I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia, Altin Joka, i cili foli për sinergjinë ushqimore, apo për kombinimet e ushqimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin tonë të përditshëm.
“Së pari, le të shpjegojmë termin sinergji, që vjen nga greqishtja dhe do të thotë: hajde të punojmë së bashku. Pra, kombinimet ushqimore që ne na bëjnë mirë, janë bashkëveprime të dobishme mes ushqimeve, që rrisin efektin pozitiv të njëri-tjetrit në organizëm,” tha Altini në fillim të bisedës, duke theksuar rëndësinë e kuptimit të këtij koncepti që shpesh neglizhohet në rutinën tonë të të ushqyerit.
Kombinimet e mençura ushqimore janë shumë efikase, sidomos për të ngrënë me zgjuarsi dhe për të përfituar maksimumin e vlerave që ushqimi ofron.
“Mendojeni si një orkestër, ku çdo ushqim është një instrument. Duke krijuar një harmoni më të madhe, ushqimet e kombinuara drejt punojnë për të njëjtin qëllim: shëndetin e trupit tonë,” shtoi ai, duke përdorur një krahasim shumë të kuptueshëm për publikun.
Në momentin që ne bëjmë një debat, nuk duhet të konsumojmë ushqim, pasi organizmi nuk është i qetë dhe nuk është në gjendjen e duhur për të përthithur lëndët ushqyese. Kjo ndikon që vlerat ushqimore të mos përpunohen siç duhet nga trupi.
“Një nga shembujt jo të mirë është kombinimi i picës me djathë dhe proshutë,” tha Altini, duke theksuar se ky lloj ushqimi është tepër i rëndë për sistemin tretës.
Ai shtoi gjithashtu se picat me miell të bardhë çorodisin parametrat e trupit tonë, sepse mielli i rafinuar, bashkë me yndyrnat dhe shtesat artificiale, krijojnë një ngarkesë të panevojshme metabolike. Yndyra e tepërt do të dëmtojë pankreasin, mëlçinë, duke krijuar një efekt domino që prek funksione të tjera jetike të organizmit. Kur ne nuk bëjmë një kombinim të mirë dhe të balancuar, tretja nuk do të funksionojë plotësisht, duke mos bërë punën e saj në mënyrë të duhur. Si rezultat, ushqimi nuk përthithet siç duhet, dhe ne nuk marrim përfitimet që presim.
Altini foli edhe për mitet e moskonsumimit të peshkut me djathë. “Kombinimi i këtyre dy elementëve mundet të sjellë, sipas tij, ndonjëherë edhe reaksione. Kjo nuk është absolute, gjithsesi ekziston mundësia,” shpjegoi ai. Ai sqaroi se reagimet janë individuale dhe varen nga ndjeshmëria e organizmit, dhe jo sepse ky kombinim është domosdoshmërisht i dëmshëm për të gjithë.
“Kombinimi i vitaminës C me vitaminën E është ndër më të mirët. Vitamina C bën gjallërimin e vitaminës E dhe në kombinim janë shumë të mira,” shtoi Altini. Kjo do të thotë se kur konsumohen së bashku, ato e forcojnë njëra-tjetrën dhe rrisin kapacitetin mbrojtës të trupit ndaj dëmtimeve qelizore. Vitamina C e kombinuar me hekurin gjithashtu është shumë e mirë, sepse ndihmon në përthithjen e tij në gjak, çka është thelbësore për parandalimin e anemisë. Po ashtu, vitamina D me kalciumin janë një dyshe shumë e vlefshme për shëndetin e kockave, ndërsa magnezi me vitaminën B6 janë të domosdoshëm për funksionimin e mirë të sistemit nervor dhe muskujve. Zinku dhe vitamina A ndihmojnë për shikimin dhe imunitetin, ndërsa seleni me vitaminën E kanë veti të forta antioksiduese.
“Domate, vaj ulliri dhe borzilok janë kombinimet më të mira,” tha Altini, duke përmendur disa shembuj konkretë nga kuzhina mesdhetare, e njohur për përfitimet e saj shëndetësore. Spinaqi me limon, kopër dhe farë susami; fasulja me orizin, rigon dhe vaj ulliri; të gjitha këto janë shembuj të thjeshtë por të fuqishëm në ndikimin e tyre pozitiv për organizmin.
“Bukë, gjalpë, domate, qepë është një kombinim shumë i mirë,” shtoi ai, duke treguar se edhe ushqimet më të zakonshme në tryezën tonë mund të jenë të dobishme nëse përzgjidhen dhe kombinohen me kujdes.
Salmoni duhet kombinuar me pataten e kuqe, që është më e pasur me antioksidues se ajo e bardha. Brokoli shkon shumë mirë me vaj ulliri, duke rritur përthithjen e vitaminave të tretshme në yndyrë. Omleta duhet kombinuar me spinaq për një mëngjes të plotë dhe të shëndetshëm. Një supë pule duhet bërë me karrotë të grirë, qepë dhe selino, duke përfshirë kështu elementë që forcojnë sistemin imunitar. Altini tha se duhen shmangur ëmbëlsirat pas një vakti, pasi na dëmtojnë dhe nuk ndihmojnë në përthithje të ushqimeve. Sipas tij, një frut pas vaktit është ide më e mirë, sepse ndihmon në tretje, ofron freski dhe nuk e rëndon organizmin.
Komente
