Kronikë

U gjet i vrarë në Spanjë, ‘ushtari’ i Visit të Pojës personi i fundit që takoi Miklovan Dakajn! Policia spanjolle nis verifikimet për ADN-në me familjarët

2 Shtator, 10:46| Përditesimi: 2 Shtator, 15:18

  • Share

Trupi i pajetë që u gjet në brigjet e Marbellës në Spanjë, do t’i nënshtrohet analizave krahasimore të ADN-së të familjarëve, për të vërtetuar edhe shkencërisht, nëse është apo jo Miklovan Dakaj, shkodrani i zhdukur më 12 maj të këtij viti.

Report Tv mëson se autoritetet spanjolle kanë marrë ADN-në e vëllait dhe vajzës së 30-vjeçarit, dhe pritet që shpejt të kemi përgjigjen e analizave. Deri në këtë përgjigje, familjarëve të tij në Spanjë dhe në Shkodër nuk i është komunikuar se trupi i pajetë është i 30-vjeçarit.

Ishte denoncimi i gruas së 30-vjeçarit shqiptar në Spanjë që vuri në lëvizje autoritetet atje të cilat nisën menjëherë bashkëpunimin me policinë shqiptare. Njëherazi edhe familjarët e tjerë denoncuan në policinë e Shkodrës.

Burime nga policia, thonë për Report Tv, se nga pamjet e kamerave të sigurisë në Spanjë u zbulua se personi i fundit që Miklovan Dakaj kishte takim pak pas zhdukjes, ishte Juxhin Drazhi. Ky personazh, gjatë gushtit u arrestua në Spanjë, jo në lidhje me zhdukjen e Dakajt, por për llogari të SPAK-ut, i dyshuar për trafik kokaine, pjesë e grupit të Elvis Doçit, i njohur si “Visi i Pojës”.

Tashmë, Drazhi do të merret në pyetje edhe për zhdukjen e më tej vrasjen e 30-vjeçarit nga Shkodra, por deri më tani nuk ka prova konkrete që e lidhin atë me zhdukjen.

Bashkëshortes së shqiptarit, i mbërriti një mesazh në aplikacionin Telegram, se nuk duhej ta kërkonin më Miklovanin pasi ishte vrarë dhe hedhur në det. Policia spanjolle po e ekzaminon edhe këtë mesazh për të gjurmuar dërguesin.

Hetuesit spanjollë janë duke kërkuar edhe për lidhje të mundshme të Miklovan Danaj me trafikun e kokainës dhe grupet me të cilat ai mund të kishte pasur përplasje për pazaret e drogës. Po ashtu, policia shqiptare ka nisur marrjen në pyetje të familjarëve të Danajt mbi dijeninë që ata kanë për aktivitetin e tij.

1756803718_juxhindrazhi.png

 

Juxhin Drazhi (anëtari i grupit të Visit të Pojës) dhe Dakaj që u gjet dje i vdekur në Spanjë

Ora 11:08
Personi i fundit që takoi Miklovan Dakajn, kush është Juxhin Drazhi, anëtari i grupit të Visit të Pojës dhe arrestimi në vilën luksoze në Spanjë për llogari të SPAK (VIDEO)

34-vjeçari Juxhin Drazhi është personi i fundit që ka takuar Miklovan Dakajn, i cili rezultonte i zhdukur që prej muajit maj dhe u gjet i vdekur një ditë më parë në Marbella të Spanjës. Autoritetet spanjolle nuk kanë ende asnjë provë që e lidh Drazhin me zhdukjen e Dakajt, por gjithsesi ai do të merret në pyetje. Drazhi është arrestuar më datë 8 gusht në Spanjë për llogari të SPAK, pasi akuzohet për trafik droge në kuadër të operacionit ura që çoi në goditjen e grupit të Visit të Pojës.

Edhe Drazhi rezulton një prej anëtarëve të grupit të Elvis Doçit, i njohur si Visi i Pojës, i cili është ende në kërkim. Në prill, GJKKO i caktoi Juxhin Drazhit masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për tre vepra penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Ai u arrestua më 8 gusht në një shtëpi luksoze në Almuñécar (Granada) nga oficerët e Gardës Civile të Malagas. Policia ra në gjurmët e tij pasi konstatoi se në një shtëpi të izoluar në zonën në fjalë po ndërmerreni masa të shumta sigurie, gjë që solli dyshime.

Sipas raportimeve, ai kishte edhe një eskortë. Me të vënë re praninë e policisë, 34-vjeçari ka tentuar që t’ia mbathë përtej shpatit të malit, por u kap nga oficerët që rrethonin shtëpinë.

Më herët SPAK i sekuestroi 34-vjeçarit Juxhin Drazhit edhe firmën 'Majestic Construction' dhe 9 prona në kuadër të këtij operacioni.  “Ura” kishte në fokus tre grupe të krimit të organizuar, me aktivitet të gjerë në trafikimin ndërkombëtar të drogës, kokainë e heroinë, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.  

Hetimet nisën në 2016-ën dhe u intensifikuan në 2020-ën, ku zbuluan se rrjetet kriminale trafikonin drogë në Itali dhe vende të tjera të Evropës. Nga përgjimet dhe monitorimet, përfshirë bisedat e koduara SkyECC, u dokumentuan transaksione CASH deri në 5 milionë.

1756804501_juxhindrazhi.jpg

Juxhin Drazhi dhe momenti i arrestimit më 8 gusht në Spanjë
SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?