Ushqimet kundër COVID/ Dietologia Arlinda Garuci në Report Tv: Hiqni dorë nga sheqeri, armik i imunitetit tonë! Ç'duhet të konsumojmë

7 Dhjetor 2020, 16:19| Përditesimi: 7 Dhjetor 2020, 16:44

  • Share

Në kushtet kur çdo ditë shënohet rritje e personave të prekur nga COVID, dietologët bëjnë thirrje që të konsumohen ushqime që rrisin imunitetin. Për Report Tv dietologia Arlinda Garuci sugjeron sa më shumë fruta e perime, e peshk, ndërsa apelon të heqim dorë nga sheqernat.

 “Atëherë duhet të konsumojmë frutat, perimet, produktet integrale, drithërat integrale dhe sidomos peshkun e kaltër. Përgjithësisht mishin e bardhë duhet ta konsumojmë më shumë se mishin e kuq i cili për të pasur dhe një imunitet më të mirë këshillohet një deri në 2 herë në javë dhe pjesa tjetër e proteinave të merret nga mishi i bardhe apo proteinat bimore siç janë thjerrëzat, qiqrat, fasulet. Ndërkohë produkte të cilat janë armiq të imunitetit tonë është sheqeri kështu që duhet të mos abuzojmë me masat te karbohidratet të limitojmë sa më shumë ëmbëlsirat, pijet që përmbajnë sheqer, pijet e gatshme dhe produktet e furrës që gjithashtu përmbajnë vaj palme të blera, të konvencionuara, gjalpë. Janë të gjitha produkte të cilat nuk na bëjnë mirë dhe sigurisht ulin dhe imunitetin.”

Garuca tha se në bazë të studimeve të fundit rreth 45% e personave të prekur me COVID vuajnë nga kequshqyerja dhe mbipesha.

 “Thirrja ime është më shumë pikërisht për këtë kategori që duhet patjetër që të kenë kujdes për peshën e tyre trupore. Janë persona që përveçse vuajnë nga mbipesha apo obeziteti mund të kenë probleme me sëmundjet e tjera bashkëshoqëruese siç është sëmundje kardiovaskulare apo diabeti të cilat dhe ato i kemi parë që nuk kanë qenë në benefit të COVID, prandaj duhet patjetër që të kujdesen për dietën e tyre ushqimore.”

Dietologia thotë se COVID-i ka ndërgjegjësuar qytetarët pasi tani po përpiqen të ushqehen shëndetshëm.

 “Ka sensibilizim patjetër edhe sidomos gjatë kësaj pandemie shohim njerëz që kanë dëshirë të përdorin më shumë çajra apo lëngjet e frutave por nga njëherë edhe këtu abuzohet për shembull me lëngun e limonit u abuzua shumë ndërkohë që pastaj filluan t’i jepnin probleme gastrike sepse normalisht duke pirë shumë me idenë që po rrisim imunitetin. Domethënë edhe lëngjet e frutave dhe duhet të kenë atë masën e vetë sepse dhe vetë frutat kanë sheqer, por përgjithësisht duhet të themi që dhe aktiviteti fizik ka të bëjë me dietën ushqimore dhe të dyja këto nuk duhet të jenë stinore apo thjesht në rastet kur na ndodh pandemia apo sëmundje të tilla”

Dietologia thekson se është e rëndësishme për cilindo që të konsumojë 5 vakte në ditë dhe të respektojë oraret e tyre.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?