Sulmi i Hamasit në Izrael, deri më tani ka shënuar jo vetëm viktima dhe të plagosur por edhe shumë ngjarje e histori tronditëse si pasojë e dhunës ndaj civilëve. Një video, ku një vajzë e re e cila ishte marrë peng dhe ishte zhveshur shihej teksa tërhiqej zvarrë lidhur në bagazhin e makinës së militantëve bëri xhiron e rrjetit. Të gjithë ata që panë videon menduan se e reja vdiq, por ajo është ende gjallë.
Sipas mediave gjermane Shani Louk, 22-vjeçarja gjermano-izraelite është ende gjallë, kështu ka deklaruar e ëma e saj Ricarda Louk për mediat gjermane, duke i bërë thirrje qeverisë për ndihmë.
Ajo thotë se ka informacione se Shani është gjallë duke shtuar se ka marrë lëndime të rënda në kokë dhe ndodhet në gjendje kritike.
“Çdo minutë është me vlerë për ne, duhet të veproni shpejt dhe ta largoni Shanin nga Rripi i Gazës”, është shprehur ajo.
Videot e së resë u bënë virale në rrjetet sociale, pasi ajo ishte marrë peng nga terroristët e Hamasit të cilët e kishin zhveshur dhe lidhur në bagazhin e makinës së tyre dhe bënin paradë nëpër qytet.
Në një tjetër video, siç raportohet në mediat e huaja, një burrë e kapte për flokësh dhe e pështynte.
Ajo u kap në shkretëtirën Negev, afër kufirit me Gazën pasi ndodhej te festivali muzikor. Mësohet po ashtu se karta e vajzës është përdorur në një dyqan në Gaza të Dielën, një ditë pasi Shani u kap rob.
Prokurorët në Gjermani njoftuan të martën se po nisin një hetim ndaj Hamasit me dyshimin për rrëmbim dhe vrasje të qytetarëve gjermanë pas sulmeve të përgjakshme të nisura nga grupi terrorist në fundjavë.
Lajmi kryesor:
Lufta/ Gaza në terr, fiket centrali, vriten 11 anëtarë të OKB! Izraeli formon qeverinë emergjente, përgatitet për 'luftë me dy fronte' nëse sulmon grupi libanez Hezbollah
M.T/ReportTv.al