Avokati Sokol Mëngjesi vijon të jetë në intubim, në koma në spitalin e Traumës. Burime nga spitali bëjnë me dije për Shqiptarja.com dhe Report Tv se avokati 45 vjeçar po mbahet në monitorim intensiv dhe do të pritet deri nesër për të parë reagimin e pacientit. Nëse gjendja e avokatit do të jetë e njëjtë, ditën e hënë mund të ulet doza e qetësuesve në mënyrë graduale dhe mund të shihet si do të reagojë pacienti.
Prej datës 29 Maj, avokati Mëngjesi vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve të Traumës reanimator dhe neurokirurg.
Ndërkohë dje Prokuroria e Tiranës zbuti akuzën ndaj të dyshuarve duke rikualifikuar veprën penale nga vrasje të funksionarëve publik e mbetur në tentativë në ‘plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim dhe kundërshtim dhe goditja e gjyqtarit, kryer në bashkëpunim.
Gjykata e Tiranës caktoi arrest me burg ndaj Dritan Nanos të dyshuar si organizator të dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, edhe pse ai mohoi të ketë lidhje. Dhëndri i tij Dorian Alia, i arrestuari i vetëm nga grupi i dhunuesve, tha se sulmi nuk ishte i organizuar, por se avokati i doli rastësisht para dhe e goditi për ta paralajmëruar të tërhiqte padinë kundër vjehrrit të tij për pronën te kullat e Ulajt te Liqeni.
Edhe për 3 agresorët e tjerët që janë në kërkim nga policia, Drivaldo Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, është caktuar masa ‘arrest me burg’ në mungesë.
Avokati u dhunua mëngjesin e 29 majit 2024 sapo la djalin në kopsht në zonën e ish-bllokut. Dorian Alia 32-vjeç i cili u vetëdorëzua, ka pranuar se porositës i sulmit është Dritan Nano. I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si paralajmërim që avokati 45 vjeçar të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit.