Përmes një artikulli me titull “Droga, mbledhja e borxheve, egërsia. Kështu bota e krimit shqiptar hëngri Romën”, La Republica ka rikthyer sot historinë e bandave kriminale të Romës që mbushën me drogë kryeqytetin italian. Autori i shkrimit Carlo Bonini evidenton grupin e shqiptarëve, drejtuesit e bandës Arben Zogu, Dorian Petoku dhe Elvis Demçe, të cilët sipas tij kanë siguruar vend të rëndësishëm në tavolinën e mafias italine.
Gazeta i referohet hetimeve të antimafias së Romës kur shkruan se shqiptarët kanë arritur të ndërtojnë linja konkurruese të trafikut të drogës nga Kolumbia duke e sjellë atë në Itali me çmime konkuruese. Grupi kishte fituar terren në Romë dhe zgjeroi zonat e kontrollit ku shpërndante lëndën narkotike falë edhe lidhjeve me elementët e tjerë të krimit dhe bosët e mafias, disa prej të cilëve u ka njohur edhe në burg, derisa një grindje mes bandave rivale ka çuar në shkatërrimin e dy grupeve italo-shqiptare. Grupet kriminale drejtoheshin njëri nga Ermal Arapaj i njohur si ‘Ufo’, ndërsa nga ana tjetër ishte Elvis Demçe, i cili drejtonte grupin rival, të cilët janë arrestuar nga policia. Pas një aksioni ‘Blic’, të zhvilluar nga policia italiane mëngjesin e 18 janarit, u arrestuan 27 persona, duke u shmangur në këtë mënyrë disa vrasje të mundshme, për trafikun e drogës.
Pjesë nga shkrimi në ‘La Republica’
Dikush, në fund, e mori Romën. Ose, të paktën, iu afrua shumë këtij qëllimi. Shqiptarët e brezit të dytë. Të rritur nën hijen e familjeve kriminale historike që ndanë kryeqytetin, ata flasin dialektin e trungut të qytetit, edhe nëse e gjymtojnë thelbin me theksin sllav. Ata janë të egër, të armatosur deri në dhëmbë. Sepse nuk pushuan së qeni të uritur.
Sot ata janë bashkëbiseduesit e privilegjuar të familjeve 'Ndrangheta' në Romë, ndërfaqja e respektit për "aristokracinë kriminale të vendit", me fjalët vetëkënaqëse të kreut të fundit të krimit shqiptar në Romë.
Ata nuk respektojnë asnjë rregull, por e dinë atë themelorin: kush vendos çmimin e drogës në Romë, qeveris tregun. Dhe kushdo që qeveris tregun komandon. Ata ia kanë dalë. Falë marrëdhënieve të vendosura me "Kartelin e Gjirit" në Kolumbi, falë paktit me ushtrinë marokene që lehtësojnë kanalet e furnizimit me hashash, falë disa agjentëve të mirë në Ekuador. Ata arritën të merrnin shumë gjëra dhe me një çmim konkurrues.
Arben, mbreti i parë
Nëse bashkojmë punën e viteve të fundit të Drejtorisë së Qarkut Antimafia të Prokurorisë Publike të Romës, gjejmë një nismë të kësaj historie. E bashkë me të edhe tre emra të përsëritur: Arben Zogu, Dorian Petoku dhe Elvis Demçe. Dhe pikërisht me Arbenin duhet të fillojmë.
E quajnë "Riccardino" dhe ai tashmë ka grumbulluar një pasuri me drogë dhe kompjuterat e lojërave të fatit. Madje ai ka zhvilluar një farë aftësie diplomatike në vendosjen e marrëdhënieve të forta me familjet e larta të krimit. Gjatë viteve të burgut që mbajti në Avellino, ku u njoh me kalabrezin Rocco Bellocco, të klanit Rosarno.
E ka nisur nga Acilia Arbeni, aty ku në vitin 2013 arriti të bënte turneun e tij diskret me ndihmën e vëllezërve Guarnera dhe grupe të tjera shqiptare, duke ripropozuar formatin dhe rutinën e grupit Camorra që deri pak kohë më parë drejtohej nga Mario Iovine, i klani i Casalesi. Arbeni bën biznes me të gjithë.
Nga Fasciani te Sienezët, nga Carminati në 'Ndrangheta. Kalabrezët janë numër një – shpjegoi ai gjatë një interviste në burg – ata më ftojnë për darkë çdo mbrëmje”. Dhe në 2013 - vënë në dukje ata që e hetojnë - banda e tij "mund të mbështetej në marrëdhëniet e datuara me subjekte që i përkasin ‘Banda della Magliana’, si të mirënjohurit Luciano Crialesi dhe Renato Santachiara".
Mbi të gjitha, banda ka “krijuar marrëdhënie bashkëjetese me anëtarët e klanit Fasciani të Ostias, me qëllim që të operojë e pashqetësuar në zonën e Acilias, shpesh në mënyrë të dhunshme dhe me kufizime ekskluziviteti, në sektorin fitimprurës të 'automatëve', të cilat u imponohen objekteve tregtare.
2013 është viti në të cilin karabinierët ndjekin dhe dëgjojnë si hije Massimo Carminati, i cili ka hyrë plotësisht në krye të "Bateria Ponte Milvio", po e njëjta bandë që drejtohet nga shefi historik ultras i "Irriducibili" të Lacios që më pas do të vritej në gusht 2019, Fabrizio "Diabolik" Piscitelli. Edhe Guardia di Finanza e vërejti Arbenin. Është viti 2015 dhe djali është bërë i ‘madh’, siç shënon Komanda Krahinore në një raport të korrikut:
“Është regjistruar ngritja e papritur dhe domethënëse e vetë Zogut brenda nëntokës romake, në kushte reciprociteti, me bosët e vlerës kriminale të Massimo Carminati si dhe për të marrë respekt të bollshëm dhe të njohur në kontekstet më të dhunshme kriminale të kryeqytetit, falë edhe aftësisë së njohur për t'u imponuar, në mënyrë efektive dhe konkurruese, në qendrat më fitimprurëse të shpërndarjes së drogës. Arbeni pra, mbreti i parë i një gjinie të re kriminale. Kush do të duhet ta pasojnë, tashmë në 2015-n, sillen rreth tij si engjëjt mbrojtës: Dorian Petoku dhe Elvis Demçe.
Protagonistët
Në vitin 2015, dyert e burgut hapen për Arbenin, por edhe Elvis Demçe, që duhet ta pasojë atë, është pas hekurave, pasi akuzohet për vrasjen e Federico Di Meo, një 30 vjeçar i vrarë me armë zjarri në Velletri në 2013. Elvis do të shpallet i pafajshëm në Apel, por fakti mbetet se ai nuk është gati për trashëgimi. Pra, i takon Dorian Petokut! Djali ka lindur në vitin 1988 në Shqipëri, në Lezhë, një qytet me 113 mijë banorë, ku komandon ata që radhazi ose së bashku, trafikojnë armë, njerëz dhe drogë, edhe falë lidhjeve me politikën. Kërcimi nga Lezha në Ponte Milvio të Romës, duket se nuk e mërzit Dorianin, i cili e mbush shpejt boshllëkun e lënë nga Arbeni, Mbreti i parë.
Në vitin 2018, në rrjetet sociale ai pëlqen të përjetësojë veten mes tufave të kartëmonedhave dhe armëve. Një vit më parë, hetimi "Grande Raccordo Criminale" dokumentoi se si ai bënte biznes me Fabrizio "Diabolik" Piscitelli dhe partnerin e tij Fabrizio Fabietti. Edhe nëse imazhi që fotografon respektin e fituar nga shqiptarët në bilancin kriminal të qytetit është ai i përjetësuar nga një drekë e 13 dhjetorit 2017, në restorantin “L’Oliveto” në Grottaferrata. Atë ditë, ulur rreth një tavoline, janë katër burra të rëndë. Është një i infiltruar, i cili e quan veten "Francezi" dhe veprat e të cilit rrëfehen në operacionin "Brazil loë cost" (kur familja Casamonica tentoi të sillte në Itali një avion të ngarkuar me kokainë të pastër që do t'i bënte milionerë). Pranë tij qëndron Salvatore Casamonica, i lindur në vitin 1976, një figurë e kalibrit të madh kriminal dhe kryetar i klanit që kontrollon Romën Lindore. Përpara tij ha dhe diskuton Fabrizio Piscitelli, ‘Diabolik’. Dhe pastaj është ai Dorian Petoku. Nuk është një drekë me miqtë. Casamonica, Piscitelli dhe shqiptarët në fakt po vulosin një ‘pakt mafioz’ që do të duhet t'i japë fund konfliktit midis familjeve Esposito dhe Spada dhe të lejojë që trafiku i drogës të lulëzojë në bregdetin e Lazios. Një ekuilibër i ri në të cilin shqiptarët fitojnë vend në tavolinë. Megjithatë, historia e Dorianit është e shkurtër. E arrestuan në vitin 2019 në Shqipëri. Dhe prandaj, më në fund radha për të mbretëruar i takon Elvis Demçes, i cili ndërkohë i ka zgjidhur problemet me drejtësinë.
Elvis, ‘Zoti'
Elvisi ka një pamje të ashpër. Ai rrezikoi të kalonte jetën në burg. Por, 36 vjeçari, sa ishte në vitin 2020, ishte i lirë dhe tashmë kishte në dorë gjithçka: urinë, karizmën, ligësinë, aftësitë logjistike dhe kontaktet e duhura. Ai del nga burgu më 19 prill 2020, në pandemi dhe izolim të plotë. Me një bindje të rrënjosur thellë: “Unë jam Zoti”. Ai e shkruan në rrjetet sociale, duke përdorur pseudonimet e tij, "Spartacus" ose "Perseo", të cilave u lidh një kuptim i fortë simbolik. Në mungesë të tij, sheshet e trafikut të drogës u morën nga Ermal Arapaj, shqiptar si ai dhe drejtues i një organizate tjetër shumë ‘të respektuar’. Por tani që ai ka dalë nga burgu, pronari pretendon atë që ai e konsideron të tijën. "Isis është jashtë," thotë Elvis, duke e krahasuar veten me kalifatin e zi dhe duke shpallur luftën. Tashmë, ai synon të rikuperojë "menjëherë qarkun e tij të marrëdhënieve kriminale për të rimarrë kontrollin dhe dominimin në pazaret e kryeqytetit dhe të krahinës (Velletri dhe Acilia)", shkruajnë magjistratët.
“Edhe këtu kalldrëmet janë tanët”, thotë duke dhënë urdhra nga veranda e shtëpisë së tij, në via Foglianese, një grup shtëpish jo shumë larg Prenestinës, në jug të Romës. Elvisi përpiqet të eliminojë rivalin e tij Arapaj duke e dorëzuar ‘nën kujdesin’ e një komandoje prej katër vrasësish pranë Lanuvios. Ai synon të vrasë dy magjistratë romakë që kishin vendosur ‘shkopinj nën rrota’. Dhe ai urdhëron të zbulohet se ku jetojnë policët që janë marrë me njerëzit e tij.
Në këtë periudhë Elvis ka kontakte me Kolumbinë, Marokun dhe Ekuadorin. Dhe ai është i armatosur deri në dhëmbë. Ai punon me 'Ndrangheta', bisedon me kupolën e ushtrisë marokene dhe me "trashëgimtarët e Pablos që janë ata të kartelit Medelin. "Ata që kontrollojnë guerilët në Amazon", thotë ai. E megjithatë për Elvisin, paratë nuk janë gjithçka. Krimineli, për të, është një dimension ekzistencial, i vetmi që mund të imagjinohet.
“Gjithmonë do të më mungonte diçka sepse brenda jam një kriminel. Edhe me kostum 100 milionë dhe kravatë të shtrenjtë”, thotë ai.
Ai nuk konsumon ajër. Ai jeton në magjepsjen e një "miti" si Raffaele Cutolo, për të cilin regjistrohet ditën kur ai vdiq: "Ky njeri i madh ka vdekur. Që në 1979 i burgosur", shkruan ai duke kujtuar refuzimin e shefit të Camorra për të bashkëpunuar: "Ai u përgjigj se është mësuar mes hekurave të shohë familjen dhe kjo është në rregull. Më jep më shumë dashuri të vdes mes hekurave dhe qelive me dinjitet sesa mes luksit dhe turpit”.
Me Elvisin, Roma është e përmbytur me tonelata kokainë dhe tym. Të cilat kthehen në para. Por, në fakt, pasuria nuk mjafton. Ai ka nevojë për gjak. Përpiqet më kot të vrasë Arapaj. Por nuk i japin kohë. Ai arrestohet. Dhe, disa muaj më vonë, Europol arrin të marrë në dorë një server të dedikuar të quajtur "Sky Etc", i cili përmban bisedat e koduara të 170 kriminelëve të bindur se ata mund të flasin lirshëm. Ka edhe ato të Elvisit dhe të bindurve të tij. Janë fotot e viktimave të klanit, në shkurre me armën e drejtuar në kokë, në pritje për të marrë vendimin e fundit të Elvisit dhe për rrjedhojë fatin e tyre të jetës ose vdekjes./ Përshtati në shqip Shqiptarja.com
Në përgjimet e publikuara nga mediat italiane, lidhur me bosët e drogës në Itali që kanë “pushtuar” Romën. Berisha nuk ka lidhje me grupit, por është përdorur si krahasim për mënyrën e sigurisë që lëvizte një person, kundërshtar i Elvis Demçes.
Elvis Demçe: Rop me ia dit shpit me ju plan na mi prit posht shpis kur*** me ia ** robt me ba terror.
I panjohur: Ka 10 shtëpia aj mor frato s’kapet kun
Elvis Demçe: A je agjent sekret a jo? Lerë fare se ai është budalla, homoseksual. 10 shpi thua? Po pse? Kush është ai, Sali Berisha?
I panjohur: S’del asnjë ditë zemër vetëm del me dy makina si e shoqërojnë e çdo ditë e ndërron makinën, e nuk fle asnjëherë tek e njëjta shtëpi
Elvis Demçe: Motër****, me e gjet kun, mi plas trut.
I panjohur: Rop me n’zerr inatin e bufin demek sikur jam tu vra nanji koleg të viagenovës.
Elvis Demçe: Se ma ke fiksu keq
I panjohur: As asht ropqim mor zemër tan i kan d*i në burg.
Elvis Demçe: Aj ropqim s’ka re mre se punon me to thojn tanë. Ja dale sa ti bëj kët kurthin e fundit shife ti ca kam për mi ba pos e lash dekun tok mes torbeles me kryt bira bira ta shofi.
I panjohur: Aj p*** motre mka njoft mu kristin tone e shoferin kur kena ba punën zemër
Elvis Demçe: Po rop
I panjohur: Matematika ke ai p*** motre a tu me cu
Keshtu eshte kur vene ne vende ku policia dhe politikanet korruptohen. U duket vetja zoter lyrashve.
Përgjigju