Varhelyi: Tashmë negociojmë që Shqipëria të jetë anëtare e BE-së, asnjëherë s'u stepën! Na duhet zgjerimi, që ta bëjmë BE të fortë

15 Tetor, 10:33| Përditesimi: 15 Tetor, 14:02

  • Share

 

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi shprehet se Konferenca e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, është një moment historik për Shqipërinë në procesin e integrimit.

"Mendoj që po kremtoni një vendim mjaft të rëndësishëm sot, ndonëse zhargoni i procesit duket shumë teknik që hapëm, grup kapitullin e parë të negociatave që tashmë është çelur rruga për bisedimet thelbësore çka nënkupton që tashmë do të negociojmë kushtet në të cilat Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Europian.

Kjo është ajo çka po ndodh sot.

Doja po kështu të falënderoja presidencën hungareze që ka nisur punën, duke e vendosur zgjerimin, jo vetëm si përparësi politike, por po kështu duke i kushtuar përpjekje të jashtëzakonshme për të nxitur e për të shtyrë përpara procesin institucional, çka nënkupton që të merren të gjithë vendimet e nevojshme, të zhvillohen të gjitha takimet e duhura për të ecur përpara edhe drejt përmbylljes së bisedimeve të anëtarësimit.

Është e padiskutueshme tashmë mendoj, për BE-në dhe udhëheqësit e saj që zgjerimi është mes tre përparësive kryesore. Është mes këtyre tre përparësive sepse pa zgjerimin, Europa nuk mund të bëhet më e fortë. Na duhet zgjerimi që Bashkimi Europian të bëhet më i fortë, tha Varhelyi.

Më tej ai shtoi se që nga 2019 është bërë një rrugë tejet e gjatë, duke nënvizuar se janë pëtballur me shumë sfida për të arritur deri këtu.

"Krahasuar me pikën nga e nisëm në 2019 kemi bërë një rrugë të gjatë përpara. Më kujtohet shumë mirë dita e parë në detyrë kur mu desh të telefonoja kryeministrin Rama në mëngjes herët sepse ishin përballur me një tërmet shkatërrues, tërmet me shkallë Rihter 6,4 ballë. Ndërhymë menjëherë në përpjekje për të ndihmuar dhe mendoj që kjo formësoi dhe pjesën tjetër të mandatit dhe jo vetëm i dha formë mandatit, por solli po kështu, një qasje të re sepse ajo çka trashëgova nga Komisioni Juncker dhe kryeministri e përmendi tashmë ishte më shumë një skenë si një makinë e përplasur sesa një portofol. Kishim tre përpjekje të dështuara për të arritur marrëveshje për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo ishte pika nga duhet ta filloja dhe në thelb u desh që politika e zgjerimit të ngrihej, më së pari, në këmbë dhe pastaj të merreshim me integrimin e mirëfilltë që do të thotë të dinim sesi do të arrinim ekonomi të ngjashme, shoqëri të ngjashme në Ballkanin Perëndimor edhe përpara sesa të ndodhë anëtarësimi dhe kjo u bë përmes Planit Ekonomik të Investimeve.

E para ishte të hartonim një metodologji të re dhe pastaj i treti është edhe plani i rritjes, që tashmë po e përshpejton zgjerimin dhe për të bërë të mundur që në fund të mandatit të Komisionit të ardhshëm, ne të mund të shohim kryeministrin Rama që të emërojë dhe Komisionerin e parë apo të japë propozimin e vet për Komisionerin e parë në Komision.

Kur diskutoja me kryeministrin planet e mia dhe i thoja që “Mendoj se mund të bëjmë maksimumin”, ai më shihte, nuk e njihnim njëri-tjetrin, por më shihte, si ta them, me një nivel modest pikëpyetjeje nëse kjo do të ishte e mundur dhe është e mundur. Është e mundur sepse Shqipëria ndërmori një qasje të re kur vjen fjala për t’i bërë gjërat dhe kjo qasje e re do të thotë të mos druhet të bëjë gjithçka është e nevojshme, përfshirë edhe në terren.

Në qoftëse do të marrim disa shembuj. Kishim në 2020 shqetësime mjaft të mëdha sa i takon krimit të organizuar, sa i takon korrupsionit, sa i takon sistemit gjyqësor dhe ne vërtetë u futëm shumë thellë me kryeministrin dhe ai është angazhuar, e ka realizuar por duke ndërmarrë veprime, së bashku me shtetet anëtare duke ndërtuar besimin copëz pas cope, tullë pas tulle dhe mendoj që ishte një element thelbësor në suksesin që vendi ka akumuluar tashmë.

Po të hedhësh sytë pas e të shohësh ku jemi tani, kaluam COVID, na u desh të dërgonim vaksinat, u mor një vendim i madh që në 2020 për të nisur negociatat, pastaj u përballëm me një tjetër problem që nuk kishte aspak lidhje me Shqipërinë, por në 2022 patëm Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, çka nënkuptonte që bisedimit e anëtarësimit nisën", shtoi ai.

Varhelyi gjithashtu theksoi se kanë gjatë kësaj periudhe kanë trajtuar shumë probleme që kanë ekzistuar prej dekadash.

"Krah kësaj nisëm, po kështu, të ndërtonim Europën në Shqipëri. Kemi trajtuar çështje, të cilat mendoj se kanë qenë problem prej një sërë dekadash. Bypass-i i Vlorës që e përuruam, tashmë keni Kolegjin e Europës në Shqipëri, i pari në Ballkanin Perëndimor dhe mund të vazhdoj lista shumë, shumë e gjatë dhe kjo ka ndodhur sepse Shqipëria kurrë nuk është stepur të bëjë çdo gjë të nevojshme në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe shpresoj që kjo të vazhdojë sepse nëse kjo vazhdon, kjo nënkupton që në të gjitha instrumentet që kemi në duar, Shqipëria mund ta përgatisë veten për tu bërë anëtare në fund të mandatit të ardhshëm, por kjo nënkupton që në terren, po kështu, duhet të zbatojmë Planin Ekonomik të Investimeve.

Kështu kemi lajme të mira. Jemi në nivelin e 60% të zbatimit. Mendoj që ndoshta është pjesa më e suksesshme e të gjithë pjesës së buxhetit të BE-së, 60% vetëm deri tani, çka nënkupton se jo vetëm që kemi arritur sukses sa i takon zbatimit, por kjo nënkupton që efektivisht, programi është edhe mbi atë çfarë duhet të kemi, në fakt, 7 miliardë për nevojae  investime që mund të nxitim dhe një 20 miliardësh tjetër investime në rajon, investime në ekonomi, jo investime në përgjithësi, investime që do të krijojnë një ekonomi të re dhe një shoqëri të re në Ballkanin Perëndimor, qoftë tek ndërlidhshmëria, energjia, mjedisi, qoftë trajtimi i mbetjeve apo ujërave të ndotura.

Në të gjitha aspektet e jetës së përditshme, Bashkimi Europian po e përshpejton ritmin dhe ndërkohë pret që ju të ndërmerrni reformat e nevojshme që ju të bëheni anëtarë. Kryeministër, keni tashmë gjithçka në dispozicionin tuaj ndaj shpresoj që kur të vijë koha për të ikur, ju do të përshpejtoni edhe më shumë punën që unë e di, ju e keni kaq shumë përzemër" tha ai.


Lajmi kryesor:

Shqipëria hap grup-kapitullin e parë me BE-në! Rama: Gur themeli për rrugëtimin tonë! S'kemi plan B! Hungaria: Përshpejtoni zgjerimin! Varhelyi: Integrimi të bëhet i mundur brenda 2030 (Konferenca)


Xh.K/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?