Bota

VIDEO/ Pas bazës ajrore të Rusisë, Ukraina godet edhe urën e Krimesë me 1,100 kg eksploziv! Momenti i shpërthimit

3 Qershor, 14:42| Përditesimi: 3 Qershor, 16:19

  • Share

Shërbimet sekrete ukrainase kanë realizuar një tjetër sulm të guximshëm duke goditur për herë të dytë urën më të mbrojtur të Rusisë: urën e Kerçit që lidh Krimenë me territorin rus. Sipas mediave ndërkombëtare, komando të posaçme të Kievit kanë arritur të shpërthejnë një ngarkesë eksplozivi në bazën e njërit prej pilonëve të betonit të urës.

Moska pretendon se dëmet janë të kufizuara dhe se qarkullimi në urë është pezulluar përkohësisht vetëm për të verifikuar gjendjen e strukturës. Por pala ukrainase pohon se në themel të urës janë vendosur 1.100 kilogramë eksploziv, sasi që, nëse konfirmohet, mund të ketë dëmtuar seriozisht stabilitetin e urës.

Edhe pse efekti ushtarak i sulmit mbetet për t’u vlerësuar, impakti propagandistik është i jashtëzakonshëm, veçanërisht pasi ndodhi vetëm pak ditë pas një tjetër operacioni të shërbimeve sekrete ukrainase. Më 1 qershor, automjete kamionë të pajisur me drone shpërthyes hynë në thellësi të Rusisë, nga Siberia deri pranë Arktikut, duke shkatërruar 40 bombardues nga 120 që ka Rusia.

Një ditë më parë, të shtunën, ndodhën gjithashtu disa sulme me eksploziv ndaj urave hekurudhore në rajone pranë kufirit me Ukrainën dhe në qytetin e pushtuar Melitopol. Të paktën dy ura janë rrëzuar si pasojë e shpërthimeve, ndërsa për dy të tjera ende nuk ka të dhëna të sakta.

Ura e Kerçit ka një vlerë të veçantë për Kremlinin: ajo është simboli fizik i aneksimit të Krimesë nga Rusia. E gjatë rreth 18 kilometra, kjo strukturë kushtoi mbi 4 miliardë euro dhe u ndërtua për të lidhur fizikisht gadishullin, i cili deri në vitin 2022 kishte kufij tokësorë vetëm me Ukrainën. Projekti nisi menjëherë pas pushtimit në vitin 2014 dhe u inaugurua personalisht nga Vladimir Putin më 23 dhjetor 2019. Me lidhje rrugore dhe hekurudhore, ura ka pasur rol kyç logjistik në furnizimin e ushtrisë ruse në frontin jugor të luftës.

Ky nuk është sulmi i parë ndaj saj:

– Në tetor 2022, një kamion bombë shpërtheu në një nga segmentet e urës, duke shembur dy korsitë dhe shkaktuar zjarr nga vagonët cisternë të një treni që kalonte pranë. Qarkullimi u rikthye pjesërisht vetëm në një korsi, ndërsa riparimet zgjatën disa muaj.

– Në korrik 2023, dy skafe të komanduar në distancë u përplasën me bazamentet e urës, duke shkaktuar dëme të kufizuara edhe pse kishin mbi gjysmë ton eksplozivë.

Pas këtyre sulmeve, Rusia rriti ndjeshëm mbrojtjen e infrastrukturës. Çdo pilon u pajis me sisteme elektronike për pengimin e dronëve ajrorë dhe detarë, tre shtresa mbrojtjeje kundërajrore dhe barriera lundruese mbrojtëse. Megjithatë, këto masa nuk kanë arritur të parandalojnë goditjen e fundit.

Mbetet e paqartë se si arritën komandot ukrainase të depërtojnë deri tek struktura. Dyshimi kryesor është përdorimi i një droni nëndetar shumë të sofistikuar, i cili ka vendosur eksplozivin dhe më pas është fundosur për të fshehur gjurmët. Por nuk përjashtohet as një skenar i ngjashëm me operacionet e flotës italiane në Luftën e Dytë Botërore, ku eksplozivët vendoseshin nga zhytës që lundronin me silurë të vegjël, të quajtur “maiale”.

Lajmi për shpërthimin në urën e Kerçit u përhap më pak se dy orë pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë në Kremlin, ku u diskutua edhe sulmi ndaj aeroporteve ushtarake. Zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi se po pritet përfundimi i hetimeve të brendshme.

Agresioni i së dielës ndaj pesë bazave të njësive bërthamore ajrore ruse ka rritur ndjeshëm shqetësimin në Kremlinin ushtarak për një hakmarrje të fortë ndaj Ukrainës. Disa analistë nuk përjashtojnë më as mundësinë teorike të përdorimit të armëve taktike bërthamore.

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev paralajmëroi me tone të ashpra: “Hakmarrja është e pashmangshme. Gjithçka që duhet të shpërthejë, do të shpërthejë. Ata që duhet të zhduken, do të zhduken.”/La Repubblica

Ora 15:58
Sulmi në Urën e Krimes, momenti kur vendoset lënda eksplozive nën ujë në bazën e urës (VIDEO)

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ndërmori një sulm ndaj Urës së Krimesë duke përdorur eksplozivë nënujore për të dëmtuar shtyllat mbështetëse të saj.

Në një video të publikuar në rrjet shihet momenti kur lënda eksploziv futet nën ujë për tu vendosur në bazën e urës për të kryer më pas shpërthimin. Sipas SBU-së, janë dashur muaj me radhë për të vendosur lëndën eksploziv në Urën e Krimes. 

Pas shpërthimit, autoritetet ruse pezulluan përkohësisht trafikun mbi urë për rreth tre orë, por më pas njoftuan se ura ishte rihapur dhe funksiononte normalisht.

Ky sulm vjen në një kohë kur bisedimet për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë janë në ngërç, me kërkesa të papranueshme nga ana e Moskës, si dorëzimi i territoreve dhe kufizime në ushtrinë ukrainase.

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?