U plagos me kallashnikov në Vlorë, Diego Hanaj përdorte tre emra! Kishte pak ditë që ishte kthyer nga Holanda, 36-vjeçari: Nuk kam konflikt me njeri

7 Janar 2022, 09:59| Përditesimi: 7 Janar 2022, 10:34

  • Share

VLORË- Atentati i ndodhur në Vlorë në lagjen 'Pavarësia', ku mbeti i plagosur 36-vjeçari Diego Hanaj, ende nuk ka një autor, ndërsa i plagosuri nuk ka ndihmuar hetuesit në zbardhjen e ngjarjes. Në dëshminë e Diego Hanajt për efektivët e policisë, 36-vjeçari është shprehur se 'Nuk njoha njeri, dhe nuk kam konflikt me askënd'.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se 36-vjeçari përdorte tre emra Teki Haxhiraj, Teki Hanaj dhe Diego Hanaj dhe kishte disa ditë që kishte ardhur nga Holanda. Makina tip 'Audi' e autorëve, ishte me numër shasie të fshirë dhe targa të vjedhura në Tiranë, të dhënat të cilat u zbuluan nga filmimet e kamerave të sigurisë, por pa mundur të identifikojnë autorët. Makina kishte kaluar edhe herë të tjera në lagje, ndërsa dyshohet se lëvizjet e Diego Hanaj ishin ruajtur nga autorët.

Makina e autorëve u gjet e djegur në fshatin Trevllazën. Mjeti ishte djegur në një rrugicë qorre, që ka ndihmuar autorët të largohen më lehtë dhe pa rënë në sy, ndërsa brenda tij janë gjetur dhe dy krehëra kallashnikovi. Në drejtim të 36-vjeçarit Diego Hanaj është qëlluar 5 herë me breshëri kallashnikovi, por atë e ka prekur vetëm një plumb në dorë. 36-vjeçari ka qenë duke ecur në rrugë poshtë pallatit të tij, por ka parë persona që po e prisnin dhe është larguar me vrap. Autorët pasi kanë shtënë në drejtim të tij janë larguar me një makinë tip 'Audi Q7'. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje, ndërsa policia vijon hetimet rreth aktivitetit të plagosurit.

Pasi është qëlluar, Hanaj ka ecur për disa metra në rrugë ndërsa kanë mbetur edhe njolla gjaku në vendngjarje dhe më pas ka shkuar në spital. Report Tv shkoi në vendin e ngjarjes ku ende dallohen njollat e gjakut në rrugë dhe xhami i thyer i dyqanit nga breshëria e plumbave.

Policia ka sekuestruar 6 kamera sigurie ku mendohet se kanë filmuar të gjithë ngjarjen dhe mund të zbardh autorët dhe dinamikën e atentatit. Gjithashtu janë shoqëruar 8 persona gjatë mbrëmjes së djeshme që kanë qenë dëshmitarë në vendngjarje.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?