Politikë

Çështja e detit në Hagë/ Rama për televizionin grek: Humbëm shumë nga vrulli i parë! U dogj jorgani për 1 plesht, duhet palët të ulen e punojnë! Me Greqinë marrëdhënie skizofrenike, të hiqet ligji i luftës

25 Shkurt, 20:50| Përditesimi: 26 Shkurt, 00:22

  • Share

Kryeministri Edi Rama dha mbrëmjen e sotme një intervistë për televizionin grek, MEGA ku u pyet për një sërë çështjesh: Nga marrëdhëniet me Greqinë, tek integrimi i Shqipërisë në BE, të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, figurën e kryepeshkopit Anastas dhe investimin e Jared Kushner. Kryeminstri u pyet dhe për presidentin Trump rolin e tij në raport me Europën, luftën në Ukrainë si dhe marrëveshjen me Italinë për emigrantët.

Rama tha se Shqipëria nuk ka ndryshuar qëndrim, pavarësisht se kanë kaluar 5 vite nga dakordësia që zgjidhja e çështjes së kufijve detarë dhe përcaktimi i Shelfit Kontinental dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive, t’i besohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagë.

Por se kjo kërkon që të dyja palët të ulen e punojnë e të mos shpërqëndrohen nga gjërat që ndodhin, duke iu referuar 'ftohjes' me Athinën pas arrestimit të Fredi Belerit.

Rama mohon që minoriteti grek të ketë probleme me pronat, apo aq më keq të bëhet fjalë për grabitje të tyre. Ai thekson se problematika me titujt e pronësisë ekziston si për shqiptarët ashtu edhe për minoritetin grek duke i cilësuar akuza të rënda ato për grabitje tokash. 

Rama vuri theksin dhe tek domosdoshmëria për ti dhënë fund ligjit absurd të luftës që vijon të jetë mes dy shteteve. 

Pjesë nga Intervista

Prej 4 vitesh e gjysmë, u ra dakord që çështja e detit të shkojë në Hagë, por kompromisi ende nuk është hartuar, pse kaq shumë vonesë?

Edi Rama: Sepse hyri diçka tjetër në mes. Siç e dini mirë, ne jemi shumë të ngjashëm. Ne kemi një thënie: Të djegësh jorganin për një plesht

A keni afat që procesi të përmbyllet?     

Mendoj se kemi humbur shumë nga vrulli i atij momenti. E nisëm shumë mirë kur Kyriaskos erdhi në qeveri. Ishte moment i mirë në kohë. Kishim pikëpamje shumë të përbashkët për thellësinë e rëndësinë e marrëdhënies tonë. Donim që të ecnim para me disa çështje të mbetura pezull. Për ne është e rëndësishme t’i jepet fund ligjit absurd të luftës. Ligjërisht jemi në luftë.

Po është shfuqizuar?
Jo nuk është shfuqizuar dhe duhet të shfuqizohet. Ajo çfarë ka ndodhur është se kemi nënshkruar një traktat miqësie por ligji është në fuqi. Kështu sipas traktatit jemi miq shumë të ngushtë por armiq sipas ligjit të luftës. Kjo është njëfarësoj marrëdhënia skizofrenike që kemi si fqinj.

A po i kombinoni të dyja çështjet?

Ajo çfarë kemi diskutuar dhe kam thënë përherë dhe cfarë ka thënë përherë kryeministri juaj është se na duhet të pastrojmë të shkuarën. Për ne është e rëndësishme demilitimi i zonës detare. Është një çështje që duhet të zgjidhim.

A ka afat për kompromisin për ta çuar në Hagë?   

Kërkon që të dyja palët të ulen e punojnë e të mos shpërqëndrohen nga gjërat që ndodhin dhe të na mbajnë peng për një kohë të gjatë, por Shqipëria nuk ka ndryshuar qëndrim.

Nuk ka diçka që e keni rimenduar?
Jo nuk e kemi rimenduar. Unë drejtoj një qeveri që në programin e vet qysh kur ishte në opozitë e ka shprehur qartë që një nga shtyllat është trekëndëshi i partneritetit strategjik me Italinë Greqinë e Turqinë. Greqia është partner strategjik e duam të jemi shumë pranë e të bëjmë shumë më tepër.

Ka  që thonë se Shqipëria po e vonon procesin e kompromisit dhe e çuarjes në gjykatën e Hagës se nuk e do Turqia?

Po qesh se dhe këtu jemi të ngjashëm. Gjatë zhvillimit të çështjes që na bllokoi kam parë teori të çmendura konspiracioni në median greke. Këtu pastaj jam mësuar se dhe këtu jemi shumë krijues.Interesante është se teoritë konspirative nuk bazohen në prova.

Ishte kundërshtari juaj politik që thoshte se Turqia ju ka bërë që të ktheheni kundër marrëveshjes?

E kuptoj por këto nuk janë prova, është teoria e konspiracionit kundër meje. Nuk ka aspak lidhje. Kurrë ndonjëherë në këtë marrëdhënie të gjatë presidenti Erdoan nuk më ka përmendur një gjë të tillë. E përsëris idenë time. Interesi im dhe i Shqipërisë është që të ketë çdo gjë në rregull me Greqinë. Ne mund të bëjmë shumë së bashku. Është për të ardhur keq që ndalojmë të bëjmë aq sa mundemi.

Nuk ka afat specifik?

Jo është diçka që kërkon që të dyja palët të kenë të njëjtën afat kohor e të punojnë me të njëjtën kohë.

Ora 22:51
Rama tregon marrëdhënien me kryepeshkopin e ndjerë Anastas, zënka për murin e Kishës

Rama në intervistën me televizionin grek tregon marrëdhënien e tij me kryepeshkopin Anastas

Me kryepeshkopin Anastas kemi pasur një zënkë vetëm një herë e ka pasur të bëjë me arkitekturën, asgjë tjetër. Patëm një zënkë për murin rrethues të kishës. Ne patëm një bisedë, jo zënkë, sic unë bëj bisedat për xhamitë. Nuk jam i sigurtë që të ndërtosh kisha e xhami siç janë ndërtuar shekuj më parë është ide e mirë për shekullin tonë, por kjo është konceptuale. Patëm debat për murin rrethues se besoj se është blasfemi. Tempujt janë tempujt. Jo kemi qenë shumë mirë me të.

A është një humbje për Shqipërinë vdekja e kryepeshkopit Anastas?

Ishte burrë i jashtëzakonshëm. Të vjen keq për baltën e fjalët e pajustifikuara të hedhura kundrejt tij vetëm se ishte grek dhe mënyra si i përballoi ishte madhështore. Nuk u përgjigj kurrë. Mënyra si kaloi stafetën ishte e jashtëzakonshme. Erdhi si prift grek dhe iku si Anastasi shqiptar.

Ora 22:23
Rama intervistë për televizionin grek: Nuk ka territore shqiptare në Greqi, por toka ku shqiptarët jetonin më parë! S'ka Vorio Epir në Shqipëri

 

Për televizionin grek Mega, kryeministri Edi Rama iu përgjigj dhe pyetjes së gazetares në lidhje me termin e Vorio Epirit. Rama mohoi se do të ketë një takim tjetër në Greqi me shqiptarët për zgjedhjet e 11 majit  por lajmëroi se do të udhëtojë drejt vendit fqinj për të marrë pjesë në panairin e punës. 

Pyetje: Zgjedhjet janë pas 3 muajsh? A do ta përsërisni vizitën në Greqi a keni plan të takoheni me shqiptarë atje?

Edi Rama: Mund të shkoj por jo në këtë mënyrë. Tashmë po zhvillohet procesi i regjistrimit. Është më tepër puna në terren e grupeve dhe e njerëzve. Nuk ka të bëjë me fushatën. Ka një plan. Nuk jam i sigurtë kur do të materializohet për një panair pune për shqiptarët të punojnë në Shqipëri. Jo fushatë. E kam bërë. Ishte një eveniment shumë i bukur dhe I vështirë për tu përsëritur. Ai eveniment i pari pas shumë vitesh dhe kishte shumë njerëz. Ishte shumë emocional

Nëntorin e kaluar vizituat Selanikun. Në fjalimin tuaj zgjodhët të thonit ‘Vorio Epiri’ si term ka vdekur.

Edi Rama: Jo nuk e thashë gjatë fjalimit tim. Nuk përdor fjalimet e mija të them gjëra që janë të pakuptimta. Iu përgjigja një kolegu tuaj  më pas gjatë një konference shtypi me gazetarët grekë.

Një koleg i juaji më pyeti cfarë mendon për ‘Vorio Epirin” I thashë nuk ekziston. Ndoshta është një mënyrë për ju që të përshkruani një realitet të caktuar por jo për ne.  E dini çfarë është Vorio Epiri, është si të themi ne Shqipëria e jugut.

Athina shpesh ka deklaruar se rrugëtimi i Shqipërisë në BE kalon nga ne, si e intepretoni?

Edi Rama:  Sigurisht që rrugëtimi për në BE i çdo risthari kalon përmes dyerve të anëtarit të vjetër e Greqia ka një zë. Më shumë se kaq Greqia është më pranë për mirë e për keq, sic do fqinj, por unë dua të jetë vetëm për mirë. Është normale. Kur Shqipëria të bëhet anëtare do të jetë më e mirë për Greqinë se do të jemi më të fortë.

Ka pasur një komision dypalësh që ka ekzaminuar…

Edi Rama: E dini çfarë është Vorio Epiri, është si të themi ne Shqipëria e jugut.

Komisioni që përmenda po shikon ndryshimet në tekstet shkollore në të dyja vendet. Në Greqi termi Vorio Epir është hequr nga të gjitha tekstet shkollore. Kam lexuar që në dy klasa, të 9 dhe 12 ka një kapitull të titulluar territoret shqiptare në Greqi?

Edi Rama: Me aq sa di unë jo. Nëse ka diçka të tillë, nuk ështe e drejtë. Se nuk ka territore shqiptare ka territore ku shqiptarët jetonin më parë. Ashtu siç ka territore ku grekët jetonin më parë dhe jetojnë edhe sot

A duhet të jetë në tekstet shkollore?

Edi Rama: Territore shqiptare në Greqi nuk është gjëja e drejtë për tu thënë

A jeni i gatshëm ta shihni?

Edi Rama: Nuk jam i vetëdijshëm nëse ekziston, por nëse ekziston nuk është e saktë. Se i bie të luajmë mendsh, se do të nisim të shohim realitetet e së shkuarës e të sabotojmë të ardhmen tonë.  Unë e shoh të ardhmen tonë si europianë, natyrisht me zënkat tona por Europianë. Nuk e di çfarë do të thotë territore shqiptare në Greqi ashtu siç nuk di që çfarë do të thotë Vorio Epir.

Ora 21:55
Rama intervistë për televizionin grek: Rama: Është e tepërt të flasësh për grabitje pronash të minoritetit! Ne mund të hapim shkolla por ju duhet të dërgoni mësues

 

Në televizionin grek MEGA Kryeministri Edi Rama tha se minoriteti grek në Shqipëri nuk ka asnjë problem më shumë me pronat, se ato problematika që kanë të gjithë shqiptarët

Ai shtoi gjithashtu se është marrëzi të flitet për grabitje të pronave të minoritetit grek, gjë për të cilën sipas kryeministrit, nuk ka asnjë provë.

Pyetje: Kemi dëgjuar të flitet për grabitje tokash për qëllime turistike. Ka njerëz që thonë se synimi është të fshijë popullsinë greke nga zona.

Edi Rama: Kjo është teori e marrë sepse nuk mbështetet në prova. Këto janë akuza mjaft të rënda dhe duhet të bazohen në prova. Të flasësh për grabitje është e tepërt. Nuk ka asnjë rast. Zero. Asnjë rast që një pronë pritave të jetë marrë nga qeveria. Së dyti të gjitha hotelet apo resorset janë ndërtuar mbi bazën e kontratave private

Nuk është problem i pakicës greke por i Shqipërisë. Kemi bërë punë por ka shumë për të bërë

Thonë se nuk kanë titujt e pronësisë?
Ka shumë qe e kanë këto tituj pronësie mbi të cilat firmosin kontrata e marrin para.  

... 

Meqë ra fjala kryeministri juaj është mjaft i vëmendshëm ndaj çështjeve të pakicës greke në Shqipëri... Nuk kam parë njeri me kaq shumë vëmendje. ..

I vetmi problem është që ministria e Arsimit e Greqisë duhet të ofrojë mësues. Se ne mund të japim leje për të hapur shkollën. Nuk kemi problem nëse është private apo publike, por duhet që ju të dërgoni mësues.

Ora 21:39
Trump kërcënim për votën demokratike? Rama intervistë për Mega: Në 2016 s'i kisha të gjithë flokët e bardhë, isha më i ri! Sot kam ndryshuar mendim

Kryeministri Edi Rama dha një intervistë për televizionin grek MEGA.

Pyetje: Cili është qëndrimi juaj për bisedimet aktuale mes ShBA- Rusisë për luftën në Ukrainë pa Ukrainën dhe pa BE.

Edir Rama: Jetojmë në kohëra revolucionare. Ne duhet të jetojmë me të, të reagojmë ndaj kësaj, të mos ankohemi e të mos mendojmë se status quoja me të cilin jemi mësuar mund të na ndihmojë.

Kur bëhet fjalë për këtë pyetja ime nuk ka të bëjë me SHBA e Rusinë por Europën. Çfarë po bën Europa në këto rrethana ku SHBA e Rusisë po diskutojnë për një gjë që ka të bëjë me Europën. Më duhet tju them se këto janë ato raste kur ndjej keqardhje për miq e kolegët e mi që janë në krye të Europës se ju duhet të bëjnë zgjedhje të vështira dhe nuk u kam aspak zili.

A jeni dakord me ata që thonë se kamungesë qeverisjeje në BE?
Europa është projekti më i mrekullueshëm i njerëzimit, por kështu siç është Europa ngjan me një pacient me 27 mjekë. Nuk është panoramë që të jep forcë e siguri. Jo vetëm se janë 27 mjekë por dhe patologë.

A ka kërcënim ekzistencial Europa?
Është fjalë e madhe, por më keq se kërcënimi ekzistencial do të ishte që ky kontinent të shndërrohej në i parëndësishëm.

Në 2016 shkaktuat reagime kur thatë se një fitore e mundshme e Trump do të ishte dëm për votën demokratike. A keni ndryshuar mendje?

Në 2016 nuk i kisha të gjithë flokët e bardhë. Isha më i ri dhe ai nuk ishte president ishte kandidat. Më pas u bë president. Munda ta shoh në veprim nga afër, e sigurisht kam ndryshuar mendim. Për më tepër mendoj se nëse Europa do të fajësojë Trump për situatën e saj do të ishte gabim i tmerrshëm.

Nëse NATO do të garantojë një marrëveshje të mundshme të paqes në Ukrainë, a do të ishit I prirur për të dërguar trupa për të zbatuar marrëveshjen me Ukrainë. Kemi dëgjuar që kryeministri britanik të thotë Po?

Unë jam shumë më i gjatë se kryeministri britanik por vendi im është më I vogël. Është shumë më komplekse sesa kaq.  Nuk duhet të vazhdojmë të mendojmë në mënyrë lineare. Nuk është vetëm një por janë një sërë gjërash.

Kur mendoni se do të jeni anëtarë me të drejta të plota në BE dhe çfarë është gjëja më e vështirë që Shqipëria duhet të ndryshojë për të përmbushur kriteret e anëtarësimit?

I gjithë procesi nuk është I lehtë. Të negociosh me BE është shumë sfiduese se ka të bëjë me të ndryshuarit dhe transformimin e vetes dhe ta bësh pjesën e një mozaiku shumë të madh. Është proces shtetndërtimi demokratik e ne kemi bërë shumë. Sot kemi 12 milionë turistë. Kemi aeroportin me rritjen më të madhe në Europë. Ka ndryshuar dicka thelbësore. PBB është rritur më shumë se dyfish gjatë këtyre viteve që jam në detyrë. Të ardhurat tona janë rritur më shumë se dyfish, por duhet të bëjmë më tepër.

Na duhej Vladimir Putin që Europa të zgjohej për të shtyrë këtë proces, e kemi plan që brenda 2027 ta mbyllim pjesën teknike. Objektivi im është 2030 të jemi së bashku në të njëjtën familje të madhe.

Ora 21:20
Si janë marrëdhëniet shqiptaro - greke? Rama: Tani janë mirë, mund të jenë shumë më mirë! Për një farë kohe ishin keq, por jemi në rregull tani

Kryeministri Edi Rama dha një intervistë për televizionin grek MEGA.

Pyetje: Si do i përshkruanit marrëdhëniet shqiptaro – greke aktualisht, sepse dalim nga shumë muaj që kishte trazi të madhe nga Fredi Beleri ku jemi sot?

Edi Rama: Mendoj se ne vijojmë të kemi problem që jemi fqinj shumë të vjetër por në të njëjtën kohë, fqinj shumë të rinj, sepse patëm ndërprerjen prej 50 vitesh e rrugët tona ishin krejt të ndara…. Në disa raste kemi qenë viktima të kësaj të shkuare, por sot më shumë sesa një herë kemi pasur provën që jemi shumë të ngjashëm. Kaq shumë ballkanikë, mesdhetarë, emocionalë, dhe pengje të historisë sonë.  Por unë kam bërë të qartë se historia mund të jetë ose kurth i madh ose burim i madh për të ecur para. Sfida është ta shohësh historinë me sytë e të ardhmes.

Marrëdhëniet tani janë mirë, mund të jenë shumë më mirë. Për një farë kohe ishin keq, për një çështje që ishte shumë e rëndësishme për palën greke ndërsa për ne ishte një mes shumë çështjesh por jemi në rregull tani

Pyetje:  Për ta përmbyllur cështjen Beleri, kam dëgjuar që anëtari i PE-së do ta çojë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, nëse do të ketë një vendim të mundshëm kundër vendit tuaj do ju prekte?

Edi Rama: Jo jetojmë në një vend demokratik. Europa është familje demokratike dhe Gjykata Europiane është e gjithkujt. Gjykata do të bëjnë atë që duhet të bëjnë.

 

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Likja-313: 25/02/2025 21:20

    Dridhe Like Dridhe! Ske kundershtar sot e 100 vjet, vec kur te dali ndonje Bangladeshas i vockel mbas 40 vitesh mund te konkuroi!

    Përgjigju
  • Top: 25/02/2025 21:19

    Kete e ka poshteruar Micotaqi. E palosi.

    Përgjigju
    • Leshi: 25/02/2025 21:52

      Ia mori te keqen Micotaqi gjigandit Rama Micoja dhe shume e shume te tjere. Mbaje kete vath ne vesh.

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?