Merr fund saga e rrëmbimit të 37-vjeçares nga Fieri, ku pas denoncimit të prindërve një ditë më parë në emisionit ‘Pa Gjurmë’ në Report Tv autori e lë të lirë. E shoqëruar me prindërit e saj mbërriti mesditën e kësaj të marte në studio duke zbuluar emrin e autorit dhe vendin ku u mbajt peng për një javë. Në një intervistë me gazetaren Odeta Dume, ajo tregoi se ishte abuzuar seksualisht nga një person i panjohur, dhe po ky i fundit e kishte lënë të lire më pas.
Isha e mërzitur atë ditë dhe kisha dalë nga shtëpia. Në rrugë më rrëmbyen disa persona të komunitetit rom, që nuk i njihja dhe më çuan në qytetin e Vlorës. Atje më dorëzuan tek një burrë, i cili ishte dorë e bardhë. Më mbajti të kyçur në një shtëpi. Gjatë kësaj kohe ai ka abuzuar me mua (qan)… Ai ikte në punë dhe unë kisha frikë të ikja pasi më kërcënonte. Pas emisionit ai më la të lirë dhe më kërcënoi të mos tregoja.
Nën insistimin e nënës së saj, u zbulua emri i vlonjatit që mbajti vajzën peng prej 24 qershorit. Ajo iu drejtua të bijës që të fliste dhe të tregonte të vërtetën.
'Thuaje emrin, thuaje që quhet Miri…mos ki frikë. Odeta, vajza ka shumë frikë, ne nuk dimë çfarë të bëjmë. Në polici ajo nuk tregoi asgjë sepse ai e ka kërcënuar me jetë’- u shpreh nëna
Gezetarja Dume e pyeti të renë nëse ajo ishte në gjëndje të përshkruante imazhin e tij dhe se a mund ta njihte nëse do ta shikonte sërish.
‘Ai ishte rreth të 40-ve dhe i kishte flokët e zeza. Nuk fliste shumë, dhe unë kisha frikë ta pyesja. Nëse e shikoj e njoh mirë fytyrën e tij.”- rrëfen mes lotëve 37-vjeçarja
Babai i të resë shpreh frikën se mos e bija mund të ketë mbetur shtatzënë nga ky abuzim, ndërsa për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike nuk kanë mundur t’i bëjnë një vizitë tek gjinekologu.
“E nisi me autobus se u frikësua që ne e denoncuma në program dhe më pas e la në rrugë. Kemi frikë se mos ka mbetur shtatzënë nga abuzimi. Tek gjinekologu nuk kemi qenë sepse nuk kemi mundësi. Unë dua të zbulohet e drejta e vajzës.”- tregon babai.