Vlorë- U plagos në ‘Gjirin e Gramës”, pranë Karaburunit, teksa u zhyt nga lartësia e një shkëmbi në det, Policia Kufitare e Dhërmiut ndihmon të miturin turist të huaj, duke e dërguar në urgjencë.
Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së sotme, kur uniformat blu u njoftuan për një rast emergjent në ‘Gjirin e Gramës’, teksa i mituri ishte hedhur nga një shkëmb i lartë në det dhe për pasojë, kishte pësuar dëmtime në kokë, duke kërkuar ndihmë mjekësore të menjëhershme.
“Menjëherë, nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, u transportua me mjet lundrues ekipi mjekësor drejt vendit të ngjarjes, ku të miturit iu dha ndihma e parë mjekësore. 12 vjeçari me shtetësi të huaj, i shoqëruar nga prindërit e tij, u transportua më pas drejt spitalit për trajtim të mëtejshëm, jashtë rrezikut për jetën”, bëri me dije policia vendore.
Policia Kufitare konfirmon edhe angazhimin e saj të garantuar sigurinë dhe për të ofruar ndihmë në çdo situatë emergjente.
“Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Vlorë u bën thirrje pushuesve që frekuentojnë plazhet e jugut, në zona të thella e të izoluara, si Gjiri i Gramës, të tregojnë kujdes të shtuar, pasi këto vende janë të aksesueshme kryesisht me mjete lundruese dhe nuk kanë mbulim me rrjet celular në të gjitha rastet. Në situata emergjente, ndërhyrja mund të kërkojë kohë. Rekomandohet të shmangen veprimet e rrezikshme dhe të merren masa paraprake për sigurinë personale”, këshillon policia.
Komente

Bravo policia e shtetit ne keto raste
Përgjigju