Bota

Liderët e BE dhe Zelensky mblidhen në Londër, Starmer: Plan paqeje për Kievin me SHBA! Von der Leyen: Riarmatosni Europën

2 Mars, 10:54| Përditesimi: 2 Mars, 21:52

  • Share

Pas dy orësh diskutimesh ka përfunduar samiti i lidërve të BE-së për Kievin në Londër. 

Ukraina do të marrë 1,6 mld paund ndihmë tjetër ekonomike për blerjen e 5 mijë raketave me qëllim mbrojtjen ajrore të vendit, përveç 2,2 mld paund që ishin dhënë kredi më parë. Gjithashtu u ra dakord t'i bëhej presion ekonomik Rusisë dhe që Kievi të ishte i pranishëm në tryezën e bisedimeve të paqes për të.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen u shpreh se duhet urgjentisht "të riarmatosim Europën" dhe komisioni do të propozojë një plan për këtë në Këshillin Europian më 6 mars.

“Tani është me rëndësi të madhe të rriten investimet në mbrojtje për një periudhë të gjatë kohore. Është për sigurinë e Bashkimit Evropian, dhe ne kemi nevojë … në mjedisin gjeostrategjik në të cilin jetojmë, të përgatitemi për më të keqen, dhe për këtë arsye të forcojmë mbrojtjen,” thotë ajo.

Samiti i përbërë prej rreth pesëmbëdhjetë liderëve të vendeve aleate të Kievit u hap në Londër këtë pasdite në prani të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, dy ditë pas konfrontimit të tij të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump.

Udhëheqësit europianë po përballen me "një moment unik për sigurinë e Evropës", tha kryeministri britanik Keir Starmer në hapjen e samitit në Lancaster House, teksa shtoi se një rezultat i mirë paqeje për Ukrainën do të ishte gjithashtu jetik për sigurinë e kombeve në të gjithë kontinentin.

Pas përfundimit të bisedimeve, Starmer do të mbajë një konferencë për shtyp, ndërsa Zelensky do të takohet me Mbretin Charles III ashtu edhe siç u informua edhe dje.

Disa nga liderët që morën pjesë në këtë samit ishin: Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, kryeministri polak Donald Tusk, kryeministri i Suedisë Ulf Kristersson, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri norvegjez Jonas Støre, Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, kryeministri çek Petr Fiala,kryeministri kanadez Justin Trudeau, ai i Danimarkës Mette Frederiksen, kancelari gjerman në largim Olaf Scholz.

Kryeministri britanik mirëpriti Zelenskyn dje në zyrën e tij dhe pas takimit u njoftua për një hua në vlerë prej 2.84 miliardë dollarësh për Ukrainën.

“Kjo hua do të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe do të rikthehet duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse”, deklaroi Zelensky përmes rrjeteve sociale.

Konferenca në Londër tani ka marrë një rëndësi të re që nga ky konfrontim në Zyrën Ovale dhe ringjallja e raportit mes Trumpit dhe Zelenskyt me gjasë do të jetë pikë kryesore e agjendës.

Mark Rutte, tha se Zelensky duhet të gjejë një mënyrë për të përmirësuar raportin. Ende është e paqartë se diçka e tillë është e mundur të arrihet. Por, Trump deklaroi se Zelensky mund të kthehej “kur të dëshirojë paqe”.

Edhe para vizitës së Zelenskyt në Uashington, udhëheqësit europianë kanë treguar se ka urgjencë që ata ta bëjnë veten të rëndësishëm për administratën e Trumpit.

Kjo u nxit nga deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë që sugjeruan se Evropa nuk do të përfshihet drejtpërdrejtë në negociatat për paqe në Ukrainë dhe për shkak të shenjave se SHBA-ja dhe Rusia po përmirësojnë raportet.

Bisedimet e tjera paraprake të krizës janë mbajtur në Paris javën e kaluar dhe ato u përqendruan në atë nëse Europa mund të krijojë një forcë paqeruajtëse që do të dislokohej në Ukrainë pas një marrëveshjeje armëpushimi apo të paqes, por edhe për arritjen e synimeve për të rritur shpenzimet për mbrojtjen.

Sfida e bisedimeve në Londër, pas debatit në Shtëpinë e Bardhë, është që të arrihet diçka më e prekshme dhe më e madhe. Përveç kësaj, disa udhëheqës evropianë po shkojnë përtej asaj që vetëm të dëshmojnë vlerën e tyre për Uashingtonin. Në vend të kësaj, ata po përgatiten për skenarë të mundshme ku nuk do të mund të vareshin nga ombrella e sigurisë së SHBA-së.

Ora 18:34
Samiti i liderëve të BE për Kievin, Starmer: 1,6 mld paund ndihmë për Ukrainën për blerjen e 5 mijë raketave! Ramë dakord për 4 pika, të rrisim presionin ekonomik ndaj Rusisë

Moment nga Samiti i BE në Londër

Pas dy orësh diskutimesh ka përfunduar samiti i lidërve të BE-së për Kievin në Londër. 

Udhëheqësit europianë po përballen me "një moment unik për sigurinë e Evropës", tha kryeministri britanik Keir Starmer në hapjen e samitit në Lancaster House, kurse Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen u shpreh se duhet urgjentisht "të riarmatosim Europën" dhe komisioni do të propozojë një plan për këtë në Këshillin Europian më 6 mars.

Në fund të samitit, Starmer lexoi edhe vendimet e marra nga Samiti, ku bie në sy 4 pika themelore.

Mes tyre ndihma shtesë me 1,6 mld paund nga Britania për Ukrainën, përveç kredisë 2,2 mld. Kyjo ndihmë do jepet për blerjen e 5 mijë raketave të reja për mbrojtjen ajrore të Ukrainës nga agresioni rus.

“Do të dyfishojmë mbështetjen për Ukrainën. Do jepen edh 1,6 mld paund ndihmë ekonomike për blerjen e 5 mijë raketa për mbrojtjen ajrore. Do këmbëngulim që Ukraina të jetë në tryezë për çdo bisedim që do bëhet. Ramë dakord edhe që të rrisim presionin ekonomik ndaj Rusisë”, tha kryeministri britanik.

Më tej ai shtoi se e vetmja mënyrë për stabilitetin në rajon dhe Ukrainë, "është zbatimi i një marrëveshjeje të paqes".

“Marrëveshja ka nevojë për mbështetjen e SHBA-së, ne pajtohemi me Trump për nevojën urgjente për një paqe të qëndrueshme. Tani ne duhet të japim së bashku”, thekson ai.

Mes shumë bisedimeve, kryeminstri britanik ka nënkuptuar se gjithë kjo situatë ka sjellë një udhëkryq në histori sot për sot. Sipas Starmer, në Samitin e sotëm liderët ranë dakord të takohen përsëri së shpejti në mënyrë që të “mbajnë ritmin pas këtyre veprimeve” dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një plani të përbashkët.

“Ne jemi në një udhëkryq historik sot. Ky nuk është një moment për më shumë biseda , është koha për të vepruar dhe bashkuar rreth një plani të ri për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha ai.

Kurse komisionerja Ursula von der Leyen ngriti alarmin se "Europa duhet të riarmatoset dhe të përgatitet për më të keqen".

Ora 16:51
Samiti i liderëve të BE në Londër/ Meloni takohet me Zelenskyn: Jemi me Ukrainën

Foto: Volodymyr Zelensky dhe Gorgia Meloni

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u takua sot në Londër me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në samitin e liderëve të BE që zhvillohet në Britaninë e Madhe.

Sipas një deklarate nga qeveria italiane, takimi dha mundësinë për të theksuar edhe një herë mbështetjen e Italisë për Ukrainën dhe vlerësimit dhe përkushtimin të popullit të saj.

Siç raportojnë mediat, Meloni është shprehur se së bashku me partnerët europianë dhe perëndimorë si Shtetet e Bashkuara, do punojmë për të ndërtuar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, e cila siguron një të ardhme të sovranitetit, sigurisë dhe lirisë në Ukrainë.

“Kam pasur një takim produktiv me Presidentin e Këshillit të Ministrave të Italisë Giorgia Meloni për të zhvilluar një plan të përbashkët veprimi për t’i dhënë fund luftës me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha presidenti ukrainas në një postim në Platformën X, duke shtuar se Putini është i interesuar për vazhdimin dhe rikthimin e shpejtë të luftës.

Lideri ukrainas theksoi se është e rëndësishme ruajtja e unitetit rreth Ukrainës dhe forcimi i pozicionit të vendit në bashkëpunim me aleatët - vendet e Europës dhe Shtetet e Bashkuara.

"Ukraina ka nevojë për paqe të mbështetur nga garanci të forta sigurie. I jam mirënjohës Italisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e saj të vazhdueshëm për të sjellë paqen në Ukrainë", tha Zelensky.

Ora 12:25
Lufta në Ukrainë/ Starmer: Britania dhe Franca po punojnë për planin e paqes

1739995398_dda65edb1c8138ac0755f9a562cac5de.jpg

Foto:  Keir Starmer dhe Emmanuel Macron

Pak para se të nisë samiti në mbrojtje të Ukrainës, që do të mbledhë krerët e botës në Londër, kryeministri i Britanisë së Bashkuar Keir Starmer ka njoftuar se një plan britaniko-francez është duke u bërë gati me qëllim ndalimin e lufttës.

Kryeministri i Britanisë në një intervistë për BBC, ka thënë se ka rënë dakord edhe me Emmanuel Macron që dy shtetet të punojnë me Kievin për të ndaluar luftën, madje pjesë e këtij plani mund të bëhen edhe dy shtete të tjera por pa dhënë emra. I njëjti plan ka deklaruar Starmer do të paraqitet në SHBA.

Starmer ka thënë gjatë intervistës se nuk i beson presidentit rus Putin, teksa shprehet se më e keqja nga të gjitha marrëveshjet që mund të bëhen me Rusinë, është fakti se pas një pauze ajo mund të rikthehet përsëri në sulm.

Intervista është dhënë mëngjesin e të dielës përpara se udhëheqësit globalë të zbresin sot në Londër në një samit vendimtarë për luftën në Ukrainë.

Pjesëmarrës të samitit do të jenë vetë presidenti Zelensky, presidenti francez Emmanel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Antonio Costa.

Xh.K/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?