Armando Broja pësoi një dëmtim të rëndë dje në miqësoren që Chelsea zhvilloi kundër Aston Villas në Abu Dhabi. Sulmuesi shqiptar doli nga loja në minutën e 18-të, teksa pas përplasjes me një kundërshtar u dëgjua ulërima e tij për shkak të dhimbjes. Për këtë ka folur edhe trajneri i Bluve, Graham Potter. Dëmtimi mund të jetë i rëndë në ligamentet e gjurit, çka do bënte që Broja të qëndronte jashtë për të paktën 5-6 muaj.
"Unë mendoj se ai u përplas me lojtarin e tyre dhe tokën. Nuk duket pozitive për momentin, por është shumë herët për të thënë. Gishtat e kryqëzuar, por është e vështirë”, tha Potter për Chelsea TV. Nëse dëmtimi për Brojën konfirmohet për një periudhë të konsiderueshme kohore, siç mendohet, do të ishte një goditje e rëndë për planet e trajnerit Potter.