Dyshimet janë kthyer në siguri. Thesari radioaktiv i ajatollahëve – plot 408.6 kilogramë uranium i pasuruar në nivelin 60 për qind, pra shumë pranë pragut të nevojshëm për ndërtimin e një bombe – është fshehur në ndonjë laborator sekret të Republikës Islamike. Një nga ata që nuk janë raportuar kurrë në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), ose janë raportuar me vonesë dhe me mungesa, pjesë e një rrjeti të fshehur strukturash që, pas “luftës 12-ditore”, përbëjnë një Plan B potencialisht të rrezikshëm.
“Vlerësimi paraprak i shërbimeve të inteligjencës, i përcjellë qeverive evropiane, tregon se rezervat e uraniumit në Iran janë në pjesën më të madhe të paprekura”, shkruan Financial Times, duke cituar dy burime të njohura me dosjen, që këto orë është kthyer në objekt debatesh të forta mes Shtëpisë së Bardhë, ekspertëve të programeve bërthamore, shërbimeve sekrete dhe shtypit ndërkombëtar. Gazeta britanike shton se uraniumi nuk ndodhej më në objektin e Fordow — ndërtuar në brendësi të një mali pranë qytetit të shenjtë Qom — në momentin e sulmit ajror amerikan që hodhi gjashtë bomba GBU-57 me nga 13 tonë secila në pikat e ventilimit. Edhe fakti që nuk u zbulua asnjë ndryshim në nivelet e radioaktivitetit në ajër forcon idenë se stoku është zhvendosur përpara sulmit, siç specifikuan edhe shërbimet sekrete të jashtme italiane (AISE) gjatë një dëgjese në Copasir disa ditë më parë.
Mund të debatohet për nivelin e shkatërrimit që kanë shkaktuar bombat me depërtim të lartë në Fordow – për Trump objektivi është “i shkatërruar plotësisht”, për Pentagonin “rëndë i dëmtuar”, ndërsa për iranianët gjykimi varion nga “i paprekur” në “dëme të konsiderueshme” – por thelbi sot është tjetër: ku është fshehur thesari radioaktiv i Khamenei-t? Sa është vonuar programi bërthamor iranian? Dhe mbi të gjitha: a ka Republika Islamike centrifuga në objekte të tjera, përtej atyre të bombarduar në Fordow, Natanz dhe Isfahan?
“Përgjigjja është po”, thotë për La Repubblica Jeffrey Lewis, profesor në Middlebury Institute of International Studies në Monterey dhe ekspert i politikave bërthamore. “Irani ka një rrjet strukturash nëntokësore për programin bërthamor që nuk njihen. Nga ajo që dimë, kapaciteti për pasurim nuk është asgjësuar, sepse ka ende centrifuga funksionale dhe komponentë për të prodhuar shumë të tjera”. “Arritja e thuajse gjysmë ton uranium në 60 për qind do të thotë se shumica e punës për ndërtimin e një arme është bërë. Ta çosh në 90 për qind është më e lehtë dhe më e shpejtë – me 250 centrifuga kjo arrihet për 8-10 javë”.
Dy ditë para sulmit amerikan, satelitët kanë zbuluar një kolonë me 16 kamionë pranë njërës nga hyrjet e Fordow, laboratorit më të mbrojtur iranian për pasurimin. Nuk është e sigurt nëse janë përdorur për transportimin e uraniumit, edhe pse drejtori i AIEA Rafael Grossi ka zbuluar se më 13 qershor (dita e nisjes së sulmit izraelit), kishte marrë një letër nga ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ku njoftohej për miratimin e “masave të veçanta” për mbrojtjen e pajisjeve dhe materialeve radioaktive. Dyshohet se zhvendosja e uraniumit ishte pjesë e këtyre masave.
Më 12 qershor, qeveria iraniane i komunikoi AIEA-s se kishte përgatitur një objekt të ri, ndërtuar edhe më thellë se 80-90 metrat e Fordow. Të dhënat për këtë vend janë të pakta. Dyshohet të jetë një impiant prej të paktën 10 mijë metrash katrorë me centrifuga dhe magazina, që ndodhet në një nga malet e provincës Isfahan. Vendndodhja e saktë nuk dihet. “Mendoj se nuk ndodhet afër qendrës së kërkimeve dhe konvertimit që është goditur”, thotë profesori Lewis.
Para sulmeve izraelite, rezervat e uraniumit të pasuruar ishin në Fordow dhe Isfahan, ku edhe tunelët e ndërtuar thellë nuk duken të kenë shkatërruar nga bombardimet. Presidenti Trump, në platformën Truth Social, shkroi: “Asgjë nuk është nxjerrë nga objekti (duke iu referuar Fordow). Do të kishte kërkuar shumë kohë, do të kishte qenë shumë e rrezikshme sepse është shumë e rëndë dhe e vështirë për t’u zhvendosur”. Por ekspertët nuk e mbështesin këtë version. “Uraniumi transportohet vazhdimisht, nuk është i vështirë për t’u lëvizur”, thotë sërish profesori Jeffrey. “Në procesin industrial të pasurimit, ai kalon shpesh nga një strukturë në tjetrën, nga një uzinë në tjetrën”. Ai ruhet në cilindra metalikë në formë pluhuri, të cilët, për nga përmasat, futen në bagazhin e një makine.
Thesari radioaktiv i Republikës Islamike, që Teherani pretendon se është vetëm për përdorim civil dhe jo ushtarak, mbetet misteri i ditës së 13-të, pas dymbëdhjetë ditëve lufte me Izraelin. Netanyahu ka deklaruar se Mossad-i ka një “gjurmë interesante” për të zbuluar vendndodhjen e tij. Grossi i AIEA-s kërkon — ende pa sukses — të dërgojë inspektorë në laboratorin e ri sekret ose kudo që Pasdaranët kanë depozituar rezervat. Për SHBA dhe Izraelin, dorëzimi i këtij uraniumi të pasuruar është kushti bazë për të rinisur negociatat. Dhe pikërisht kjo mund të jetë arsyeja e një ndërhyrjeje të ardhshme ushtarake./La Repubblica
Komente
