Presidenti Donald Trump ka deklaruar këtë të premte (7 mars 2025) se po shqyrton mundësinë e sanksionimit të Rusisë, deri në arritjen e një marrëveshje për armëpushim ose përfundimin e luftës në Ukrainë.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, tha në “Studio Live” me Arbër Hitajn, në Report Tv, se me këto deklarata Trump do të tregojë paanshmëri në rolin e ndërmjetësuesit për paqen në Ukrainë.
“Besoj që deklarata e zotit Trump është një mënyrë për të traguar një baraslargësia nga palët, duke marrë parasysh atë imazh që u krijua nga takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Zelensky. Nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë që javës tjetër ne do të kemi takime të tjera midis përfaqësuesve të administratës amerikane dhe qeverisë së Ukrainës, të cilët do të shkojnë në Arabinë Sauditë. Tashmë është fakt që bërë fakt që Arabia Saudite është përzgjedhur vendi ku po zhvillohen bisedimet për ndërmjetësimin e një armëpushimi dhe më pas arritjen e një paqjes mes Rusisë dhe Ukrainës.
Deklarata e zotit Trump përkundrejt një paralajmërimi që i bëri Rusisë, që në rast se ajo nuk do të nxitojë në një marrëveshje armëpushimi dhe pastaj paqja, Amerika do të kalojë në një plan B, duke vendosur sanksione",- tha Kamberi.
"Është hera e parë që pas ardhjes në Shtëpina e Bardhë paralajmëron Rusinë”.- shtoi ai.
Për ekspertin, administrata Trump ka prishur rehatinë e Bashkimit Europian në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes, e cila deri tani strehohej verbërisht nën ombrellën e NATO-s, ku financuese kryesore dhe më e madhja, ishte SHBA.
“Ka një frikë dhe një alarm, shpesh ky alarm nga analistë dhe gazetarë konsiderohet i ekzagjëruar, shpesh konsiderohet real, por në tërësi ajo çfarë e përmbledh të gjithë këtë reagim të Europës është që Europën kjo situatë e kapi të papërgatitur, veçanërisht sa i përket faktit që sjellja e presidentit Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, pas atij takimi shumë të debatueshëm me presidentin ukrainas, do të sillte një vështrim të ri dhe një sjellje të re edhe përkundrejt Europës dhe atyre politikave që kishte ndjekur deri më tani. Ka qenë një lloj tabuje që Europa të mendonte për një ushtri europiane megjithëse se ka pasur disa përpjekje që shtrihen që nga krijimi i Bashkimit Europian, por për shkak të NATO-s dhe fuqisë dhe rolit të Shteteve të Bashkuara, ka pasur një ndarje rolesh edhe në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, BE ka qenë organizata që ofronte paqen, ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin ata që e bënin paqen”,-theksoi Kamberi.
Komente
