Ministrat Ulsi Manja dhe Ervin Hoxha, sot pas mbledhjes së Qeverisë
Qeveria miratoi sot (2 tetor) dy dokumente të rëndësishme politike, që konsolidojnë pozicionin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian dhe që kanë të bëjnë me Udhërrëfyesin.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha për mediet pas mbledhjes së qeverisë se, “dokumenti i parë që miratuam sot, orienton pozicionin negociues të Shqipërisë, ku presim shumë shpejt të ulemi në tryezën e dytë ndërqeveritare dhe dokumenti i dytë i rëndësishëm politik, forcon pozitën e Shqipërisë në negociata”.
Manja theksoi se, “në Udhërrëfyesin për funksionimin e institucioneve demokratike, Ministria e Drejtësisë ka qenë lider në hartimin e tij, duke drejtuar grupin me përfaqësues nga 42 institucione të përfshira, ku rolin kryesor e ka pasur Kuvendi i Shqipërisë”.
Thelbi i këtij dokumenti, vijoi ai, ka të bëjë me “fuqizimin e funksionimit të institucioneve demokratike në themel të së cilës, do të jetë transparenca, llogaridhënia, integrimi dhe eficienca e institucioneve”.
Manja tha se, pozicioni i Shqipërisë do të udhëhiqet nga dy këto dokumente: “Udhërrëfyesi i shtetit të së drejtës dhe Udhërrëfyesi i institucioneve demokratike”.
Ministri i Drejtësisë shtoi se janë lënë edhe 148 detyra nga BE që duhen plotësuar dhe që Shqipëria i ka marrë përsipër:
“Udhërrëfyesi i institucioneve demokratike ka 148 masa. Këto janë detyra shtëpie që ne për një periudhë 2023 -3030 i kemi marrë përsipër për ti kryer në raport me pozicionin tonë për integrimin”.
Sipas tij, këto janë masa të karakterit ligjor, administrativ por dhe masa performance. Manja informoi se udhërrëfyesi i është nënshtruar një konsultimi të gjerë me institucionet dhe aktorët e linjës.
“Janë 12 takime të përbashkëta që janë mbajtur me përfaqësuesit europianë dhe masat e marra janë brenda pritshmërive që BE pret nga Shqipëria në procesin e negociatave. Shqipëria sot është një pozicion solid që nuk ka qënë më parë në raport me BE dhe rrugën drejt integrimit”, deklaroi ministri.
Lajmi kryesor:
Miratohet udhërrëfyesi i integrimit/ Shqipëria miraton pozicionin negociues për çeljen e negociatave! Dhuka: Ecim për t’u bërë anëtar në BE, pavarësisht situatave të ditës
A.Q/ReportTv.al