Roland Shembitrasi, i vrarë në Greqi

U vra në Greqi për pazaret e drogës, hetimi pasuror i zbulon mbi 550 mln lekë në Shqipëri

22 Korrik 2018, 10:22| Përditesimi: 22 Korrik 2018, 11:30

  • Share

Një dosje e nisur nga prokuroria e Pogradecit për hetimin pasuror ndaj anëtarëve të familjes së Roland Shembitrasit të vrarë në tetor 2017 në Greqi, pritet të transferohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore. Roland Shembitrasi, është qëlluar për vdekje në Greqi, ku dyshimet e policisë helene, kanë qënë se vrasja është kryer për shkak të larjeve të hesapeve mes grupeve kriminale që synonjnë të kapin zonat e shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Por jo shumë muaj pas vrasjes së Shembistrait në Greqi, mësohet se Angjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave, ka konstatuar transaksione të dyshimta në disa llogari bankare të anëtarëve të familjes së tij. Më konkretisht bëhet fjalë për tre llogari bankare, ku vetëm në njërën prej tyre, në llogarinë e babait të Rolandit, Kasëm Shëmbitrasit, mësohet se janë konstatuar 540 milion lekë të vjetra. Kasëm Shembitrasi është në moshën 70 vjeçare, dhe është mjaft i dyshimtë burimi i origjinës që parave që ai zotëron në llogarinë bankare.

Ndërkohë në dy llogaritë e tjera të vëllait të Rolandit dhe nipit të tij, më konkretisht Bernard Shëmbitrasi dhe Kristo Shembistrasi janë konstatuar shuma të tjera financiare. Nisur nga kjo situatë prokuroria e Pogradecit, ka kërkuar vendosjen e sekuestros ndaj tre llogarive bankare, kërkesë e cila është pranuar nga gjykata e këtij qyteti.

Njëherësh gjatë fazës së hetimit ndaj këtij rasti, prokuroria mësohet të ketë dërguar një letërporosi në Greqi, duke kërkuar nga autoritet helene informacion rreth Roland Shembitrasit, aktivitetin e tij në Greqi dhe nëse është proceduar apo dënuar ndonjëherë nga drejtësia e këtij shteti. Deri në këtë fazë që janë hetimet ende nuk ka mbëritur një përgjigje nga Greqia, por familjarët e Roland Shëmbistrasit, më konkretisht babai, vllai dhe nipi i tij kanë kërkuar në Gjykatën e Apelit Korçë, heqjen e masës së sekuestros ndaj tre llogarive bankare, ku kanë depozituar pasurinë e tyre, të fituar në Greqi.

Sipas ankimimit të tyre, depozitat bankare janë mëse të ligjshme të siguruara më punë të ndershme në shtetin grek dhe me aktivitet privat legal, pasi zotërojnë prej shumë vitesh disa biznese në Greqi. Disa dokumentacione të servirura në gjykatë dhe të sjella nga autoritet Greke, kanë bindur gjykatën e Apelit Korçë, që të heqë masën e sekuestros ndaj tre llogarive bankare që zotërohen nga anëtarët e familjes së Roland Shëmbitrasit.

Në vendimin e saj, Gjykata e Korçës ka argumentuar se vepra e pastrimit të parave presupozon, pastrimin e produkteve që janë rrjedhojë e kryerjes së një vepre penale, duke kritikuar prokurorinë se nuk ka sjellë asnjë provë për të vërtetuar faktin e dënimin apo të hetimit të viktimës Roland Shëmbitrasi në Greqi, por është nisur vetëm nga dyshime dhe hipoteza se Shëmbitrasi është vrarë për prishjen e pazareve të drogës. Pavarësisht lirimit nga sekuestroja të tre llogarive bankare, këtë çështje mësohet se do e hetojë më tej Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?