te thene qe e bera dhe ata do e refuzojne dhe une do e bej politike. Injoranca ligjore nuk eshte justifikim! Apo keni frike ti kerkoni Z. Berisha te beje ankese?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?