Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, përmes një postimi në Facebook shkroi se ishte i shqetësuar për dorëheqjen e tre policëve serbë nga Policia e Kosovës, ku reaguan edhe ambasadori gjerman dhe amerikan në Prishtinë.
Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier, i cili ripostoi shkrimin e shefit të EULEX-it, ritheksoi fjalët që kishte shkruar edhe Barbano.
“Përkushtimin tonë për një forcë policore shumetnike të Kosovës. E kam thënë disa herë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe që zyrtarët policorë të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre të lirë dhe pa frikësim. Po i ndjekim nga afër këto zhvillime”, ripostimi i fjalëve të Barbanos nga Ambasadori amerikan, Hovenier.
Gjithashtu edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde tha se pajtohej plotësisht me fjalët e shefit të EULEX-it.
“Pajtohem plotësisht. Një vend shumetnik kërkon një polici shumetnike. Të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës, pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin, duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikë”, shkroi ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde.
Nuk pati ndonjë konfirmim nga policia e Kosovës për dorëheqjet e pjesëtarëve të rinj të policisë, pjesë e një grupi prej 46 pjesëtarëve nga radhët e komunitetit serb, të cilët filluan punën në muajin korrik
Emrat e disa prej tyre janë përmendur në rrjetet sociale në gjuhën serbe dhe janë sulmuar për përfshirje në radhët e policisë së Kosovës, prej nga në nëntor të vitit të kaluar janë larguar disa qindra policë serbë.
Pjesëtarët e rinj të policisë filluan punën mes tensioneve në veri të Kosovës të cilat u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët.
Si përfundim, Giovanni tha se anëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre përmes punës të orientuar nga komuniteti dhe se ky mision është i përkushtuar për t’i mbështetur përpjekjet e Policisë së Kosovës që synojnë zhvillimin e punës policore efektive, efikase, përfaqësuese dhe të përgjegjshme në kuadër të fushëveprimit më të gjerë të sundimit të ligjit.
Lajmi kryesor:
Dorëhiqen tre policë të rinj serbë në veriun e Kosovës, Osmani: Rezultat i kërcënimeve nga Serbia! Shefi i EULEX: Thellësisht i shqetësuar
S.S/ReportTv.al