31-vjeçari nga Kukësi, Visart Cengu, i cili u vra një ditë më parë në Kosovë pas një sherri në lokal, është përcjellë për në banesën e fundit. Gazetari Demir Reshiti shkruan se sot i kanë dhënë 31-vjeçarit lamtumirën e fundit, ndërsa ka ndarë edhe një pjesë të fjalës nga babai i viktimës, Behar Cengu.
“Ne kishim një armik të përbashkët, Serbinë, të cilës bashkërisht ia drejtuam pushkën dhe kurrë nuk besoja se kemi plumba për shqiptarë”, citohet të ketë thënë Behar Cengu.
Gazetari, i cili duket mik i afërm i familjes shkruan se 31-vjeçari kishte ardhur në Shqipëri nga Franca për të festuar Vitin e Ri.
“Sot në varrezat e qytetit në Kukës i dhamë lamtumirën e fundit të riut Visart (Behar) Cengu, 31 vjeçar, i cili u vra në makinë duke u larguar nga një lokal në dalje të Prizrenit. Mijëra qytetarë kuksianë dhe miq të familjes Cengu nga Kosova kishin ardhë për ta përcjellë në banesën e fundit këtë të ri i cili kishte ardhur nga Franca për ta kaluar ndërrimin e moteve në vendlindje.
Kjo vrasje është përjetuar rëndë jo vetëm nga familjarët por edhe nga të gjithë kuksianët dhe miqtë e shumtë të familjes Cengu nga Kosova e mërgata.
‘Ne kishim një armik të përbashkët, Serbinë, të cilës bashkërisht ia drejtuam pushkën dhe kurrë nuk besoja se kemi plumba për shqiptarë’ u shpreh i ati i Visartit i cili bashkë me vëllezërit e tij i kishte kontribuar luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës!
I lehtë i qoftë dheu Visartit e familjarëve Zoti iu dhëntë forcë për ta përballuar këtë dhimbje. Qoftë kjo vrasja e fundit në mes të shqiptarëve”, shkruan i afërmi.
Lajmi kryesor:
Vrau të riun nga Kukësi për faturën prej 400 euro, Gjykata e Prizrenit lë në burg 'Kobrën', vëllanë e tij dhe 4 punonjësit e lokalit ku ndodhi ngjarja
SI.E./ReportTv.al