Kronikë

Ujërat e trazuar sollën në bregdetin e Lezhës 'indiferencën ndaj natyrës' dhe plehrat e njerëzve! Alarmante situata edhe në Sarandë, plazhet 'pushtohen' nga mbetjet plastike

1 Dhjetor 2021, 11:14| Përditesimi: 1 Dhjetor 2021, 20:56

  • Share

Ujërat e trazuar të ditëve të fundit për shkak të reshjeve, sollën në bregdetin e grykëderdhjes së lumit Drin në Lezhë, indiferencën, moskujdesin ndaj natyrës, dhe mbeturinat e njerëzve që i duhen 450 vjet për t’u dekompozuar.

Kjo është pamja e trishtë e ndotjes së madhe që vjen direkt nga dora e njeriut dhe paaftësia e institucioneve për të menaxhuar mbetjet urbane.

Të hedhura vend e pa vend, reshjet e shiu i mbledhin dhe lumenjtë i depozitojnë në det. Kjo është një situatë e vazhdueshme prej njerëzve dhe ndotja që krijohet është alarmante.

Po kaq dramatike paraqitet situata edhe në Sarandë, ku shirat e rrëmbyer kanë sjellë në bregdet mbetje të shumta plastike. Sipas zhytësve, ndotja ka dëmtuar shumë florën dhe faunën nënujore në zonën e bregdetit të Sarandës.

 

 

Ora 11:22
Stuhia me erë e shira të rrëmbyer 'zbuloi' ndotjen në Sarandë, plazhet 'pushtohen' nga tonelata të tëra mbetjesh plastike! Zhytësit: Flora dhe fauna shumë të dëmtuara

 

Plazhet e Sarandës janë 'pushtuar' nga tonelata të tëra mbetjesh plastike që u sollën në breg nga reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit. Mbetjet në det derdhen nëpërmjet shkarkimeve të lumenjve Kalasë dhe Bistricë në Kanalin e Çukës, në luginat e të cilëve depozitohen mbeturina.

Pavarësisht se mbetjet e përhapura në plazhe, pas stuhisë pastrohen nga punonjësit e Bashkisë, problemi nuk zgjidhet, pasi në plazhe dalin vetëm një pjesë e vogël e kësaj ndotjeje , teksa pjesa më e madhe e tyre përfundojnë dhe mbeten në tabanin e detit.

Zhytësit në ujërat e bregdetit të Sarandë thonë se flora dhe fauna nënujore në zonën e bregdetit të Sarandës është shumë e dëmtuar, pikërisht për shkak të këtyre mbetjeve.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?