Shkodër- Detaje të reja nga ngjarja e mbrëmshme (22 Shtator) në Vaun e Dejës në Shkodër, ku një shpërthim tritoli u dëgjua në fshatin Bushat, me objektiv një prej banesave.
Një person i maskuar hodhi pakon e bombës te hyrja e objektit dhe u largua me vrap, teksa ende mbetet i paidentifikuar, kurse policia vendore po vijon hetimet për kapjen e tij dhe hetimin e ngjarjes në disa pista. Dëmet materiale ishin të vogla në derën e banesës dhe nuk pati asnjë lëndim.
Pronari i banesës në fshatin Bushat, ka deklaruar se “nuk ka konflikte me askënd dhe se nuk dyshon tek askush për këtë akt”.
Paraprakisht hetuesit besojnë se është përdorur një sasi e vogël tritoli (TNT), me motive ende të paqarta.
“Tritolin në derën e shtëpisë ia ka vënë një person i maskuar, i cili ishte i vetëm, dhe më pas është larguar në këmbë. Nuk di çfarë të them, nga kamerat shihet një person i maskuar, ka ardhur nga veriu dhe ka ikur nga ai drejtim prapë. Ka qenë vetëm në këmbë. Nuk kam pasur asnjë problem me askënd. Nuk kam asnjë dyshim për asnjë njeri. Unë jam punëtor, punoj për një firmë. Jetoj me babanë dhe gruan, fëmijët janë jashtë”, ka deklaruar Filip Dodaj
Kurse fqinji i tij, Tonin Dodaj u shpreh se në momentin e shpërthimit ishte brenda banesës dhe doli menjëherë i tronditur. “Fillimisht mendova se ishte bombol gazi. Ishte shpërthim shumë i fuqishëm”, tha Dodaj.
“Ora ka qenë 20:10 kur kemi dëgjuar shpërthimin. Ishte shumë i fuqishëm. Kur dol jashtë pashë që ishte te komshiu. Thamë mos ishte ndonjë bombol gazi. Jemi komshinj, kam dalë jashtë unë dhe ai plaku me nusen. Filipi nuk ishte në shtëpi. Nuk dëgjova asnjë lëvizje para shpërthimit. Filipi s’ka pasur probleme me njeri”, u shpreh fqinji, për TCH.
Policia po heton në disa pista, si konfliktet me motive të dobëta, ato të pronësisë, hakmarrjes apo problematikave të tjera të djemve të pronarit, pasi të gjitha hipotezat janë të mundshme, përfshi edhe ato të një mesazhi paralajmërues apo inskenimit.