Ukraina kremton Ditën e Pavarërisë, politikanët shqiptarë urojnë vendin në luftë

24 Gusht 2022, 10:59| Përditesimi: 24 Gusht 2022, 15:04

  • Share

Sot Ukraina feston Ditën e Pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, ndërsa ndodhet nën pushtimin rus. Nuk kanë munguar përshëndetjet për këtë ditë nga politikanë në Shqipëri.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla përshëndeti popullin e Ukrainës dhe shprehu besimin në fitoren e Ukrainës ndaj agresionit të Rusisë. Edhe kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj uroi 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Ndërkohë, në godinën e Bashkisë në Tiranë është shpalosur një flamur i madh ukrainas si përshëndetje ndaj pavarësisë dhe përkrahje e Kievit në luftën e paprovokuar me Rusinë.

Ora 11:50
Ilir Meta uron Ukrainën në Ditën e Pavarësisë: Shembull rezistence patriotike

1661334769_1661334741MetaZelenskz.JPG

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta uroi Ukrainën në Ditën e saj të Pavarësisë. Përmes një postimi në Facebook, Meta tha se Ukraina është shembull me rezistencën e saj ndaj luftës Ruse.

“Në këtë 31-vjetor të Pavarësisë, bota gjen frymëzim tek rezistenca patriotike e qytetarëve të Ukrainës, në luftën e tyre të drejtë ndaj agresionit ushtarak rus. Lufta, dhuna, veprimet armiqësore, nuk mund të pranohen si normalitet i marrëdhënieve mes shteteve sovrane në kohët që jetojmë.  Ukraina e lirë dhe pavarur është gjithashtu me rëndësi kyçe për paqen, sigurinë, prosperitetin ekonomik të Europës dhe të botës.  Të bashkuar në solidaritet,  ne qëndrojmë të rreshtuar me aleatët perëndimorë, në mbështetje të popullit ukrainas, drejtuesve dhe institucioneve legjitime të saj, deri në garantimin tërësor të lirisë e paqes për Ukrainën dhe mbarë botën. Vlerat europiane do të triumfojnë në Ukrainën e pavarur!”, u shpreh Meta.

Ora 11:08
Erion Veliaj uron Ukrainën në 31-vjetorin e Pavarësisë, Bashkia e Tiranës vishet me flamurin ukrainas

Veliaj me Ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj uroi 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryebashkiaku Veliaj shkroi se këtë vit, bluja dhe e verdha u bënë ngjyrat e qëndresës, trimërisë dhe dinjitetit. 

“Këtë vit, bluja dhe e verdha u bënë ngjyrat e qëndresës, trimërisë dhe dinjitetit! Gëzuar Ditën e Flamurit vëllezërve dhe motrave ukrainas që jetojnë në Tiranë dhe qytetarëve të guximshëm të Ukrainës, që ende luftojnë në mbrojtje të vendit të tyre!”, shkroi Veliaj.

Bashkia e Tiranës u vesh me flamurin e Ukrainës në Ditën e Pavarësisë së vendit në luftë.

Ora 11:03
Lindita Nikolla përshëndet Ukrainën në Ditën e Pavarësisë, shpreh besim në fitoren ndaj Moskës

1656924479_linditanikolla11068x12301.jpg

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla përshëndeti popullin e Ukrainës në Ditën e Pavarësisë dhe shprehu besimin në fitoren e Ukrainës ndaj agresionit të Rusisë.

“Në 24 gusht të vitit 1991, Verkhovna Rada, Parlamenti i Ukrainës, shpalli Deklaratën e Pavarësisë, e cila u ratifikua nga referendumi i 1 dhjetorit të po atij viti. Gjatë tre dekadave si një shtet i pavarur, Ukraina ka shënuar arritje të rëndësishme në zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Ukraina është një vend mik i Shqipërisë dhe prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në janar 1993 kjo miqësi ka ardhur duke u forcuar, edhe si rezultat i një komuniteti të diasporës shqiptare që jeton në Ukrainë, i vendosur kryesisht në rajonin e Odesës. Ukraina e kremton 31-vjetorin e pavarësisë në kushtet e një lufte të padrejtë, prej 24 shkurtit të këtij viti, pas agresionit të Rusisë. Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë e të vendosur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, duke harmonizuar qëndrimin ndaj këtij agresioni me ato të ShBA-së, BE-së dhe NATO-s. Mirënjohje e vlerësim  i kësaj mbështetjeje ishte fjalimi që mbajti në Kuvendin e Shqipërisë Presidenti i Ukrainës, z. Volodymyr Zelenskyy, në 3 maj, gjatë të cilit shprehu falenderimin për mbështetjen nga Shqipëria të luftës së drejtë të Ukrainës, mbështetjen e sanksioneve ndaj Rusisë, kontributin si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB dhe bashkëpenëmbajtëse me ShBA për mbështetjen e Ukrainës. Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Kiev në 15 qershor, kontributi i Shqipërisë në Konferencën e Donatorëve dhe strehimi në vendin tonë i mbi tre mijë ukrainasve janë gjithashtu dëshmi të kësaj mbështetjeje. Me dashuri dhe në shenjë solidariteti mora pjesë me një video-përshëndetje në veprimtarinë “Embrace Ukraine”, organizuar në 16 qershor në Amsterdam, me pjesëmarrjen e personaliteteve politikë e publikë nga Evropa dhe bota. Në këtë ditë të shënuar, i shpreh  Kryetarit të Verkhovna Rada, kolegut Ruslan Stefanchuk, solidaritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal si edhe besimin se populli i  Ukrainës do ta fitojë luftën e padrejtë që i është imponuar.  Ora e historisë nuk kthehet prapa! Gëzuar Ditën e Pavarësisë, në kohë të vështira, popullit të Ukrainës”, shkroi Lindita Nikolla në Facebook.

D.GJ//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?