Artur Zheji do të përcillet për në banesën e fundit nesër. E diela ka vetëm ceremonie private, me familjen që do pret të afërmit dhe miqtë e ngushtë, ndërsa të hënën paradite, do të zhvillohen homazhe pranë Akademisë së Arteve, duke filluar nga ora 10:00-12:00.
Aty ku Zheji studio dhe u diplomua për regjisurë, do ta përshëndesin miqtë, kolegët, bashkëpunëtorët dhe ndjekësit e tij, për tu përcjellë në fund në Varrezat e Tufinës.
Gazetari dhe publicisti i dalluar për mprehtësinë e fjalës dhe thellësinë e mendimit, ndërroi jetë befasisht nga një arrest kardiak ditën e shtunë, në Sarandë, ku po festonin ditëlindjen e të birit. Ambulanca që erdhi ta ndihmonte, nuk e shpëtoi dot.
Ikja e tij e parakohshme, në moshën 64-vjeçare, bashkoi të gjithë aktorët e politikës, të cilët e vlerësuan si mik, bashkëpunëtor dhe gazetar.
Së fundmi, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke i njohur Zhejit merita të veçanta, për rolin gjatë viteve të luftës.
“I tillë ishte Artur Zheji, fjala e të cilit nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen. Ai ishte jo thjesht një reporter i luftës, por një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar, një dokumentues i angazhuar, që ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja jonë e të rritej jehona e kërkesës sonë të drejtë për liri!”, shkroi Kurti.
Zheji vinte nga një familje e shquar në botën e artit dhe letrave. I ati Petro Zheji, i përkiste plejadës si përkthyes e dijetar, ndërsa e ëma, Besa Imami, ishte aktore.
Artur Zheji studioi për regji, e më pas punoi si dramaturg. Në vitet e para të demokracisë punoi në median italiane, për tu rikthyer gjatë luftës së Kosovës, me emisionin “Luftë apo Paqe”. Ka mbajtur funksione drejtuese në disa media, si tek RTSH, ATSH dhe gazeta Mapo.
Që nga viti 2017, Zheji drejtonte emisionin politik dhe analitik "360 Gradë", një tryezë debati për çështjet të vendit dhe botës. Ai spikaste në debatin publik, dhe me guxim, shkruante për shumëçka, Edhe për vdekjen, “Zonjën Madhështore, të pa korruptueshmen absolute”, siç e cilësonte në një refleksion, një vit më parë.
Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut ka reaguar për vdekjen e papritur të gazetarit Artur Zheji.
Ahmeti e quan Zhejin si një zë të guximshëm dhe të pavarur në hapësirën mediatike shqiptare. Sakaq ai shprehet se ‘humbja e tij la një boshllëk të madh në gazetari dhe në jetën publike shqiptare’.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe analistit të njohur Artur Zheji, në moshën 63-vjeçare. Arturi ishte një zë i guximshëm dhe i pavarur në hapësirën mediatike shqiptare. Ndonëse ndonjëherë në debate dhe diskutime publike kemi ndarë mendime të ndryshme, mirëpo gjithmonë me respekt dhe vlerësim të ndërsjellë, gjë që përbën dëshmi e integritetit dhe kulturës së tij të lartë intelektuale. Humbja e tij lë një boshllëk të madh në gazetari dhe në jetën publike shqiptare. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të tij. U prehtë në paqe dhe i qoftë e lehtë toka shqiptare.”, shprehet ai.
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe analistit Artur Zheji.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Arvizu shpreh dhimbjen për humbjen e një figure si Zheji, ndërsa kujton edhe takimin e tyre të fundit, disa vite më parë.
Mesazhi i plotë:
I dashur Artur! Së pari, i jam mirënjohës mikut tonë të përbashkët që më dha një zë në këtë moment të ndjeshëm, pasi nuk mund të jem në Shqipëri për t’u ndarë me ty personalisht.
Gjatë këtyre dy ditëve ditëve të fundit kam parë qindra madje mijëra lamtumira të përzemërta nga njerëz që të kanë njohur dhe dashur. Atyre me siguri do t’u mungosh. Ka pasur kaq shumë mesazhe prekëse, shpesh të përmbledhura në një fjalë të vetme: Ngushëllime. RIP. Lamtumirë.
Edhe unë ndiej trishtim. Kanë kaluar disa vite që kur u takuam për herë të fundit, bashkë me disa miq të dashur shqiptarë. Të tre ju ishit/jeni gazetarë profesionistë. Njerëz të mirë.
Më mungon Gazeta Mapo. E di që ti arrite shumë gjëra të tjera në jetën dhe karrierën tënde, por ajo ishte një gazetë e mirë—që ia vlen të kujtohet.
Gjatë katër viteve kur isha mysafir në vendin tuaj, takova kaq shumë shqiptarë të jashtëzakonshëm. Me disa prej tyre vazhdoj të jem ende në kontakt, edhe pas më shumë se dhjetë vitesh që u largova. Miqësitë që fitova dhe kujtimet që mora me vete do të zgjasin gjithë jetën.
Gjatë atyre viteve njoha shumë gazetarë dhe politikanë. Disa ishin miq të vërtetë, si ti. Shumë të tjerë ishin “të ashtuquajtur miq”, secili me agjendën e vet. Kjo është diçka që ndodh shpesh.
Në politikë, ashtu si në diplomaci, shpesh është e vështirë të shmangësh cinizmin. Ti gjete kohë për të më ndihmuar të kuptoja disa të vërteta të ftohta e të ashpra mbi jetën dhe politikën shqiptare se si luhet loja. Sigurisht që bëra disa gabime, por ti u përpoqe të më bëje të kuptoja gjërat që më duheshin për ta kryer punën time më mirë.
Ajo që vlerësova më shumë ishte se ti me të vërtetë dëgjoje. Bëje përpjekje të sinqerta për të kuptuar pse unë po përpiqesha të thosha ose të bëja diçka, dhe e bëje këtë pa gjykim. Për këtë, jam thellësisht mirënjohës.
Nuk do ta harroj kurrë atë takim të fundit, kur të përshëndeta duke të thënë: “Zheji i Madh!” Qeshëm të dy dhe ti e kuptove menjëherë se çfarë kisha parasysh. Herën tjetër kur të vizitoj vendin e takimit tonë të fundit, do të mendoj për ty. Deri atëherë, paqe dhe bekime për të gjithë ne", shkruan Arvizu.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dërguar një telegram ngushëllimi për familjen e gazetarit dhe analistit të njohur, Artur Zheji, i cili u nda papritur nga jeta një ditë më parë.
Në mesazh, Osmani thekson se Zheji la pas një boshllëk të madh në jetën publike, mediatike dhe intelektuale të vendit, duke e cilësuar atë si një zë të guximshëm, një mendimtar të lirë dhe një penë të shquar të gazetarisë shqiptare.
Osmani përmend gjithashtu edhe kontributin e Zhejit në dokumentimin dhe shkrimin për dhimbjet dhe shkatërrimet e shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë në Kosovë.
"Me dhimbje të thellë pranuam lajmin e ndarjes nga jeta të gazetarit dhe analistit të njohur, Artur Zheji. Ai u shua papritur, duke lënë pas një boshllëk të madh në jetën publike, mediatike dhe intelektuale të vendit. Artur Zheji do të kujtohet si një zë i guximshëm, një mendimtar i lirë dhe një penë e shquar e gazetarisë shqiptare.
Ai shkroi edhe për dhimbjet dhe shkatërrimet që kishte lënë pas regjimi gjenocidal i Serbisë në Kosovë. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit medial. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Artur Zhejit!", thuhet në mesazh.
Letra e Osmanit
Për ndarjen nga jeta të gazetarit Artur Zheji ka reaguar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Në një postim në rrjete sociale, Kurti shprehet se kujton bisedat që ka zhvilluar me të, duke e vlerësuar si një gazetar të rrallë. Përmend gjithashtu edhe angazhimin e gazetarit dhe jehonën që rriti për Kosovën.
“Artur Zheji, personalitet i medias së shkruar e asaj televizive është ndarë dje prej nesh në moshën 64-vjeçare. I kujtoj bashkëbisedimet me të, para apo pas kamerave, sepse të rrallë kanë qenë dhe janë gazetarët që, përtej lajmit të ditës, angazhohen e thellohen me seriozitet intelektual te çështjet e subjektet me të cilat ballafaqohen. I tillë ishte Artur Zheji, fjala e të cilit nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen.
I ati i lindur në Gjirokastër, intelektuali erudit dhe përkthyesi eklektik Petro Zheji. E ëma e lindur në Gjakovë, aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe e Kinostudios “Shqipëria e Re”, Besa Imami.
Duke ardhur prej një familje të tillë, është e kuptueshme pse Artur Zheji nuk mund t’ishte i përciptë në trajtimin e Kosovës dhe më gjerësisht shqiptarëve në rajon. Ai ishte jo thjesht një reporter i luftës, por një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar, një dokumentues i angazhuar, që ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja jonë e të rritej jehona e kërkesës sonë të drejtë për liri.
Familjes, të afërmve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe publikut të Petro Zhejit, u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje të madhe!”, shkruan Kurti.
Postimi i Kurtit për Zhejin
Komente

Ka qene nder gazetaret dhe analistet me te mire ne qarkullim,padyshim nje humbje e madhe si figure. Ngushellime familjes. Ajo qe dua te them megjithese nuk duhet te merret si polemike ne kete dite eshte pse nuk nderohen figura te tilla qe i kane sherbyer vetes,qytetareve dhe vendet dhe nje nder to ka qene edhe Agim Doçi,ndrit I paste shpirti,nder te rrallet ne shume fusha, si krijimtari,at,sport, muzike, etj. I pa perlyer me interesa pushteti e klanesh.
PërgjigjuNgushēllimet mē tē sinqerta pēr familjen e Gjergj Zheit.
Përgjigju