SHBA - Finalja e US Open 2025 për femrat (sot 22:00 me orën shqiptare) do të vendos përballë numrin një të botës, Aryna Sabalenka dhe surprizën amerikane Amanda Anisimova (vendi 8).
Sabalenka siguroi biletën për në finale pasi mposhti Jessica Pegulën në një gjysmëfinale dramatike, të fituar 2-1 në sete (4-6, 6-3, 6-4). Kjo është finalja e tretë radhazi për bjellorusen, një arritje që nuk shihej që nga periudha 2012-2014, kur Serena Williams dominonte skenën.
Në anën tjetër, Anisimova shkroi një tjetër faqe të artë në karrierën e saj, duke eliminuar Naomi Osakan me rezultatin 2-1 (6-7, 7-6, 6-3). Pas finales së Wimbledonit, ku u dorëzua ndaj Iga Swiatek në një ndeshje të njëanshme (6-0, 6-0), 23-vjeçarja amerikane tregoi forcë psikologjike dhe arriti në finalen e saj të dytë radhazi të një Grand Slami, vetëm 57 ditë më vonë.
Të shtunën, Sabalenka do të kërkojë të mbrojë statusin e saj si mbretëresha e tenisit botëror, ndërsa Anisimova do të synojë të shkruajë historinë, duke tentuar surprizën përballë një prej tenisteve më të forta të dekadës së fundit.
Komente
