Foto ilustruese

Sport

UEFA e bën zyrtare, Euro 2027 organizohet në Shqipëri dhe Serbi! Ndeshja hapëse në Novi Sad, finalja në Tiranë

4 Shkurt, 15:27| Përditesimi: 4 Shkurt, 15:53

  • Share

Edhe pse mes shumë kritikave, tanimë është zyrtare. Shqipëria dhe Serbia do bashkorganizojnë Kampionatin Europian 2027 për moshat deri në 21 vjeç (Euro U-21). Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, këtë të martë (4 shkurt) u vendos që kandidatura e vetme, ajo mes Shqipërisë dhe Serbisë të merrte dritën jeshile.

Ky turne, i cili do të zhvillohet në qershor të vitit 2027, do të përfshijë 16 skuadra që përfaqësojnë talentet më të spikatura të futbollit të moshave në Europë, mes tyre edhe lojtarë që tashmë aktivizohen në ligat më të mira të kontinentit

Sa i takon organizimit, mësohet se dy shtetet do presin secili nga dy grupe dhe ndeshje në mënyrë të barabartë. Gjithashtu edhe ndeshjet çerekfinale dhe gjysmëfinale do ndahen në mënyrë të barabartë. Skuadrat e Shqipërisë dhe Serbisë do i luajnë ndeshjet në vendet e tyre.

Stadiumi "Karageorge" në Novi Sad do jetë mikpritësi i ndeshjes hapëse, ndërsa "Arena Kombëtare" në Tiranë sheh të luhet finalja e madhe.

Kandidatura e përbashkët mes Shqipërisë dhe Serbisë ishte e vetmja në garë, kjo pas tërheqjes së Belgjikës dhe Turqisë. Që në ngjizje të idesë, ky aktivitet kishte kundër shumë figura sportive dhe jo vetëm, si në Shqipëri dhe Kosovë.

Për shkak të historisë mes popujve dhe klimës së tensionuar mes Serbisë dhe Kosovës, të shumtë janë ata që ende mendojnë se një organizim i tillë nuk do sjellë asgjë pozitive për sportin.

Fakt është se ndeshjet do jenë të ndara në secilin shtet dhe do transmetohen në më shumë se 200 vende të botës, teksa diçka e tillë do ishte një reklamë për vendin tonë. Kujtojmë se për herë të parë Shqipëria U-21 do marrë pjesë në finalet e këtij turneu, si një nga vendet organizatore.

Gjithsej për këtë organizim duhen tetë stadiume (katër në vendin tonë) ku do luhen 31 ndeshje, me "Arenën Kombëtare", "Loro Boriçin", "Arena Egnatia" apo edhe "Elbasan Arenën" që janë të përzgjedhura për një turne të tillë në Shqipëri.

Shënim: Dy vendet organizatore do të mirëpresin secila nga tetë skuadra pjesëmarrëse, ndërsa skuadrat e Shqipërisë dhe Serbisë do i luajnë ndeshjet në vendet e tyre.

Ora 15:50
Euro 2027 në Shqipëri dhe Serbi, Duka: Më shumë se futboll, thyejmë barrierat mes dy popujve


Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe njëherazi një nga zv.presidentët e UEFA-s, Armand Duka foli pasi Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s i dha dritën jeshile bashkorganizimit nga Shqipëria dhe Serbia të Euro 2027 për 21-vjeçarët.

Armand Duka tha se një turne i tillë do jetë më shumë se futboll, ndërsa do thyhen barrierat mes dy popujve.

“Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit", tha kreu i FSHF-së.

Duka u ndal edhe te modernizimi i infrastrukturës sportive.

"Ky do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë. Prandaj, ai na jep mundësinë që, me mbështetjen e UEFA-s, të modernizojmë stadiumet dhe infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin. Gjithashtu, ky organizim do të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme për të frymëzuar brezat e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve në të dyja vendet”, tha Duka.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në vend?