Donald Trump
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk është i shqetësuar për shpërthimin e një lufte rajonale në Lindjen e Mesme, pas sulmeve ajrore izraelite ndaj Iranit. Në një intervistë telefonike për agjencinë Reuters, Trump tha se bisedimet mes përfaqësuesve të SHBA-së dhe Iranit janë ende të parashikuara të zhvillohen nesër, edhe pse nuk është i sigurt nëse do të ndodhin realisht.
“Irani ka pësuar një goditje shkatërrimtare. Ne e dinim gjithçka për sulmin. Unë përpiqesha ta shpëtoja Iranin nga poshtërimi dhe vdekja”, deklaroi Trump, duke iu referuar operacioneve të fundit që shënjestruan objektiva bërthamore iraniane dhe që, sipas mediave amerikane, kanë goditur rëndë edhe drejtuesit ushtarakë të vendit.
I pyetur nga Axios nëse këto sulme izraelite kanë reduktuar mundësitë për një marrëveshje bërthamore me Iranin, Trump u shpreh i kundërti: “Ndoshta është e kundërta, ndoshta tani ata do të negociojnë seriozisht.”
Ai shtoi se kishte vendosur një afat 60-ditor për Teheranin që të arrinte një marrëveshje, por ky afat përfundoi dje: “U dhashë 60 ditë, sot ishte dita e 61-të. Duhej të kishin bërë një marrëveshje. Ishin afër, duhej ta kishin bërë, ndoshta tani do të ndodhë.”
Sipas Trump, pas sulmeve izraelite, Irani ka tani një nxitje më të madhe për të negociuar një marrëveshje bërthamore.
Lajmi kryesor:
Izraeli sulmoi Iranin, Teherani i kundërpërgjigjet me qindra raketa në Tel Aviv, shpërthime edhe në Jerusalem! 63 të plagosur (VIDEO+FOTO)
K.M/ReportTv.al