Sulmet në Gaza, foto arkiv

Bota

Izraeli vijon sulmet në Gaza, 38 të vrarë gjatë orëve të fundit! Hamas pranon propozimin e Trump, Netanyahu në Washington të hënën

27 Shtator, 09:24| Përditesimi: 27 Shtator, 11:53

  • Share

Mediat izraelite dhe ato amerikane raportojnë se Hamasi ka pranuar parimisht planin e Donald Trump për fundin e luftës në Gaza. Ai përmban 21 pika dhe parashikon dy lëvizje kryesore që Izraeli dhe Hamasi do të bëjnë menjëherë sapo ta nënshkruajnë. Kryeministri izraelit do ta diskutojë planin me Presidentin amerikan pas dy ditësh në takimin dypalësh mes tyre.  

Sulmet e Izraelit në terren vijojnë ndërkohë. Të paktën 38 persona janë vrarë që nga agimi nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, 25 prej të cilëve në qytetin e Gazës. Në këtë zonë, ushtria izraelite ka nisur kohët e fundit një operacion të ri për pushtim, me qëllim, sipas tyre, eliminimin e të gjithë terroristëve të Hamasit.

Të premten, Presidenti i SHBA, Donald Trump, në një postim në Truth Social, tha se po zhvilloheshinn bisedime produktive për Gazën, në të cilat, sipas tij,  janë përfshirë të gjithë vendet e rajonit të Lindjes së Mesme. Trump theksoi se e rëndësishme është që ka vullnet për të arritur një marrëveshje.

“Është një nder të jesh pjesë e këtyre negociatave. Duhet t’i kthejmë pengjet dhe të sigurojmë një paqe të qëndrueshme”, ka shkruar mes të tjerash Trump.

Sulmet izraelite po vrasin çdo ditë civilë, ndërsa kriza humanitare është përkeqësuar. Shumë vende Perëndimore, mes të cilave, Franca, Britania e Madhe, Kanadaja, Portugalia etj, njoftuan njohjen e Palestinës si shtet, një veprim që Izraeli e cilësoi si një “shpërblim” ndaj Hamasit.

Një ditë më parë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahi mbajti një fjalim në Asamblenë  e Përgjithshme të OKB-së, duke e quajtur njohjen e Palestinës si një turp. Ai tha se ky vendim ishte një “vetëvrasje kombëtare” për Izraelin dhe “një çmenduri që nuk do ta bëjnë”.

Por gjatë fjalës së tij, një pjesë e madhe e liderëve u larguan nga salla, në shenjë proteste për atë që po ndodh në enklavën palestineze.

Lajm ne perditesim...

Ora 11:45
Hamasi pranon propozimin e Donald Trump për fundin e luftës

Hamas ka pranuar në parim planin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza, i cili parashikon lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve izraelite. Kështu raportojnë burime të informuara për këtë çështje për gazetën Haaretz. Duket se Katari ka qenë i përfshirë në përpjekjet për të bindur Hamasin që të pranojë strukturën e marrëveshjes, dhe Trump shpreson ta finalizojë atë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, kur të takohen të hënën. 

Ndër 21 pikat e planit Trump për Gazën është edhe tërheqja graduale e trupave izraelite nga Rripi, e cila do të paraprihej nga lirimi i të gjitha pengjeve, tw gjallw ose jo, brenda 48 orëve nga nënshkrimi i marrëveshjes. Kështu raporton CNN, duke cituar burime të informuara. Plani përfshin gjithashtu lirimin e mijëra të burgosurve palestinezë, përfshirë mbi 100 që vuajnë dënime të përjetshme.

Ora 09:38
Trump: Po zhvillojmë diskutime produktive për Gazën, ka vullnet të mirë për arritjen e një marrëveshjeje

1758527080_donaldtrump.webp

Presidenti amerikan, Donald Trump është shprehur entuziast, teksa ka shkruar në Truth Social se po zhvillojnë diskutime stimuluese dhe produktive. Sipas tij, prej ditësh po punohet për një marrëveshje.

"Po zhvillojmë diskutime shumë stimuluese dhe produktive me komunitetin e Lindjes së Mesme në lidhje me Gazën. Negociatat intensive kanë filluar për katër ditë dhe do të vazhdojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të arritur një marrëveshje të suksesshme", shkroi Donald Trump në Truth.

Kreu i SHBA shton se të përfshira në negociata janë të gjitha vendet e rajonit të Lindjes së Mesme.

"Të gjitha vendet në rajon janë të përfshira, Hamasi është në dijeni të këtyre diskutimeve dhe Izraeli është informuar në të gjitha nivelet, përfshirë Netanyahun. Ka më shumë vullnet të mirë dhe entuziazëm për arritjen e një marrëveshjeje, pas kaq shumë dekadash, sesa kam parë ndonjëherë më parë. Ne duhet të lirojmë pengjet dhe të arrijmë paqe të përhershme dhe të qëndrueshme!", shton ai.

Postimi i Donald Trump 
Xh.D/A.I/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?