Daton në shekullin e IV Para Lindjes së Krishtit dhe është një nga destinacionet turistike më magjepsëse në vendin tonë. Parku Arkeologjik i Amantias ndodhet vetëm 40 minuta larg nga qyteti i Vlorës, i pozicionuar në lartësinë 613 metra mbi nivelin e detit, pranë fshatit Ploç.
Gjatë gërmimeve të kryera në fund të dhjetorit 2022 u zbulua varri monumental i Çifutit, por prej ditësh së largimit të arkeologëve zbulimi nuk është konservuar, ç’ka mund të sjellë dëmtimin e tij për shkak të erozionit.
“Po bëhen projekte sepse ka struktura të dëmtuara, koha dhe erozioni. Duam t’i kthejmë në atraksione për publikun. Varret monumentale i kanë patur njerëzit e mëdhenj që kanë jetuar në Amantia”, tha Orges Feimi, Drejtori i Monumenteve, Vlorë.
I trashëguar ndër breza nga gojëdhënat, me toponimin “Varri i Çifutit”, kurioziteti legjitimon zbulimin e plotë të kësaj strukture, që mendohet se daton në shekullin e III-II Para Krishtit.
“Në vitin 2022 janë bërë dy zbulime, varri i çifutit dhe një strukturë përballë stadiumit, një kompleks i qytetit të Akropolit të Amantias. Kryesisht zbulimet në Parkun e Amantias janë disa varre monumente që mendohet se i përkasin shekulli të III dhe II Para Krishtit, por për të zbuluar identitetin e tyre të plotë do të bëhen vlerësime dhe përgatitje të dokumentacionit”, thotë ai.
Pjesa më e rëndësishme dhe më e bukur për tu vizituar në këtë park, janë rrënojat e stadiumit antik të ndërtuar me blloqe gurësh, rreth shekullit të III. Po kështu dhe Tempulli i Afërditës, muret fortifikuese dhe porta me hark.