Donald Trump dhe Elon Musk

Bota

Trump mesazh botës e mbështetësve një ditë para betimit: 'Do ndal luftrat, edhe atë në Ukrainë! Brenda 24 orëve i japim fund pushtimit të kufijve'

20 Janar, 08:05| Përditesimi: 20 Janar, 09:31

  • Share

WASHINGTON- Pas Gazës, ku «situata mbetet shumë e trishtuar», radhën e ka Ukraina, sepse «miliona njerëz po vdesin në një luftë të pakuptimtë».

Sapo kishte kaluar ora 20:00 e mbrëmjes së të shtunës (19 janar) kur Donald Trump nisi rrugën e tij për t'u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, në National Golf Club në Sterling, Virginia. Për të festuar, kishte mbledhur familjen, miqtë më të afërt si Paolo Zampolli, dhe një grup sipërmarrësish, duke përfshirë Jeff Bezos, David Solomon të Goldman Sachs dhe John Elkann. Ishte përgatitur dhe një spektakël fishekzjarrësh ku nuk mungoi as imituesi i Elvis Presley-t. Kur presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara hyri në sallën me pasqyra dhe llambadarë kristali,  ishte e lirshme dhe e qetë.

«Faleminderit Steve Witkoff — filloi Trump — që u bë i famshëm brenda dy javësh, shumë më shpejt se unë. Kisha nevojë për dikë që të negocionte për lirimin e pengjeve në Gaza dhe ai bëri një punë të jashtëzakonshme».

Duke parë përreth, ai shtoi me shaka: «Në këtë dhomë ka shumë negociatorë të mëdhenj. Besoj se Jeff dhe David do të jenë të gatshëm, por Steve ishte i jashtëzakonshëm».

Megjithatë, Trump, që do të duhet të zbatojë marrëveshjen nga Shtëpia e Bardhë, nuk kishte iluzione:

«Marrëveshja është komplekse dhe situata shumë e trishtuar. Nuk mund ta mohoj, është me të vërtetë shumë shumë e vështirë».

Trump falënderoi të pranishmit dhe reflektoi:

«Ka qenë një periudhë shumë interesante. Fituam një palë zgjedhje ku na konsideronin të favorizuar, por nuk prisnin ta bënim me një diferencë prej të paktën dhjetë milionë votash».

 Megjithëse numrat nuk përputhen me realitetin, ai e përdori këtë rast për të thumbuar Bezos:

«Washington Post-i i tij ishte i lumtur të raportonte për triumfin tonë».

Ai paralajmëroi gjithashtu kolegët republikanë:

«E kemi bërë partinë republikane një parti kryesore», jo më rezervë e elitës së pasur, por të preferuarën e klasës së mesme dhe punëtore.

Nuk i pëlqen ta përshkruajë fitoren si një rikthim: «Thonë që ishte rikthimi më i madh në histori, por unë nuk e shoh kështu, sepse nuk isha larguar dhe, për rrjedhojë, nuk u riktheva».

Në sallë, vuri re  CEO-n e SoftBank, Masayoshi Son, dhe e ftoi t’i bashkohej: «Më tha se do të investojë 500 miliardë dollarë në SHBA. Fillimisht tha 100, pastaj e rriti në 200 dhe tani premton 500. Ky është një shenjë e epokës së artë që na pret».

Më pas ai iu drejtua familjes:

«Dua t'ju falënderoj të gjithëve. Melania, Tiffany, Eric dhe Don. Diku është dhe Barron; nëse ngrihet në këmbë, nuk mund të mos e vini re. Ja ku janë Ivanka dhe Jared. Jemi një familje e madhe, e veçantë». Megjithatë, Trump nuk i kurseu shakatë: «Disa prej tyre kanë një zemër të madhe. Të tjerët janë paksa të dhunshëm. Nuk do t’ju them se kush, por... Oh, përshëndetje Don, nuk e kisha parë që ishe këtu; po bën një punë të shkëlqyer».

Momenti i shakasë mbaroi shpejt:

«Ishte një zgjedhje e shkëlqyer. Mendoj se në botë nuk ka pasur prej kohësh një ndjenjë lehtësimi si tani, një dritë. Kur lashë Shtëpinë e Bardhë, nuk kishte luftëra. Tani miliona po vdesin në Ukrainë. Është një masakër: ushtarë dhe civilë po vriten, qytetet janë kthyer në vende rrënoje. Viktimat janë shumë më tepër nga ato që raportohen, miliona. Duhet ta ndalojmë këtë kasaphanë të pakuptimtë».

Plani i tij përfshin një ngrirje të vijës aktuale të frontit, pa njohur territoret e pushtuara nga Rusia. Heqja dorë ose shtyrja e anëtarësimit të Kievit në NATO dhe hapja e negociatave. Zelensky mund të detyrohet të negociojë duke i hequr ndihmat ushtarake, të cilat do të shtoheshin nëse Putin nuk pranon dialogun.

Më pas, janë gati dekretet që ai do të firmosë sot. Janë mbi 170, sipas burimeve: Shtrëngime në emigracion, rifillimi i shpimeve për energji, largimi nga Marrëveshja e Parisit për Klimën dhe ndoshta nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Pasi përfunduan fishekzjarrët, Trump u nis për në Blair House, ku kaloi natën. Rreth orës një të mëngjesit, ai shkoi nën shi në varrezat e Arlingtonit për të nderuar të rënët.

 Të dielën, ai mori pjesë në një tubim në Capital One Arena, i fundit me mbështetësit e tij MAGA, ku ishin të pranishëm edhe disa të dënuar për sulmin në Kongres.

 «Fituam, do ta rimarrim vendin. Katër vite të gjata rënie përfundojnë me betimin tim. Do ta bëjmë Amerikën të madhe sërish. Brenda nesër në mbrëmje (sipas tij) do të ndalojmë pushtimin e kufijve tanë». Ai brohoriti për kthimin e TikTok-ut: «Më pëlqen, duhet ta shpëtojmë».

Në fund, ai dërgoi një mesazh për botën: «Ishim në prag të Luftës së Tretë Botërore; tani nuk do të ndodhë më». Në skenë doli edhe Elon Musk, i ndjekur nga djali i tij X. Mes duartrokitjeve të publikut, ai mori fjalën: «Presim të bëjmë shumë ndryshime. Fitorja është vetëm fillimi», tha, duke e përshkruar djalin e tij X si një «përkrahës entuziast» të Trump-it. / Repubblica/ 

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Betohet Trump, a do të ndryshojë politika e SHBA-ve ndaj Shqipërisë?