Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky thotë se Ukraina nuk mund ta shkelë Kushtetutën e saj në lidhje me çështjet territoriale, duke theksuar se "ukrainasit nuk do t'ia dorëzojnë kurrë tokën e tyre pushtuesve". Ky koment vjen një ditë pasi Donald Trump njoftoi takimin të premten e 15 gushtit në Alaskë me Vladimir Putin, ku do të diskutohet për një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë.
Zelensky thotë se Ukraina është e gatshme për zgjidhje reale që mund të sjellin paqe, por shtoi se çdo zgjidhje pa Kievin do të ishte zgjidhje kundër paqes.
“Sigurisht, ne nuk do t’i japim Rusisë çmime për atë që ka bërë. Populli ukrainas meriton paqe. Përgjigja për çështjen territoriale të Ukrainës është tashmë në Kushtetutën e Ukrainës. Askush nuk do të devijojë nga kjo - dhe askush nuk do të jetë në gjendje. Ukrainasit nuk do t'ia dhurojnë tokën e tyre pushtuesit. Ukraina është gati për vendime të vërteta që mund të sjellin paqe. Çdo vendim që është kundër nesh, çdo vendim që është pa Ukrainën, është në të njëjtën kohë vendim kundër paqes. Ata nuk do të arrijnë asgjë. Këto janë vendime të lindura të vdekura. Janë vendime të pazbatueshme.", deklaroi Zelensky.
Presidenti amerikan, i cili ka premtuar disa herë se do t’i japë fund kësaj lufte, ka folur vazhdimisht në telefon me homologun e tij rus, por nuk e ka takuar personalisht që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë. Një ditë më parë, ai njoftoi përmes Truth Social se do të takoheshin në Alaskë më 15 gusht. Më herët gjatë ditës së djeshme, Trump tha se “do të ketë disa shkëmbime territoresh në dobi të të dyjave palëve” Ukrainës dhe Rusisë, si pjesë e një marrëveshjeje të ardhshme, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Në vend të një territori neutral, takimi i tyre u zgjodh të zhvillohej në shtetin e gjerë dhe të egër të Alaskës, në veriun e largët të kontinentit amerikan, pranë Rusisë; territor që Perandoria Ruse ia shiti Amerikës në vitin 1867.
Putini pretendon katër rajone ukrainase – Luhansk, Donetsk, Zaporizhia dhe Kherson – si dhe gadishullin e Krimesë në Detin e Zi, të cilin e aneksoi në vitin 2014. Forcat e tij nuk e kontrollojnë plotësisht të gjithë territorin e katër rajoneve.
Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe disa vende evropiane planifikojnë të takohen në Mbretërinë e Bashkuar këtë fundjavë për të arritur një marrëveshje të përbashkët përpara takimit të planifikuar midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin në Alaskë, thanë për Axios tre burime të njohura me planet.
Ukraina dhe disa aleatë të NATO-s janë të shqetësuar se Trump mund të pranojë propozimet e Putinit për t'i dhënë fund luftës pa marrë në konsideratë qëndrimet e tyre. Ideja e një takimi në Mbretërinë e Bashkuar doli të premten gjatë një konference online midis zyrtarëve të SHBA-së, Ukrainës dhe Evropës, e treta e tillë brenda pak orësh. Logjistika e propozuar është ende duke u diskutuar, përfshirë përzgjedhjen e pjesëmarrësve.
Diskutimet e reja për Ukrainën filluan këtë javë pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, u takua me Putinin në Moskë, vetëm dy ditë para se ultimatumi i Trump ndaj Putinit, i cili bënte thirrje për një armëpushim ose sanksione, të skadonte.
Megjithëse Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv më herët këtë javë që lejonte sanksione ndaj vendeve që blejnë naftë ruse dhe gjithashtu njoftoi një rritje të planifikuar të tarifave ndaj Indisë, ai nuk njoftoi sanksione të reja siç pritej dje pasi ultimatumi i tij ndaj Moskës për të rënë dakord për një armëpushim skadoi.
