U largua nga Garda pas 11 vitesh, Alibeaj hedh dyshime për Gramoz Sakon: Ka dalë në komunikimet në ‘Sky ECC’

1 Mars, 13:28| Përditesimi: 1 Mars, 15:00

  • Share

Ndryshimet në ligjin për Gardën e Republikës kaluan me debate te Siguria. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ngriti dyshime për atë që ai e quajti rakordim të dorëheqjes së Gramos Sakos dhe prezantimit të menjëhershëm të këtyre ndryshimeve, të cilat pas miratimit sjellin emërimin e kreut të ri përmes një gare të hapur. Alibeaj shkoi më tej me dyshimet e tij për shkaqet e largimit të Sakos, duke përmendur edhe mundësinë e përfshirjes së tij në komunikimet në “SkyECC”.

‘Çështja e telefonave të enkreptuar “SkyECC”. Paska një teori sipas të cilës edhe drejtori i dorëhequr i Gardës së Republikës qenka i përfshirë. Iniciativë e kamufluar e Nasip Naços, i cili bashkë me Ministrinë e Brendshme thonë që nuk kanë pasur asnjë diskutim për të ndryshuar ligjin për gardën. Por, pse pikërisht ditën e dorëheqjes Naço nxori amendamentin për ndryshim të ligjit. Cili zog ua tregoi në dritare nëse nuk keni komunikuar? Por Z. Naço mund të ketë ditur të dhënat nga përdorimi i telefonit “SkyECC”, që ia jep atribut detyra në krye të Komisionit të Sigurisë Kombëtare.’- tha Alibeaj.

Ndryshimet Alibeaj i konsideron politike dhe me emra të paracaktuar, duke pasur parasysh se tashmë kreu i ri i Gardës mund të jetë edhe jashtë saj, mjafton të ketë eksperiencë 10-vjeçare në siguri. Alibeaj foli edhe me emra, ndërsa deklaroi se po jepet me koncesion.

‘Njëri emër i përfolur është z. Çako. Flitet për një tjetër, akoma me e rëndë, një individ nga sektori privat me inicialet E.O., punonjës i një koncesionari të madh afër qeverisë. Jeni duke e dhënë me koncesion.’- u shpreh Alibeaj.

Kreu i Komisionit të Sigurisë, njëherësh edhe propozues i ndryshimeve në ligjin e Gardës, Nasip Naço, dha një koment të shkurtër për pretendimet e Alibeajt.

‘Zoti Alibeaj nëse më dëgjon, merre detyrë shtëpi dhe gjej koncesionarin dhe thuaje publikisht. Nxirre lepurin nga barku.’- tha Naço.

Një përgjigje e kishte deputeti i mazhorancës, Xhemal Qefalia, i cili kujtoi Gardën që qëlloi për vdekje 4 protestues të 21 janarit.

‘Shqiptarët e kanë të qartë kur ishte e politizuar Garda, kur njerëzit merreshin dhe hidheshin mish për top apo u jepeshin armë dhe qëllohej mbi mishin e protestuesve.’- u shpreh Qefalia.

Ndryshimet të tjera të ligji i Gardës përfshijnë edhe ruajtjen e personaliteteve të tjera, përveç kreut të Kuvendit, Presidentit dhe Kryeministrit, vetëm në rast se u rrezikohet jeta dhe kjo me afate të caktuara nga Këshilli i Ministrave.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?