Kronikë

U vra në sallën e gjyqit, njerëzit e drejtësisë pranë familjes së gjyqtarit Kalaja: Shqetësim kushtet e sigurisë në Gjykata! Nesër nderime shtetërore

7 Tetor, 14:30| Përditesimi: 7 Tetor, 14:56

  • Share

Gjyqtarë, prokurorë e avokatë, ishin sot për t’iu gjendur pranë familjes së magjistratit Astrit Kalaja, e për të nderuar kujtimin e tij

“31 vjet që punojmë bashkë. Një gjë që s’ka ndodhur kurrë. E kujt, një djali të mrekullueshëm një kolegu me shumë vlera një njeri që e donte komunitetin në Shkodër”, tha gjyqtari Fuat Vjerdha.

Të gjithë shprehen të shokuar. Vrasja e gjyqtarit në sallën e gjyqit ngre dhe një sërë pikëpyetjesh, mbi kushtet e mangëta të sigurisë në të cilat punojnë sot njerëzit e ligjit

“Dhimbje që ndjej personalisht, por besoj gjithë trupa gjyqësore. Ne humbën një koleg, një njeri me shumë vlera. Institucionet shtetërore të reagojnë me urgjencë për të marrë masat. Të thirret ndoshta një forum kombëtar për t’u dhënë fund këtyre ngjarjeve të dhimbshme, për t’u siguruar qytetarëve drejtësi. Është e pamundur që qytetarët të marrin drejtësi nëse gjyqtarët janë të kërcënuar”, tha gjyqtari Gerd Hoxha.

Avokatja Brunilda Lika ishte duke pritur të futej në një gjyq kur u dëgjuan të shtënat.

“Gjendja ishte shumë tronditëse, ne ishim në hapësirë në hollin ku ne avokatët presim për të filluar seancat e gjyqit. Kur u krijua i gjithë paniku ne u mblodhëm në një ambient për të qenë më të sigurt”, tha avokatja.  

Siguria sipas saj në gjykata lë për të dëshiruar.

“Nuk duhet të prisnimin të ndodhte ky akt. Siguria në ambiente të tilla është pothuajse zero. Në Gjykatën e Apelit dhe të rretheve siguria është zero. E vetmja që ka një siguri mund të  jetë GJKKO dhe Gjykata e lartë”, thekson ajo.

Me lot në sy pas nderimit Alban Zusi, kujton mikun e tij Astrit Kalaja në vitet e shkollës në Shkodër.

“E njoh gjyqtarin, qysh në shkollë të mesme, ka qenë një ndër djemtë simbol të Shkodrës, djali më i shquar i shkollës industrial ku edhe unë kam kaluar vitet e rinisë time. Njeri ekstremisht i drejtë, me shumë integritet”, tregon ai.

Ditën e mërkurën, në ora 9:00-11:00 në ambientet e Pallatit të Kongreseve do të mbahet ceremonia shtetërore e homazheve për gjyqtarin Astrit Kalaja. Më pas, homazhe do të vijojnë në qytetin e lindjes, në Shkodër në ora 14:00-16:00. Gjyqtari 60-vjeçar i vrarë në kryer të detyrës do të prehet në varrezat e Stom-Golemit në Shkodër.

Ora 13:22
Kreu i SPAK, Altin Dumani bën homazhe në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja (VIDEO)

 

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka bërë homazhe në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja që u vra një ditë më parë në sallën e gjyqit. Gjyqtari u qëllua me tre plumba nga Elvis Shkambi menjëherë pasi shpalli verdiktin për një konflikt pronësie. Autori ka dëshmuar se i kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet dhe se vendosi që të qëllojë kundrejt gjyqtarit, pasi vendosi kundër xhaxhait të tij, Gjon Shkambi.

Ora 13:05
Vrasja e gjyqtarit Kalaja, ambasada britanike: Bëjmë thirrje për masa urgjente për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve

Foto: Ambasada Britanike në Tiranë

Ambasada Britanike në Tiranë ka reaguar në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, një ditë më parë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit.

Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada ka dënuar ashpër aktin e rëndë, ndërsa ka bërë thirrje për masa më të forta në mbrojtje të sigurisë së gjyqtarëve.

“Jemi thellësisht të pikëlluar nga vdekja tragjike e gjyqtarit Astrit Kalaja. Ngushëllimet tona shkojnë për familjen, miqtë dhe kolegët e tij. Dënojmë fuqishëm aktin e dhunës dhe bëjmë thirrje për masa urgjente për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve dhe integritetin e gjykatave”, thuhet në postim.

Ora 12:41
Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Gerd Hoxha: E pamundur që qytetarët të marrin drejtësi, nëse gjyqtarët janë të kërcënuar

 

Një njeri me shumë vlera. Kështu e përshkruan gjyqtari Gerd Hoxha, kolegun Astrit Kalaja që u vra në sallën e gjyqi një ditë më parë. Në një prononcim të shkurtër për gazetart. Hoxha tha se është e pamundur që qytetarët të marrin drejtësi, nëse gjyqtarët janë të kërcënuar.

“Një njeri me shumë vlera, më besoni është jashtë çdo lloj imagjinate që mund të ndodhin gjëra të tilla, sot është koha që shoqëria shqiptare të reflektojë thellë për këto ngjarje makabre, institucionet shtetërore të reagojnë me urgjencë, për të marrë masa që do duhet të parandalojnë ngjarje të tilla. Të ngrihet forum kombëtar me përfaqësues të të gjitha pushteteve, për t’iu thënë fund këtyre ngjarjeve të dhimbshme. E pamundur që qytetarët të marrin drejtësi, nëse gjyqtarët janë të kërcënuar. Gjyqtarët janë shumë të tronditur, por nuk frikësohen për të dhënë drejtësi”, tha gjyqtari Gerd Hoxha.

Ora 12:33
Vrasja e Astrit Kalasë, gjyqtari Fuat Vjerdha: Konflikti i familjes Shkambi ka nisur që nga viti 1994

 

Teksa mori pjesë në homazhet për gjyqtarin e vrarë ditën e djeshme Astrit Kalaja, gjyqtari Fuat Vjerdha tha në një prononcim për Report Tv, se pajisjet e detektorëve të Gjykatës së Apelit, mund të kenë pasur probleme.

Ndërsa i pyetur mbi kërcënimet, Vjerdha tha se nuk janë përballur me kërcënime.

“Tashti duhen kontrollet me ato pajisjet, por këshilli i Gjykatës ka caktuar një person për çdo sallë e gjyqi. Ato pajisjet më duhet se nuk funksionojnë, më duket se kanë kohë që nuk funksionojnë. Deri më tani nuk ka kërcënime. Ka pasur ndonjë reagim, por kërcënime të paktën aty ku punoj unë nuk ka pasur”, tha ai.

Ndërsa sa i përket rastit të familjes Shkambi, gjyqtari Vjerdha ka deklaruar se ky se ky konflikt daton që nga viti 1994, kur është bërë privatizimi i godinës.

“Kjo është një çështja me shumë problematika. Ka filluar që në vitin 1994, kur Gjykata e Apelit ia ka njohur këtë pronësi familjes Shkambi. I kontestuar nga shumë persona, pasi Bashkia e Shkodrës kishte strehuar rreth 30 familje dhe këtu ka nisur konflikti. Deri sa ato arritën të bëjnë privatizimin e ndërtesës, kërkuan që të hynin në posedim të banesës dhe të nxirrnin banorët jashtë. Këtë konflikt kanë pasur”, tha gjyqtari Vjerdha.

Ora 11:42
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Avokatja në lot rrëfen tmerrin e ditës së djeshme: Siguria në gjykata është zero! Shteti i së drejtës nuk funksionon

Avokatja Brunilda Lika, ka folur për Report Tv duke treguar tmerrin me të cilin u përball ditën e djeshme në Gjykatën e Apelit ku u vra në sallën e gjyqit avokati Astrit Kalaja.

Me lot në sy, avokatja tregon se në ato momente ajo, koletë të saj e të pranishëm u mblodhën në një dhomë për të qenë të sigurte. Brunilda Lika shprehet se siguria nëpër gjykata është thuajse zero dhe se të gjithë janë të rrezikuar gjatë kohës që ushtrojnë detyrën e tyre.

“Isha në gjykatë për të zhvilluar procesin tim gjyqësor, isha në pritje të më thërrisnin për procesin gjyqësor, Të humbasi një gjyqtar jetën teksa jep vendimin në emër të Republikës së Shqipërisë është një akt i paprecedentë, dëshmi që shteti i së drejtës nuk funksionin.

 Pashë trembjen që ndodhi në gjykatë, ne u grumbulluam në një hapësirë në hollin ku ne avokatët presim për të hyrë në salla, nuk pashë asgjë, gjendja ishte tronditëse, kur u krijua paniku u mblodhëm në një ambient për të qenë të sigurt, dëshmon që shteti i së drejtës nuk funksionon, akt i paprecedentë, çdo qytetar mund të humbasë besimin te institucionet shtetërore. Nuk duhej të priste ku akt makabër ndaj një gjyqtari, siguria në ambiente të tilla është pothuajse zero, në Gjykatën e Apelit siguria është zero, edhe në gjykata e rretheve, e vetmja godinë që ka siguri mund të jetë SPAK e GJL, deri diku edhe gjykata e lartë. Patjetër që jam ndjerë e pasigurt. Ky është realiteti”, tha avokatja.

Ora 11:24
Xhaxhai iu plagos dje në Gjykatën e Apelit pas gjyqit për pronën, flet nipi i Ragip Kurtaj: Vrasësi është i zhytur në borxhe, shteti i solli deri në këtë pikë

 

Shkëlqim Kurtaj, nipi i Ragip Kurtaj, i cili mbeti i plagosur ditën e djeshme së bashku me djalin e tij, ka folur sot për Report Tv, ndërsa fajtorin kryesor për ngjarjen bën ish-kryebashkiakun e Shkodrës, Lorenc Kuka.

Shkëlqim Kurtaj tregon se xhaxhai i tij nuk ka pasur asnjëherë prolbme eme njeri, por se pala tjetër, Gjon Shkambi, ka bërë intriga si dhe ka falsifikuar dokumentet gjyqësore për një pronë që nuk i përket.

Ai tregon se Gjon Shkambi dhe nipi Elvis Shkambi, i cili është gjithashtu dhe autor i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, është zhytur në borxhe për të paguar gjyqet lidhur me këtë pronë dhe se janë detyruar të vijnë deri në këtë pikë për shkak se shteti prej vitesh nuk i ka dhënë zgjidhje.

“Lorenc Kuka, po e deklaron si e ka bërë komplet supën që është gatuar dhe iku dhe ai rahmetliu (gjyqtari).  Këto nuk kanë bërë asnjë asgjë se xhaxhai im nuk ka marrë gjë me zor dhe as nuk ka pasur ndonjëherë probleme me njeri.

Ka qenë punonjës i policisë së shtetit. As paguar lek dhe as nuk ka korruptuar askënd në jetë. Këto kanë kërkuar të drejtën e vet, i lanë në dorë drejtësisë dhe çfarë u çuan dhe bërë këta djem dje.

Nuk i marr vesh se çfarë është bërë.. Kanë 30 vite dhe nuk e kanë ndarë shapin prej sheqerit. Tani janë çuar për ta ndarë me pushkë me pushkë të vazhdojnë. Vranë gjyqtarin në mes të sallës së gjyqit. Nuk e di se kush ka gisht në këtë punë. Mund të ketë dhe roja. Vetëm në filma i kemi parë këto skena. Ndoshta kanë paguar dhe rojën.

Kanë bërë të gjitha intrigat. Këta janë detyruar për të ardhur deri në këtë pikë. Ai që ka bërë vrasjen dje, janë të zhytur në lek me fajde duke paguar gjyqësorin. Janë detyruar se shteti nuk i ka dhënë zgjidhje.

Të gjitha i kanë pasur false dokumentet. Pse i ka çuar drejtësia deri në këtë pikë? Prona do të jetë e xhaxhait dhe ngjarjen ta vazhdojë drejtësia. Është në dorë të shtetit”, tha Shkëlqim Kurtaj.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • goni: 07/10/2025 16:09

    LIROJENI DJALIN,,,,,ATYRE IU DUHET DHENE PRONA NE SHKODER...BRAVO I QOFTE DJALIT....SI KANE DURUAR 30 VJET ,,,NUK DUHEJ PRIT KAQ GJATE....GJYQTARET -DHE POLITIKANRT JANE TE POSHTER..PERDITE NGA 1 DUHET TO BEHET ATENTAT.....LIGJI 7501 TE ANULOHRT....PRONA TI KTHEHET PRONARIY NEDHE NE QYTET....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?