Bota

Zgjat vetëm 3 orë armëpushimi! Irani lëshon raketa në veri të Izraelit, ministri i Mbrojtjes: Do të përgjigjemi me forcë! Teherani e mohon

24 Qershor, 07:02| Përditesimi: 24 Qershor, 12:16

  • Share

Armëpushimi 12-orësh mes Izraelit dhe Iranit pas disa ditësh sulmesh kundrejt njëri-tjetrit hyri në fuqi mëngjesin e së martës. Teherani dhe Trump konfirmuan hyrjen në fuqi të armëpushimit. Presidenti amerikan, i cili njoftoi arritjen e marrëveshjes, kërkoi nga të dyja palët që të mos e shkelin.

Agjencia iraniane e lajmeve Fars, e afërt me qeverinë e Teheranit, raportoi se "pas sulmit të fundit me raketa, armëpushimi me Izraelin filloi në orën 7:30 të mëngjesit me orën lokale.” Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu konfirmoi se ka pranuar propozimin e SHBA, duke thënë se arritën objektivat e tyre në Iran.

Por armëpushimi zgjati vetëm tre orë pasi Forcat Izraelite thanë se Irani kishte lëshuar raketa drejt territorit të tyre. I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, i cili tha se “do të përgjigjen me forcë”. Por Teherani, përmes televizionit shtetëror, e mohon të ketë shkelur armëpushimin.

Ndërkohë, më herët dhe disa orë pasi presidenti i SHBA njoftoi arritjen e marrëveshjes u raportuan sulme me raketa në disa zona të Izraelit. Sirenat e alarmit ranë në Tel Aviv, Jerusalem dhe në shumë zona të tjera. 4 persona u vranë pasi një raketë goditi një ndërtesë banimi në Beer Sheva, ndërsa 22 të tjerë u plagosën.

Dhe pas njoftimit të Iranit se armëpushimi ka hyrë në fuqi, alarme të reja u ngritën në Izrael dhe Bregun Perëndimor.

Trump njoftoi përmes Truth Social se ishte rënë dakord për një armëpushim "total" midis Iranit dhe Izraelit për t'i dhënë fund konfliktit të tyre aktual. Njoftimi erdhi disa orë pasi Irani nisi një sulm me raketa ndaj bazës ushtarake amerikane në Katar, në përgjigje të sulmeve amerikane ndaj objekteve të tij bërthamore;

Lajm në përditësim...

Ora 12:10
Edhe Irani akuzon: Izraeli sulmoi pas armëpushimit

Televizioni shtetëror iranian tha se Irani akuzon Izraelin për shkelje të armëpushimit duke kryer sulme të reja. Izraeli kreu disa sulme kundër objektivave në Iran këtë mëngjes, pasi u shpall armëpushimi, dhe Teherani beson se është i autorizuar t'i përgjigjet agresionit, tha Shtabi i Forcave të Armatosura të Iranit, Khatam al-Anbiya. "Regjimi sionist sulmoi objektiva në tokën iraniane në tre faza këtë mëngjes para orës 9:00" (6:30 në Shqipëri), ishte njoftimi i lexuar nga televizioni shtetëror iranian.

Ora 11:53
21 të vdekur në Gaza, shumë prej tyre prisnin ndihmat

Sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Gazës, të paktën 21 persona u vranë ndërsa prisnin ndihmë pranë një qendre shpërndarjeje në enklavën palestineze, në veri të Rafah. Agjencia e lajmeve Wafa raportoi numrin e të vdekurve, shumica prej tyre civilë të vrarë ndërsa prisnin ushqim dhe ujë. Përveç kësaj, dronët izraelitë hapën zjarr në verilindje të kampit të refugjatëve Al-Bureij në Gazën qendrore. "Pas bombardimit nga forcat pushtuese izraelite të grumbullimeve të qytetarëve që prisnin ndihmë në Rripin qendror të Gazës me plumba dhe predha tankesh" në orët e para të ditës, "21 persona u vranë dhe rreth 150 u plagosën", tha zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmud Bassal. Bassal shtoi se pesë persona të tjerë u vranë dhe disa u plagosën në një sulm ajror izraelit që goditi një shtëpi në qytetin e Gazës.

Ora 10:25
'Nuk shkelëm armëpushimin'/ Irani mohon sulmin në Izrael

Televizioni iranian ISNA thotë se lajmet për një sulm me raketa ndaj Izraelit pas hyrjes në fuqi të armëpushimit janë të rreme. Media shtetërore iraniane citohet për këtë deklaratë nga Reuters.

Ora 10:08
Irani shkeli armëpushimin, ministri izraelit i Mbrojtjes: Do të përgjigjemi me forcë

1750401772_israelkatz.webp

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz ka lëshuar një deklaratë, ku thotë se do të përgjigjet me forcë ndaj Iranit, i cili lëshoi raketa drejt territorit izraelit pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.

"Kam udhëzuar ushtrinë që t'i përgjigjet me forcë shkeljes së armëpushimit nga Irani, me sulme me intensitet të lartë kundër objektivave në zemër të Teheranit.", ka deklaruar Katz. 

Ora 09:36
Shkelet armëpushimi? Ushtria izraelite: Sirenat janë ndezur në veri, Irani ka lëshuar raketa

Në orët kur po flitet për hyrjen në fuqi të armëpushimit mes Iranit dhe Izraelit, ushtria izraelite njofton se ka dhënë alarmin në veri të vendit pasi Irani sipas saj ka lëshuar raketa në drejtim të tij. 

 

Ora 09:28
BE mirëpret armëpushimin Izrael-Iran/Von Der Leyen: Hap drejt stabilitetit në rajon

Armëpushimin midis Izraelit dhe Iranit të njoftuar nga Presidenti i SHBA e përshëndeti edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen. Ajo e cilëson atë në një postim në X një hap drejt stabilitetit. 

 

Ora 09:12
Irani: 9 të vrarë në një sulm izraelit në veri të vendit, plagosen 33 të tjerë

1750749174_1d2e4420508111f08c47237c2e4015f5.jpg

Të paktën 9 persona janë vrarë në një sulm izraelit në Iranin verior, raportuan mediat iraniane, duke thënë se sulmi u krye përpara se presidenti i SHBA-së Donald Trump të shpallte armëpushimin.  Të plagosur mbetën 33 të tjerë.

"Katër ndërtesa banimi u shkatërruan plotësisht dhe shumë shtëpi aty pranë u dëmtuan nga shpërthimet" në Astaneh-ye Ashrafiyeh, deklaroi Ali Bagheri, një zyrtar në provincën veriore të Gilanit, në kufi me Detin Kaspik.

Ora 09:12
Kancelari gjerman: Mirëpresim armëpushimin mes Iranit dhe Izraelit! Do ta bëjë Lindjen e Mesme dhe botën më të sigurt

Foto: Friedrich Merz  

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se mirëpret thirrjen e Donald Trump për një armëpushim në konfliktin Izrael-Iran, duke shtuar se suksesi i saj do të ishte një “zhvillim shumë pozitiv”.

Përmes një postimi në X Merz falënderoi Katarin për qetësinë e tij në atë që ai e përshkroi si kohë “dramatike”.

Komentet vijnë pasi kryeministri i Katarit thuhet se siguroi marrëveshjen e Iranit me propozimin e armëpushimit të SHBA-së në një telefonatë me Teheranin, tha një zyrtar i informuar për këtë çështje për Reuters.

“E mirëpres thirrjen e presidentit amerikan për një armëpushim të njëpasnjëshëm. Nëse ky armëpushim do të ketë sukses pas sulmeve vendimtare ushtarake amerikane kundër objekteve bërthamore iraniane, ky do të jetë një zhvillim shumë pozitiv.

Do ta bëjë Lindjen e Mesme dhe botën më të sigurt. U bëj thirrje si Iranit ashtu edhe Izraelit që ta marrin parasysh këtë thirrje. Falënderoj Katarin dhe shtetet e tjera në rajon për qetësinë e tyre në këto ditë dhe orë dramatike.

“Ne do të diskutojmë me partnerët tanë amerikanë dhe evropianë në margjinat e samitit të sotëm të NATO-s në Hagë se si situata mund të stabilizohet më tej”, shkroi Merz.

Ora 08:37
Izraeli konfirmon marrëveshjen e armëpushimit: Kemi arritur të gjitha objektivat në Iran

1750105893_thumbsbcc15648abc2c8d85771ad1c2be86cb3b6.jpg

Izraeli konfirmon se ka pranuar propozimin e Donald Trump për një armëpushim dypalësh, tha kryeministri Benjamin Netanyahu. Qeveria izraelite tha se kishte arritur të gjitha objektivat e luftës së saj kundër Iranit.

Në një deklaratë, Izraeli theksoi se ka hequr kërcënimin e dyfishtë ekzistencial të menjëhershëm të Iranit nga armët bërthamore dhe raketat balistike. Gjithashtu, në deklaratë, qeveria izraelite u shpreh se ka shkaktuar dëme të mëdha ndaj udhëheqjes ushtarake dhe ka shkatërruar dhjetëra objektiva qendrore të qeverisë iraniane.

“Izraeli falënderon Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në mbrojtje dhe pjesëmarrjen e tyre në eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian”, thuhet më tej në deklaratë.

Izraeli thotë gjithashtu se do t’i përgjigjet me forcë çdo shkeljeje të armëpushimit.

Ora 08:13
Hapet hapësira ajrore në Izrael

1750745690_download.jpeg

Hapësira ajrore izraelite u rihap pas sulmeve me raketa balistike iraniane, njofton Autoriteti i Aeroportit. 

Qielli i Izraelit është rihapur për fluturimet hyrëse pas një mbylljeje të shkurtër për shkak të sulmeve me raketa balistike iraniane, njofton Autoriteti i Aeroportit, raporton The Times of Israel.

Ora 07:21
Trump: Armëpushimi Izrael-Iran tani është në fuqi, ju lutem mos e shkelni

1750569328_donaldtrump.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit "tani është në fuqi".

"JU LUTEM MOS E SHKELNI", shkruan ai në një postim në Truth Social.

Edhe media shtetërore iraniane ka raportuar se armëpushimi ka filluar. Ndërkohë ende nuk ka konfirmim zyrtar nga Izraeli.

Postimi i Trump 
Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Igor: 24/06/2025 07:52

    Cuditeria fashiste Amerikane ku e shtiu Izraelin me gjith ndihmen te fillonte luften kunder Iranit dhe tani Fashisti thret per armepushim ,e mjera bote e qelbur qe bazohet ne fjalet e ket fashisti,

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Shkelet armëpushimi Izrael-Iran, mendoni se do përshkallëzohet konflikti?